EKSKLUZIVE/ Rikthehet poeti 'rebel': Ju tregoj për LETRËN që nevrikosi Enver Hoxhën, sfidën me sëmundjen dhe poezitë që ende shkruaj (INTERVISTË E PLOTË)

Publikuar tek: kulture-art, më 19:39 12-09-2018 EKSKLUZIVE/ Rikthehet poeti 'rebel': Ju tregoj për LETRËN që nevrikosi Enver Hoxhën, sfidën me sëmundjen dhe poezitë që ende shkruaj (INTERVISTË E PLOTË) Poeti Faslli Haliti

NGA KLESIANA OMERI

Është ndër të paktët poetë, që mençurinë më të madhe e bart në fjalët e shkurtra.

Bëhet fjalë për poetin e njohur Faslli Haliti, i cili në veprat e tij të shumta, ka paraqitur gjithmonë origjinalitetin e tij të patjetërsueshëm.

Vizionin që ka për botën, poeti mirënjohur e ka shprehur në librin poetik “Dielli dhe rrëkerat”, për të cilin pagoi dhe “një çmim” jo shumë të vogël në kohën e komunizmit.

Pavarësisht gjithë sfidave nuk ka ndalur asnjë ditë së shkruari, e ndërsa veprat e tij janë lënë në hije, Newsbomb.al vjen me një rrëfim ekskluziv të poetit të njohur.

Letra që inatosi Enver Hoxhën, peripecitë në krijimtari, jeta politike dhe sfidat me gjendjen jo të mirë shëndetësore, poeti i mirënjohur i rrëfen të gjitha në intervistën e mëposhtme.

INTERVISTA E PLOTË:

Gjithmonë përpjekje e madhe për të trajtuar tema të nxehta sociale dhe që shkaktojnë debat në çështjet e brendshme. Përse kjo teknikë?

-Në fakt, nuk është hera e parë që e them por gjithçka ka nisur me një ankesë të birit tim për çatinë që pikonte dhe pamundësia për t’i krijuar një strehë të sigurt. Gjithçka ndodhi në mënyrë instiktive, pastaj u shndërrua nga personalja te e përgjithshmja.

Poemën ‘Dielli dhe rrëkerat’, e cila më dërgoi dhe në gjyqin partiak të kohës, e kam nisur edhe për një arsye tjetër.

Si rezultat i një shkrimi të Ismail Kadaresë, për librin tim të parë. Ai bëri një reshencë dhe pati shumë impakt te krijimtaria ime. Kjo më ndihmoi se më vonë unë nisa të shkruaj që të meritoja vlerësimin e tij, edhe punova shumë.

Ishte një poemë kundër burokracizmit, por në mënyrë instiktive kundër pushtetit. Por kishte dhe problem të tjera.

U gjykua me pa të drejtë se u bë thirrje kundër pushtetit. Unë isha kundër burokracizmit. Në fakt aty ka pasur diçka për të thënë, se “partia ka vënë dorën aty ku pikon dhe s’ka gjerb që se dine”.

A kishte efekt “lufta” kundër burokracisë që bëhej në ato vite?

-Vështirë të them. Pushteti thoshte që administrata jonë nuk është burokratike por ka shfaqje të burokratizmit, e për këtë arsye, “lufta” ndaj burokracisë, nënkuptohej si luftë ndaj pushtetit.

Kritikoheshit se e shihnit jetën me syze dielli, çfarë mund të thoni sot për këtë?

-Poema ime kritikohej pa të drejtë, dhe se kisha nxirë realitetin socialist. Më akuzuan se i kisha shkruar ato poezi duke u nisur nga personalja. Ajo që kam shkruar unë ishte mendimi i popullit, por nuk e mbrojta dot edhe pse thashë që libri ishte për burokracinë dhe jo për shtetin.

Për bisedën me Ramiz Alinë keni shkruar gjatë. Çfarë ka mbetur pa thënë nga ai takim i cili për ju doli më mirë se e parashikuat?

-Unë bëra takim me sekretarin e parë. Ishte një takim konstruktiv. Ai tha mendimet e veta dhe unë të miat, dhe unë ia bëra të qartë qendrimin për veprat e mia, por më vonë shkova te Ramiz Alia. Ishte liberal, tolerant dhe demokrat. Më tha që nuk jemi dakord me kritikën që të bëhet ty në plan personal dhe politik. Plani personal kishte të bënte me faktin se thuhej se unë kisha kërkuar vilë. Se më prishej shtëpia mua. Por unë në mbledhje e thashë: “Çfarë vile do kërkoj, unë pranova të hyj në shtëpi që ishte e pasuvatuar.”

Mirëpo tani ishte djallëzore kjo sepse unë kisha një vëlla të madh, ndërsa ai kishte një fëmijë të sëmurë, dhe ata kërkonin një shtëpi përdhese që bëhej për punëtorët. Ata këtë fakt e përdorën me djallëzi, sikur unë kisha kërkuar vilë.

Po ska nevojë fare të më thuash ti më tha Ramiz Alia, pasi ne nuk ndërtojmë vila për njerëz, por pallate publike, që të strehojmë popullin. Ndërsa në planin politik, që thonin se bëja thirrje për rrëzim të pushtetit.

Ju ka penguar gjendja shëndetësore të ndaloni së shkruari ndonjëherë?

-E kam pasur si pikëpyetje, a do shkruaj gjithmonë? Dhe gjithmonë shkruajta, edhe sot kam shkruar një poezi (Titulli: Zemra s’u ndje).

Nuk do ta tregoj poezinë. Poezitë e mia nuk publikohen asnjëherë nëse nuk i sheh gruaja ime. Por për këtë poezi di të them vetëm se kam dashur të përcjell mesazhin se zemra di se për kë rreh.

Unë tani e kam më keq se kur isha i ri. Patjetër duhet ti miratoj një njeri poezitë e mia. Të parës ia tregoj gruas. Për të gjitha ato që shkruaj, ajo vihet në dijeni e para.

Pa të nuk do kisha shkruar. Ajo ishte maja drejt së cilës synoja të arrija, më duket sikur dhe tani eci për ta arritur.

Gjendjen time shëndetësore e kam harruar. Ne kemi kaluar në prill një situatë mjaft të vështirë. Gruaja ime bëri një kimio-terapi. Ishte shumë shumë e vështirë, dhe nëqoftëse është sot është falë djalit tonë Helidonit dhe dy vajzave Manjola dhe Gentiana. Ata shpëtuan nënën e tyre, dhe më shpëtuan mua gruan.

Çfarë kujtoni me nostalgji nga periudha kur u detyruat të bëni punë të detyruar, si kooperativist në Lushnjë?

-Unë kam shkuar atje pa asnjë vendim. E diskutuam gojarisht, do shkosh atje më thanë dhe pranova.

Unë vajta në koperativë dhe fillova punë. Çfarë nuk harroj kurrë është veprimi i Fatbardh Rustemit.

Fatbardh Rustemi, që ishte poet i ri në atë kohë, i shkroi Enver Hoxhës një letër, edhe i tha që Faslliu është poet revolucionar dhe çudi si ndodhi kështu, me pak fjalë i foli mirë për krijimtarinë time.

Por këtë letër që i dërgoi Fatbardh Rustemi Enver Hoxhës, e marrin ata të Komitetit Qendror dhe e lexojnë, dhe ia japin Dekanit të Fakultetit ku studionte Bardhi.

I thanë: “Ti ke shkruar një letër Enver Hoxhës për Faslli Halitin, por e di që e ke shqetësuar shumë udhëheqësin?”

Dhe Fatbardhi iu është përgjigjur: “Ou e kam shqetësuar? Më dërgoni mua te ai dhe e qetësoj.”

Fatbardhi nuk pranonte padrejtësinë që më ishte bërë. Unë nuk isha në dijeni të letrës që i kishte dërguar, e mora vesh dhe u shqetësova pak se mos më prishte punë, por Fatbardhi ka bërë diçka të jashtëzakonshme.

Çfarë ju nxiti të bëheshit pjesë e politikës, dhe si e gjykoni mënyrën si po bëhet politikë aktualisht në Shqipëri? 

-Nuk e dija që do më kandidonin për deputet. Vetëm më lajmëruan që isha kandiduar dhe isha i pari në renditje nga kandidatët e tjerë. U miratuan 3 emra dhe fitoi kryetari i Partisë në atë kohë, aktuali.  Të tre emrat u hodhën në KPD, por pasi emrat u hodhën në KPD të gjithë votuan mua. Kështu u bëra pjesë e politikës.

Ndërsa për situatën politike në Shqipëri unë dua të them vetëm një gjë. Ajo që konstatoj është kjo: Që në Shqipëri po punohet, por ka dhe një gjë tjetër, po përgojohet turpshëm.

Besoj shumë në reformat që ka marrë qeveria, në reformën në drejtësi e për të gjitha spastrimet që po bëhen.

Ndërsa për Bashën unë kam shkruar. Ai bërtet por britmën e ka të shtirur, i drejtohet popullit por ai nuk ka popull. Ai nuk ka gojë të flasë, se ishte kryetar Bashkie dhe nuk bëri asgjë.

Në Shqipëri janë bërë gjëra për të cilat vlen të shkruhet e këndohet.

Në poezinë “Kam qenë dhe unë deputet” ju shkruani: "Më shanë komunist, pikërisht ata që dje më akuzonin për ballist." Kujt i drejtoheshit me këtë mesazh?

-Mesazhi ishte për të gjithë ata pseudopolitikanë, sepse që ta dini tema e poezive të mia nga vitet ’90 e këtej kanë qenë dyfytyrësia dhe paturpësia, me pak fjalë imoraliteti politik.

Unë në një vjershë tjetër kam thënë: Unë e pranoj kapitalizmin, por nuk e dua. Jam si ai burri që martohet, nuk e dashuron gruan por me atë bën fëmijë. Kështu është poezia.

A mendoni se krijimtaria e vërtetë tashmë është lënë hije, dhe vëmendja është zhvendosur në një lloj “arti” tjetër?

Është mbushur Shqipëria gjithë ikona, teatri, muzike, filmi dhe sporti.

Në vitin 1967 ne me këto lloj ikonash fshinim glasat e pulave. Unë pata një periudhë që ishte shumë e gëzueshme për mua në botimet që bëja, e tani vazhdoj të jem, edhe pse jo me të njëjtin intensitet.

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « EKSODI 1991/ Artistja Ledi Shabani rikthen anijen ‘VLORA’ në Bari (Rrëfimi emocionues)
Në gjurmët e të atit, rishfaqet Greg Rama »
Article Logic
Execution time: 0.0050859451293945
array(1) { ["section"]=> string(153) "ekskluzive-rikthehet-poeti-rebel-ju-tregoj-per-letren-qe-nevrikosi-enver-hoxhen-sfiden-me-semundjen-dhe-poezite-qe-ende-shkruaj-interviste-e-plote-134102" }