Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, si duhet të jetë!

Publikuar tek: analiza-komente, më 12:46 26-05-2015 Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, si duhet të jetë! Foto: Grupi Folklorik i Permetit perpara nisjes per ne Festivalin Folklorik Kombetar te Gjirokastres-1988. Vasil S. Tole i pari nga e majta.)

Një ngjarje e rëndësishme si Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës i bën nder çdo kombi e shteti, nëse do ta kishte një të tillë. Më poshtë, po përpiqem të jap disa sugjerime në lidhje me çfarë duhet ruajtur e përmirësuar në organizimin e kësaj ngjarjeje madhore për etnokulturën tone:

1. Festivali duhet të nisë simbolikisht me ngritjen e Flamurit nën tingujt e “Himnit Kombëtar” në kalanë e festivalit, në praninë e organizatorëve, përfaqësuesve të çdo grupi që merr pjesë në festival, të pushtetit vendor dhe publikut të gjerë. Më pas vijnë fjalimet zyrtare!

2. Ashtu siç kanë sugjeruar bartësit dhe studiuesit e trashëgimisë gjithë këto vite, koha e organizimit të tij, nuk duhet të jetë një herë në 5 vjet (si në planet e dikurshme pesëvjeçare), por ndoshta një herë në tre vjet. Globalizmi po shthur edhe ato pak mjedise që mbajnë gjallë jetën tradicionale e kësisoj, kërkohet një shtysë institucionale për afrimin në kohë të këtyre aktiviteteve. Sot nuk jemi në kushtet e Shqipërisë së para viteve ’90 kur çdo vit organizoheshin festivale me bazë fshati, lokaliteti e rrethi e kur nevoja për organizimin e Festivalit Kombëtar shtyhej në kohë. Çdo 3 vjet jo çdo 5 vjet!

3. Tashmë është e qartë se zgjedhja e qarkut si njësi organizative, nuk mundëson përfaqësimin sa dhe si duhet të mozaikut të trashëgimisë; kjo pasi ai humb dhe zbeh pasurinë dhe larminë kulturore të zonave dhe të mikrozonave etnokulturore në përbërje të tij. Puna organizative dhe hulumtuese nuk bëhet e plotë me këtë mënyrë organizimi. Jemi të bindur që konkurrimi nuk duhet të jetë mbi bazë qarku, por mbi bazë rrethi. Pra duhet rrethi e jo qarku!

4. Konkurrimi nuk duhet të jetë 30 minuta, por më shumë, ndoshta 60 minuta, kohë e mjaftueshme kjo për të sjellë tipologjitë e trashëgimisë shpirtërore të rrethit konkurrues. Garim 60 minuta, jo 30 minuta!

5. Nuk duhet të ketë kufizim të numrit të bartësve deri në 50; grupet garuese duhet të vijnë me atë përbërje, e cila mundëson realizimin e programit të tyre. Bartës pa kufizim dhe jo 50 syresh për çdo grup!

6. CD-të dhe DVD-të e grupeve garuese mungojnë gjatë ditëve të festivalit. Ato duhet të jenë të parapërgatitura për të interesuarit dhe të promovohen gjatë festivalit. CD-të dhe DVD para dhe gjatë festivalit, jo në përfundim të tij!

7. Festivali nuk duhet t’i harrojë por duhet ti kujtojë dhe lartësojë të gjithë bartësit, artistët, zejtarët dhe studiuesit e trashëgimisë që janë ndarë nga jeta mes dy festivaleve. Përurime të veçanta duhet të zhvillohen gjatë ditëve të festivalit dhe gjatë gjithë vitit përgatitor për kujtimin e figurave të tyre. Kujtesë për ta dhe jo harresë!

8. Për prezantuesit/et e festivalit kërkohet që sa më natyrshëm të paraqesin grupet në garë, titujt e dukurive shpirtërore në konkurrim dhe interpretuesit e tyre. E folura dhe paraqitja e prezantuesve të rrezatojnë thjeshtësi. Është e detyrueshme veshja popullore për ta.

9. Festivali nuk duhet të shoqërohet me aktivitete që shmangin fokusin kryesor të tij, i cili është ruajtja, transmetimi dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore të shqiptarëve dhe pakicave kombëtare dhe kulturore që jetojnë në Shqipëri. Aktivitetet kulturore që i shërbejnë këtij qëllimi si përurime librash, tryeza debati dhe konferenca shkencore, panaire prodhimesh artizanale, ekspozita etj., janë si lëngu limfatik në trupin e festivalit. Shkencë dhe trashëgimi së bashku!

10. Skena e festivalit nuk duhet të ketë efekte ndriçuese dhe skenografi dixhitale lëvizëse, por statike normale. Ajo që lëviz në skenë është vetë trashëgimia me gjithë larminë e saj të melodive, ritmeve, ngjyrave të kostumeve, valleve, ritualeve, moshave, gjinive etj. Bartësit dhe spektatorët do të pëlqenin që në qendër të skenës, të vazhdonte të qëndronte imitacioni i pikturës së Abdurrahim Buzës, e përdorur në disa festivale si logo identitare e tij. Shpirtërorja gjallon materialen dhe jo e kundërta!

11. Meqënëse jemi tek skena e festivalit, ajo nuk shërben vetëm për të por duhet të konceptohet si një skenë gjithëvjetore në funksion të aktiviteteve kulturore e artistike duke pasur edhe njësinë e vet të menaxhimit. Kësisoj, për të nevojiten foni, ndriçim dhe mbulim gjithëvjetor. Nuk ka kuptim që dërrasat e saj të kalbura të ndërrohen para organizimit të festivalit. Kalaja dhe skena mund dhe duhet të kenë kalendarin e tyre vjetor të aktiviteteve.

12. Festivali nuk duhet të shpërndajë vetëm vlerësime morale për krijuesit, bartësit dhe interpretuesit e vlerave të trashëgimisë. Kërkohet që të bëhet shpërblimi i cilësisë artistike të kësaj trashëgimie; kjo përmes aprovimit të akteve nënligjore përkatëse. Bartësit e trashëgimisë kanë nevojë të mbështeten financiarisht gjatë gjithë vitit për kontributet që japin. Kur mbështet trashëgiminë shpirtërore, mbështet drejtpërsëdrejti njeriun. Shteti, përmes buxhetit të festivalit, duhet të mbështesë njeriun i cili është vlera reale e trashëgimisë shpirtërore.

13. Festivali Folklorik Kombëtar mban vërtet emrin e Gjirokastrës por nuk duhet të jetë vetëm për Gjirokastrën. Ashtu si piktura “Shqipëria në festë” e Abdurrahim Buzës, që shërben si logo dhe skenografi e tij, festivali duhet të ndezë artistikisht gjatë vitit përgatitor gjithë Shqipërinë, me koncerte dhe aktivitete që qarkullojnë nëpër qytete, qendrat historike dhe monumentet e kulturës. Ditët e festivalit në Gjirokastër janë vetëm kulmimi i tij. Përgatitja e festivalit dhe vlerat e trashëgimisë duhet të vendosen në shërbim të zhvillimit ekonomik të shoqërisë dhe të vendit.

14. Festivali dhe “Qyteti-muze” i Gjirokastrës, banori i Gjirokastrës dhe festivalisti, nuk duhet të jenë të ndarë, por duhet të jenë një dhe së bashku gjatë ditëve të zhvillimit të tij. Kultura shpirtërore duhet të gjallërojë atë materiale. Monumentet e kulturës së qytetit duhet të jenë qendra të akomodimit të stafeve zyrtare, grupeve dhe aty të organizohen konferencat e shtypit, ekspozitat, takimet, koncertet, post-festivali etj. Banorët dhe bizneset e Gjirokastrës duhet të përfshihen drejtpërsëdrejti në organizimin dhe mbarëvajtjen e tij.

15. Organizimi i festivalit duhet të bëjë pjesë edhe në “Planin e menaxhimit” të qytetit të Gjirokastrës, dokument i detyrueshëm i kërkuar nga UNESCO, pasi ky aktivitet kërkon menaxhim efikas që të mos ketë rast që të interpretohet si fasadë veprimtarish shtetërore, por të jetë shpirt dhe lëndë e trashëgimisë europiane të shqiptarëve në “Qytetin-muze” të mbrojtur nga UNESCO.

16. Së fundi mendojmë se festivali duhet të ketë logon e vet muzikore dhe kënga “Gjirokastra në shpat mali”, me vlerat e saj artistike, e përmbush këtë qëllim.

Shënim në fund të faqes:

Kanë qenë me qindra kërkesat dhe interesimet që miq e kolegë, të rinj e të vjetër, të njohur e të panjohur, më kanë bërë gjatë këtyre ditëve në lidhje me mënyrën se si duhet organizuar Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës. Shumica prej tyre kujtonin vlera dhe arritje në lidhje me këtë super-aktivitet 69-vjeçar, fillesat e të cilit zënë fill në vitin e largët 1946, në Tiranë, ndërsa të tjerë, sillnin sugjerime për përmirësimin e mëtejshëm të organizimit të tij. Personalisht, kam që nga viti 1983 që jam i përfshirë shpirtërisht dhe fizikisht me Festivalin Folklorik Kombëtar.

Fillimisht e kam ndjekur atë si student i kompozicionit në vitin 1983, në vitin 1988, si udhëheqës artistik i grupit folklorik të rrethit të Përmetit, si anëtar i Jurisë në vitin 1995 në Berat dhe në vitin 2000 në Gjirokastër, në vitin 2004 si anëtar i Komitetit Organizativ të Festivalit me cilësinë e drejtorit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, në vitin 2009 si kryetar i Jurisë dhe së fundi në vitin 2015 si anëtar i Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore. Plot 32 vjet e 7 edicione!

Jemi nga të rrallët vende në botë, ku traditat e zakonet, veshjet popullore, objektet etnografike dhe konceptimet popullore ende jetojnë dhe dëshmia më e mirë është skena e këtij festivali; ku krijimtaria folklorike e veprimtaritë tradicionale gjallojnë e transmetohen ende në forma tradicionale dhe moderne, gojarisht e literalisht; performancat popullore shkrihen natyrshëm në kostumet e lashta popullore, ku të gjithë ndihemi të emocionuar në këtë atmosferë sugjestive tradicionale dhe krenarë në identitetin tonë si shqiptarë.

Nga studiuesi Vasil Tole

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.053802013397217
array(1) { ["section"]=> string(66) "festivali-folklorik-kombetar-i-gjirokastres-si-duhet-te-jete-11993" }