Filmi “Bota”, më i miri në Albanian Film Week në New York

Publikuar tek: kulture-art, më 23:36 06-11-2015 Filmi “Bota”, më i miri në Albanian Film Week në New York

Filmi i metrazhit të gjatë me regji të Iris Elezit “Bota”, ka dalë të jetë filmi më i mirë i edicionit të fundit të  Albanian Film Week në New York ku në mbrëmjen e së enjtes janë ndarë edhe çmimet në disa kategori.

Drejtoresha e këtij festivali Mrika Krasniqi, është shprehur se festivali i Javës së Filmit Shqiptarë në SHBA është edhe një sukses i radhës prej katër vitesh.

“Me këtë prezantim të filmave shqiptarë kemi bërë që kinematografia shqiptare të pëlqehet gjithnjë e më shumë, ku po  vlerësohet dhe admirohet kultura e filmit shqiptar”, ka thënë Krasniqi, transmeton Ata.

Ajo thekson se ky festival po mbetet edhe një mundësi e mirë që kineastët shqiptarë të kenë mundësi krijimi të bashkëpunimeve në fushën e kinematografisë.

Ajo më pas ka shpjeguar se Festivali gradualisht po e krijon identitetin e tij, duke u bërë kështu pjesë e historisë së kinemasë shqiptare.

Ndërkohë, me vendim të jurisë: Louis Romano,  Gjilberta Lucaj,  Xhevat Limani dhe Shpend Xani, filmi më i mirë i shkurtë ka dalë të jetë “Sonata”, me regji të Durim Kryeziut, dokumentari më i mirë “Beyond The Mountain”, aktori më i mirë, Blerim Destani, aktorja më e mirë, Flonja Kodheli, muzika më e mirë ka shkuar po për filmin “Bota”, kamera e mirë për “Tri Dritare dhe një varje”, regjia më e mirë, Isa Qosja, po për filmin “Tri Dritare dhe një Varje”, çmimi i produksionit “Amsterdam Express”, dhe çmimi i publikut ka shkuar po për filmin “Bota”. Kurse me mirënjohje janë nderuar edhe Sabri Pajaziti dhe Fisnik Muji.

Edicioni I i NY AFW u mbajt më 09-11 Nëntor 2012, me moton “100 për 100”, ku u shfaqen 100 filma të kinematografisë shqiptare për nder të 100 Vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Ndërsa edicioni II vijoi në të njëjtin muaj në vitin 2013 dhe kishte karakter garues, ku janë shfaqur 30 filma të kinematografisë shqiptare, prodhime më të fundit.

fil.jpg

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Zbulohet misteri: “Xhek Kasapi” ishte poeti i famshëm anglez
Ben Blushi merr çmimin eseisti më i mirë por thotë: S’e meritoja, do të doja të mos isha kaq “Profet” »