Ekstremizmi dhe terrorizmi, lista e filmave që do të trajtohen sot në Festivalin e Filmit

Publikuar tek: kulture-art, më 08:56 19-09-2017 Ekstremizmi dhe terrorizmi, lista e filmave që do të trajtohen sot në Festivalin e Filmit

Në Akademinë e Multimedias dhe të Filmit “Marubi” do të mbahet sot dita e dytë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut.

Ky festival do të zhvillohet në ambjentet e Akademisë “Marubi” dhe do të zgjasë nga dt.18-23 shtator.

Është prezantuar dhe programi i ditës së dytë të festivalit që përkon me ditën e sotme dhe janë publikuar titujt e filmave që do të transmetohen gjatë ditës.

Titujt e filmave duken mjaft interesantë pasi këtë vit do të trajtohen tematikat për populizmin dhe radikalizmin, një fenomen ky mjaft i përhapur ditët e sotme kur bota po përballet me terrorizmin dhe po përpiqet me çdo kusht ta luftojë atë.

Më poshtë është lista e filmave që do të transmetohen sot në Akademinë Marubi dhe hyrja do të jetë e lirë për cilindo që do t’i ndjekë nga afër.

JIHAD - A STORY OF THE OTHERS - XHIHADI: NJË HISTORI E TË TJERËVE

https://www.youtube.com/watch?v=9HKgowHRZ1c

Bota ka parë e tmerruar teksa mijëra të rinj dhe të reja braktisin jetën e rehatshme në Perëndim për t'u bashkuar me ISIS-in barbar (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë). Vajzat dhe djemtë kanë kaluar me shpejtësi nga të qenit fëmijë shkolle të përshtatur mirë, në bashkimin me entuziazëm në radhët e luftëtarëve fetarë që tundin kallashnikovë dhe "nuset xhihadiste" veshur me burka. Ky ndjehet si një fenomen i ri dhe i frikshëm, i cili ka lënë shumë njerëz të hutuar dhe të revoltuar. Por, siç tregon ky film i ri dokumentar nga regjisorja, fituese e çmimit Emmy, Deeyah Khan, perëndimorët që përqafojnë xhihadin dhe vdekjen nuk janë asgjë e re. Prej tre brezash tashmë, të rinjtë në Europë kanë rënë pré e grupeve ekstremiste dhe kanë luftuar, kanë vrarë dhe kanë vdekur me lëvizjet muxhahidine nga Afganistani, Bosnja dhe Kashmiri në Çeçeni dhe Birmani.

Në këtë film, Deeyah, e cila është përballur me kërcënime nga fundamentalistët ekstremistë në të kaluarën, synon të zbulojë se pse mesazhi i xhihadit ka ndikim kaq tërheqës për perëndimorët e rinj. Së pari, ajo u kthye në rrënjë, duke kaluar dy vjet me disa prej figurave udhëheqëse në lëvizjen xhihadiste britanike nga brezat e mëparshëm. Ajo siguroi dëshmi të pashembullta dhe të gjalla emocionale të ish-ekstremistëve, duke mësuar nga brenda se ç’do të thotë të biesh në radikalizëm, ta shkatërrosh jetën që ke nga ekstremizmi dhe dhuna, një mesazh që ka joshje të vazhdueshme duke kaluar nga brezi në brez.

Në filmin Xhihadi, Deeyah takohet me një nga etërit themelues të xhihadit britanik, i cili shkoi jashtë për të luftuar, dhe predikoi ekstremizmin me mijëra muslimanë të rinj në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Perëndim. Kërkimi i Deeyah-s për përgjigje më pas, e çon atë në rrugët e Britanisë moderne, duke takuar muslimanët e rinj, të sotëm, të kapur mes ekstremizmit dhe luftës kundër Terrorit.

Ajo takohet me muslimanë të rinj britanikë që ndjehen të zemëruar dhe të tjetërsuar, që përballen me çështje të diskriminimit, krizave të identitetit dhe refuzimit si nga shoqëria tradicionale edhe nga komunitetet dhe familjet e tyre; Por në momente të habitshme perceptimi dhe çlirimi nga paragjykimet, ajo gjithashtu gjen shpresë dhe disa përgjigje të mundshme për situatën komplekse në të cilën ndodhemi.

THE REUNION - TAKIM PAS VITESH

https://www.youtube.com/watch?v=2f8V_layZ_w

Një artiste e famshme nuk ftohet në takimin pas vitesh me klasën e saj. Ajo bën një film për atë se, ç’ka mund të kishte ndodhur nëse ajo do të kishte shkuar atje dhe do të përballej me ngacmuesit që e kishin tallur, dhe më vonë t’ia tregojë këtë film ish-shokëve të saj të klasës.

BLACK CODE - KODI I ZI

https://www.youtube.com/watch?v=BW2_2fOfdNI

“Kodi i Zi” është një rrëfim kaplues që tregon se si qeveritë kontrollojnë dhe manipulojnë internetin në mënyrë që të censurojnë dhe monitorojnë qytetarët e tyre. Me rrëfime që fillojnë nga murgjit tibetianë në mërgim që shmangin aparatin mbikëqyrës të Kinës, të qytetarëve sirianë të torturuar për postimet në Facebook, aktivistëve brazilianë që përdorin mediat sociale për të shpërndarë lajme alternative dhe deri te dhuna në internet kundër grave, ne vërejmë në mënyrë të drejtpërdrejtë pasojat e mëdha që mund të prodhojë niveli ynë i paparë e i padëgjuar i komunikimit digjital. Ndërsa zhvillohet kjo betejë për kontrollin e hapësirës kibernetike, idetë tona për qytetarinë, privatësinë dhe demokracinë do të sfidohen pikërisht në thelbin e vet.

DOWN THE DEEP DARK WEB - NË THELLËSITË E RRJETIT TË TERRIT

https://www.youtube.com/watch?v=PWrXoippwP0

A është Rrjeti i Territ një pamje çasti profetike në të ardhmen e shtrembëruar distopike që na pret, apo çelësi për të ikur nga realiteti Orwellian në të cilin tashmë jetojmë? Kjo është çështja qendrore në zemër të këtij hetimi të Rrjetit Të Territ, i cili rrëmon përtej pornografisë së fëmijëve, shitjeve të drogës dhe vrasësve me pagesë, të cilat kanë mbizotëruar hulumtimet ekzistuese të këtij Perëndimi të Egër virtual. Nëpër Rrjetin e Territ, ndryshon gjithçka që keni kujtuar se keni ditur për internetin dhe rreziqet e botës digjitale. Udhërrëfyesi ynë është Yuval Orr, një gazetar i ri, i lindur në vitin 1984 dhe i vetëdijshëm për shkeljet e shkallëzuara nga Big Brother, por si shumë prej brezit të tij, shumë i zënë me përditësimin e statusit të tij në Facebook për t'i kushtuar shumë vëmendje. I caktuar me shkrimin e një artikulli në lidhje me Rrjetin e Territ, ai zhytet me kokë deri në strofkullën e lepurit. Në një udhëtim që na çon përmes Tel Avivit, Pragës dhe Berlinit, Yuval takon ekspertët e teknologjisë, roje të krimit kibernetik dhe një grup të vetë-emëruar të organizatës së fshehtë të luftëtarëve të lirisë. Këta hakerë, kripto-anarkistë dhe partizanë të vullnetarizmit qëndrojnë në kufirin e një beteje të padukshme për privatësi, të mbrojtur nga anonimiteti i Rrjetit të Territ. Në dallim nga aktivitetet e papërshtatshme për të cilat Rrjeti i Territ është i njohur, këta aktivistë janë bashkuar përtej kufijve për të mbrojtur të drejtat universale të njeriut, të cilat po lihen shpejt mënjanë në epokën tonë të internetit pa privatësi. Këtu, në thellësitë e Rrjetit të Territ, gjejmë njerëzit që ndriçojnë rrugën për liritë e nesërme.

THE FATHER, THE SON AND THE HOLY JIHAD - “A Moving Family Saga in the heart of Jihad”
ATI, BIRI DHE XHIHADI I SHENJTË - “Saga Prekëse e një familjeje në zemër të Xhihadit”

https://www.youtube.com/watch?v=yPqYXTxTV9o

Ky film tregon historinë kontradiktore dhe tragjike të një familjeje franceze nga Siria: Ayachis-ët. Për shkak të një detyre fetare të paraardhësve, biri dhe më pas babai i tij, u kthyen në Siri, atdheun e tyre, për t'u bashkuar me revolucionin në emër të Allahut. Regjisori filmoi për tre vjet, historinë e tyre dramatike. Ai gjithashtu mblodhi dëshmitë e kësaj familje, rrugëtimi i së cilës, që nga vitet 70-të deri në ditët e sotme, zgjon mendime mbi integrimin, fundamentalizmin dhe hendekun mes kulturave perëndimore dhe lindore.

THE PARADE/PARADA

https://www.youtube.com/watch?v=m90sHPjFtO8

Filmi është xhiruar në Korenë e Veriut në një periudhë interesimi të pazakontë - që është në shtator të vitit 1988, kur kremtimi mahnitës i 40-vjetorit të Republikës Popullore Demokratike të Koresë u zhvillua në atë vend, paralel me Lojrat Olimpike të mbajtura në Korenë e Jugut fqinje. Filmi tregon kultin e padëgjuar të personalitetit që manifestohet në të gjitha sferat e jetës së Koresë së Veriut. Këto përfshijnë politikën, ideologjinë, kulturën dhe artin, sistemin e arsimimit të fëmijëve dhe të të rinjve. Një tjetër element i rëndësishëm i filmit është qëndrimi i Koresë së Veriut ndaj Koresë së Jugut dhe Lojërat Olimpike që po mbahen atje. Lajtmotivi i filmit është festimi madhështor: parada me mbi një milion pjesëmarrës, shfaqjet e dhëna nga disa mijëra artistë, marshime natën dhe euforia e pandërprerë e njerëzve që e shoqërojnë.


DRUMS OF RESISTANCE - DAULLET E REZISTENCËS

https://www.youtube.com/watch?v=KD9LKYrZdcE

“Daullet e Rezistencës” tregon historinë se si u krijua në Kosovë një shoqëri dhe realitet paralele gjatë viteve 1990. Filmi tregon se si segregacioni dhe aparteidi u bënë normë. Ai hulumton dhe dokumenton rrëfimet e mësimdhënies nëpër shtëpi, bodrume, banesa private, dyqane, dhe shumë vende të tjera të shndërruara në mjedise shkollore. Bëhet fjalë për historinë e angazhimit shoqëror dhe qytetar si dhe aktivizmit në Kosovë, të cilat fuqizuan dhe mundësuan që një jetë publike të merrte formë për shqiptarët. Dhe së fundi, ç’rrëfime janë dokumentuar apo harruar pas luftës së vitit 1999.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Akademia Marubi sjell radikalizmin në një këndvështrim të ri, mos e humbisni
Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova (FOTO) »
Article Logic
Execution time: 0.030781030654907
array(1) { ["section"]=> string(94) "ekstremizmi-dhe-terrorizmi-lista-e-filmave-qe-do-te-trajtohen-sot-ne-festivalin-e-filmit-92864" }