Familja nga Durrësi me poste drejtuese në Slloveni, kontributi i saj rol kyç

Publikuar tek: kulture-art, më 14:05 16-02-2015 Familja nga Durrësi me poste drejtuese në Slloveni, kontributi i saj rol kyç

Familja shqiptare Bruti nga Durrësi, duke marrë shtetësinë venedikase, u bë Grof (nga mesi i shekullit XVI) dhe u vendos në Koper të Sllovenisë. Përfaqësuesi i kësaj familje Imzot Agostini gëzonte post të lartë dhe ishte “Maestro di Kamera” në oborrin e Papa Klemendit XI, me prejardhje shqiptare, i lindur si Gjon Françesk Albani. Familja fisnike Bruti, në qendër të emblemës së saj ka shqiponjën, në brendësi të emblemës gjendet feniksi i kthyer nga dielli. Ndërsa pjesë e saj është dora me shpatë të ngritur shoqëruar me mbishkrimin “Libertas-Liri”. Një gjë e tillë bëhet e ditur nga Ambasada Shqiptare në Slloveni.

Këto fakte interesante, domethënëse, nuk do të ishin njohur nëse në datën 7 shkurt 2015, nuk do të ishte organizuar promovimi i librit ” Pallati dhe Familja Bruti në Koper” promovim i realizuar në Bibliotekën Qendrore të qytetit Koper. Në atë veprimtari ishte i ftuar edhe Heset Ahmeti, Kryetar i Shoqatës Shqiptare “Iliria”, të cilit për nder të familjes Bruti nga Shqipëria, ju kërkua të përshëndeste të pranishmit në gjuhën e nënës të dinastisë Bruti. Pra, në gjuhën shqipe. Komunikimi i lajmit nga Z. Ameti nxiti Ambasadën e Shqipërisë në Lubjanë që të kërkonte një takim me drejtuesit e Bibliotekës së Koperit.

Më datë 13 shkurt u organizua takimi me drejtuesit e Bibliotekës ku merrnin pjesë ambasadori i Shqipërisë Pëllumb Qazimi, ambasadori i Kosovës Nexhmedin Rexhepi, përfaqësues të Ministrisë së Diasporës të qeverisë të Kosovës, Heset Ahmeti, kryetar i Shoqatës “Iliria” dhe anëtarë të shoqatës. Pallati ku është vendosur biblioteka quhet “Pallati Bruti”, i ndërtuar para 300 viztesh nga kjo familje. Pikërisht në datën 7 shkurt u zhvillua mesha, si dhe promovimi i librit kushtuar 300 vjetorit të Pallatit Bruti. Interesante është pyetja se përse origjina e familjes Bruti nuk është bërë e ditur më parë. Arsyet janë nga më të ndryshmet, por kryesorja, sipas Peter Štoka, njeri prej drejtuesve të bibliotekës, është këmbëngulja e ruajtjes së pronësisë të origjinës venedikase. Sipas tij kjo familje është shqiptare, e vërtetuar nga hulumtimi i dokumenteve. Origjina e familjes Bruti është nga Durrësi. Më tej ajo ka veprimtari në Vlorë e në vijim në Kotor të Malit të Zi dhe në Novi Grad të Istrias në Kroaci. Stacioni përfundimtar ka qenë në Koper, ku familja Bruti ka dhënë kontribut politik, shoqëror, kishtar, ushtarak e më gjerë për këtë qytet. Pallati Bruti, i ndërtuar prej kësaj familje ka histori 300 vjeçare. Objekti paraqet vlera arkitekturore të pashembullta. Të njejtat vlera paraqiten edhe në mjediset e brendshme dhe ato anësore të kishës, ku ndodhen afreske kushtuar kësaj familje, emblema e familjes, si edhe varri i Agostin Brutit.


Biblioteka e qytetit, e vendosur në Pallatin Bruti, është e veçantë për nga fondi i librave, sasia dhe cilësia e ruajtjes dhe sidomos nga mosha e tyre prej tre e më shumë shekujsh. Vlera të veçanta paraqesin në aspektin studimor librat kushtuar familjes Bruti, hartat shumë të vjetra, ndoshta të paekspozuara më parë. Harta të shumta me emërtime të sotme paraqesin trojet shqiptare të periudhave disa shekuj më parë. Duken qartë emërtimet “Albania” dhe qytetet shqiptare të periudhave të caktuara. Drejtori dhe përfaqësuesit e Bibliotekës, së bashku me përfaqësuesit e Kishës me dëshirë e pasion paraqitën spjegime e ofruan dokumente e libra kushtuar familjes Bruti dhe shqiptarëve.


Kjo bibliotekë, dokumentet e saj, Pallati Bruti dhe Kisha ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për hulumtime. Akademisë së Shkencave, Institutit të Historisë dhe Kishës Katolike në Shqipëri i takojnë të gërmojnë më tej në këto dokumente. Më së paku, do të ishte mëse e dëshirueshme që libri për Pallatin Bruti dhe familjen Bruti nga Durrësi, i botuar në gjuhën sllovene dhe italiane, të përkthehej e të botohej në gjuhën shqipe. Në veprimtarinë shkencore që parashikohet për t'u zhvilluar në Koper në muajin shtator 2015, nuk do të kishte dhuratë më të bukur dhe dinjitoze. Ambasada e Shqipërisë do të mbajë kontakte të rregullta si me Bibliotekën e Koperit, ashtu edhe me institucionet në Shqipëri, që projekti të bëhet realitet.

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Artikulli i Mirror: Shqipëria më e sigurtë se vendet Europiane, problem shoferët e pamësuar me ligjin
“Marubi”, tashmë me 2280 dokumente-fotografike më shumë »
Article Logic
Execution time: 0.024087905883789
array(1) { ["section"]=> string(80) "familja-nga-durresi-me-poste-drejtuese-ne-slloveni-kontributi-i-saj-rol-kyc-3523" }