Erjon Veliaj vs Blendi Klosi, ja argumentat për dy kandidatët që luftojnë për Tiranën

Publikuar tek: politike, më 12:21 31-03-2015 Erjon Veliaj vs Blendi Klosi, ja argumentat për dy kandidatët që luftojnë për Tiranën Blendi Klosi dhe Erjon Veliaj

Beteja për Tiranën është më e fortë. Madje, madje, me më shumë dilema. Dy emrat që priten të përzgjidhen sot kanë një të kaluar të gjatë mes socialistëve, me vëmendje dhe mosvëmendje, por, edhe me lobingje të vështira. 

Erjon Veliaj apo Blendi Klosi? Cili do të jetë i zgjedhuri i socialistëve në betejën për Tiranën? Mbeten dhe pak orë nga vendimi final i Edi Ramës, që do të diskutohet padyshim dhe me kreun e LSI Ilir Meta. 

Le t’u hedhim një vështrim të dy kandidatëve.

Disa ditë më parë, shumë zyrtarë socialistë menduan se Edi Rama e kishte vendosur, përsa kohë në vizitën në fundjavë në Abruzzo (Itali), kishte marrë me vete Blendi Klosin. U tha, se ai ishte i përzgjedhuri i Ramës. Por, kush e njeh mirë mënyrën e punës së kryesocialistit, e di fare mirë se këto janë taktikat e tij: një ndër argumentat, është shuarja e zërit të socialistëve nga brenda, duke  u lënë atyre të kuptojnë se përderisa e kishte marrë me vete KIosin, do të zgjidhte atë. Por në fakt, është krejt e kundërta.

Rama e di fare mirë se me zgjedhjen e Klosit, dhe me zgjedhjen e Vangjush Dakos në Durrës, fuqizon një linjë të rëndësishme financiare, e cila ndoshta i bëhet barrë në të ardhmen. Vangjush Dako, Blendi Klosi, Ben Blushi, Bashkim Fino, etj, janë një grup i konsoliduar në PS, të cilët, nëse do të marrin më shumë pushtet, duke përfshirë fitoren e mundshme të Tiranës e Durrësit, do të jenë një “armë” e fortë politike. Rama e di këtë. Di dhe faktin, se Sajmir Tahiri, që është kryetar i PS së Tiranës, lobon për Blendi Klosin.

Jo më kot në Asamblenë e fundit socialiste, edhe pse u tha se nuk ishin mbledhur për kandidatët, disa syresh në sallë, çuditërisht, propozuan vetëm emrat e Lindita Nikollës, Albana Dhimitrit, Blendi Klosit e Pandeli Majkos. Padyshim, ata të zgjedhur socialistë, nuk patën vetë guximin të dilnin para kryetarit e të thoshin emrat e propozuar. Askush nuk do kishte guximin ta bënte këtë para kryetarit të madh.

Por cili është Blendi Klosi? Sot ai mban detyrën e sekretarit organizativ dhe ka një të kaluar të gjatë mes socialistëve. Blendi Klosi, thuajse është rritur në këtë seli. Dikur bashkëpunëtor i afërt i Nanos, menjëherë pas ikjes së tij nga partia, nuk ngurroi të ngjisë shkallët shpejt e shpejt për të marrë përkrahjen e Edi Ramës. Asnjëherë nuk e ka prishur muhabetin me ndonjë socialist, ashtu sikurse dihet dhe flitet, se në çështjet e organizimit nuk ka shkëlqyer. Por, karriera e tij ka shkuar në ngritje, pa prishur punë asnjëherë, deri në momentin që sot po diskutohet për të qenë kandidat në Tiranë. Dhe madje, i pranuar nga socialistët.

Erjon Veliaj, ndryshe nga Blendi Klosi, ka punuar shumë për të qenë pjesë e PS. Më mirë të themi, se është tërësisht prurja e Edi Ramës në PS. Që në kohën që drejtonte lëvizjen “Mjaft” para 2005, duke marrë kostot e socialistëve në mbrojtjen ndaj Edi Ramës, Erjon Veliaj luftoi shumë për korrupsionin në qeverisjen e PS para 2005. Shumë prej socialistëve nuk e duruan dot këtë fakt, por prapë, Veliaj, përpiqej të bindte se gjithë ajo çka kishte bërë, ishte në të mirë të tyre.

Me krijimin e G99, të rinjtë e kësaj force politike punuan shumë në të gjithë rrethet, sidomos në 2009, për të qenë aleatë “të denjë” të socialistëve.   Nuk arritën të fitonin asnjë deputet në 2009, madje, kishte shumë probleme nëse votat ishin numëruar në rregull ose jo.

Socialistët shtonin inatin, ndërkohë që Veliaj vazhdonte punën. Në opozitë, edhe pse me hatërmbetje, vazhdon të punojë fort, në krah të Edi Ramës, madje si një nga më të besuarit e tij. Mik i ngushtë me Endri Fugën, të dy arritën te Rama në të njëjtën kohë. Duke punuar për zgjedhjet e 2013, dihej fare mirë, që më parë, që Erjon Veliaj, do të ishte kandidat për ministër i socialistëve.

Në ministrinë e Mirëqenies sociale, edhe pse ka pasur akuza të herëpashershme, është një ndër të vetmit, që i ka dhuruar Edi Ramës aksione të vërteta publike e mediatike. Ndoshta, është ndër ministrat e vetëm që e ka nxjerrë Ramën më së shumti në terren, në të gjitha rrethet, duke hapur zyrat e Punës. Pothuajse çdo javë hapej një zyrë e re, dhe Rama e Erjon Veliaj shfaqeshin bashkë në ekranet e televizioneve. Të vetmet aksione publike të suksesshme në të mirë të qytetarit, kanë qenë dhënia e legalizimeve (me Artan Lamen), hapja e zyrave të punës (me Erjon Veliajn) dhe prishjet dhe rregullimi i territorit në vend (por që nga kjo mund të ketë kosto negative) e prerjet e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike.

Shkurt, Edi Rama, po vlerëson punën e Erjon Veliajt si “administrator” në ministrinë e Mirëqenies. Tej kësaj, duket se po punohet me deputetët për të “ulur” skepticizmin për socialistët e Tiranës. A do ta pranojnë ata Erjon Veliajn?

Edi Rama është në vështirësi zgjedhjeje, dhe sondazhet për dy emrat vazhdojnë akoma. Mbeten edhe pak orë për ta ndarë përfundimisht mendjen dhe palët, në mënyrat e tyre, po punojnë fort për të pasur një mbështetje sa më të gjerë.

Emri i Tiranës, do të vendoset edhe në bashkëpunim me LSI, ndaj edhe Ilir Meta do të thotë fjalën e tij. 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Halimi e Ristani-Metës: Largohu nga Këshilli. Meta: Largohuni ju po deshët
Gjylameti: Basha, llogari për premtimet e pambajtura. Bashkia: Basha s'ka lidhje me standartin e Ramës »
Article Logic
Execution time: 0.022911071777344
array(1) { ["section"]=> string(89) "erjon-veliaj-vs-blendi-klosi-ja-argumentat-per-dy-kandidatet-qe-luftojne-per-tiranen-7438" }