Ekskluzive/ Skandali me "Rapiscan", miliona euro në dëm të bizneseve i kalojnë kompanisë private

Publikuar tek: politike, më 16:28 27-09-2015 Ekskluzive/ Skandali me

Ministria e Financave rinegocion kontratën koncensionare të skanimit me kompaninë "Rapiscan Security Inc." që detyron bizneset të paguajnë 2-3 herë për një skanim që nuk kryhet. Kjo është si një "taksë e fshehtë", për bizneset.

Kompania "Rapsican Security Inc." është pjesë e kompanisë Osi System e cila listohet në Bursën e New Yorkut dhe që pretendon të përfitojë nga qeveria shqiptare. Kontrata koncensionare është firmosur dhe vulosur nga qeveria Berisha, në ditët e fundit të ikjes së saj. Një koncension i dënueshëm për legjislacionin amerikan, tërësisht abuziv e i jashtëligjshëm për të cilin qeveria Rama u zotua se do i jepte fund.  Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pavarësisht se qeveria Rama kishte të gjitha argumentat dhe instrumentat ligjorë për ta rrëzuar në Arbitrazh.

Drejtori i Qendrës Shqiptare të Studimeve Strategjike (OJQ) Geri Selenica i shkruan një letër kryeministrit Rama dhe ministrit të Financave Shkëlqim Cani ku i konstaton jashtligjshmërinë e marrëveshjes si dhe i sugjeron rrugëzgjidhjen për të dalë nga kjo aferrë por qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë masë.

Selenica mori vetëm një përgjigje nga ministri Cani i cili i zotohej se juristët do e trajtonin cështjen por vetëm kaq.

Selenica në letër, i evidenton dhe thekson shefit të qeverisë dhe ministrit se sa e dënueshme është një kontratë e tillë në legjislacionin Amerikan.

"Pas një hetimi sipërfaqësor të pavarur të skandalit të skanimit me 'Rapiscan Security Inc.' dhe diskutimit me partnerët tanë në sektor dhe në SHBA më lejoni t'iu sugjeroj që nëse doni një rrugëzgjidhje më të shpejtë se arbitrazhi i ICC-së, përvec firmës ligjore angleze që përfaqëson qeverinë tonë të kontraktoni paralelisht studion ligjore më të mirë në SHBA, "Arnold & Porter LLP", për Praktikat e Korrupsionit jashtë SHBA dhe Anti Korrupsion Global", i shkruan Selenica kryeministrit dhe ministrit të Financave.

"Në këndvështrimin tim, me standartet e edukuara në SHBA, një kontratë e tillë është totalisht e jashtëligjshme sipas legjislacionit amerikan dhe e dënueshme sipas Kodit Penal Amerikan", argumenton ai në letër.

Drejtor Selenica i shpjegon kryeministrit Rama dhe ministrit Cani se kompanisë, duke qenë në listën e bursës së New Yorkut, një hetim për praktika korruptive do ti kushtonte  shumë më tepër në bursë se ajo që pretendon të fitojë nga shteti shqiptar.

"Nga pikëpamja e strategjisë së sulmit një kompani amerikane sulmohet më me efektivitet në Amerikë nga një studio ligjore amerikane se sa nga një studio angleze në Paris.

Jam i sigurt që firma amerikane ka më shumë frikë ligjin amerikan dhe rënien e aksioneve në bursë se sa talljet ordinere dhe përçmuese që i bën Qeverisë Shqiptare nëpër arbitrazhet e ICC-së duke kërkuar 350 milionë dollar kur nuk ka investuar as dy milionë dollar", thuhet në letër.

Ndërkaq, Newsbomb.al mëson se kjo situatë ka shkaktuar tension te bizneset në Shqipëri, të cilët do paguajnë miliona lekë që do i shkojnë kësaj kompanie.

Sipas burimeve tona, nisur nga kjo situatë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë (Nikolin Jaka) dhe Biznes Albania (Luan Bregasi) do ta ndjekë çështjen në Gjykatë e ndërsa një pjesë e fasoneve po transferohen në Maqedoni. / Newsbomb.al

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Ish-kryeministri Berisha sportiv, për relaks buzë detit (Foto)
Meidani: U bëmë ‘’gazi i botës’’, Rama të kërkojë falje për “kriminelët” e PS »