Firmoset marrëveshja BERZH- MBZHRAU, si do të mbështetet sektori i Bujqësisë

Publikuar tek: ekonomi, më 12:10 11-01-2016 Firmoset marrëveshja BERZH- MBZHRAU, si do të mbështetet sektori i Bujqësisë

Bashkë me Qeverinë Shqiptare, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po ndihmon në zhvillimin e bujqësisë, një prej sektorëve kyç të ekonomisë së vendit, përmes prezantimit të Programit për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri. Nën këtë platformë të re, BERZH synon të përmirësojë mundësitë e financimit për agrobizneset vendase duke ofruar linja të dedikuara kredie për bankat shqiptare dhe institucionet mikrofinanciare apo duke ndarë me ata riskun e huadhënies në sektorin e agrobiznesit. Qeveria Shqiptare ka ofruar një instrument për mbulimin e humbjeve të para me qëllim reduktimin e riskut të huadhënieve. Bujqësia është një sektor kyç i ekonomisë në Shqipëri, ajo siguron punësim për rreth 50 përqind të popullësisë së zonave rurale dhe përbën rreth 20 përqind të PBB-së së vendit. Pavarësisht kësaj, sektori mbetet i nën-shërbyer nga institucionet financiare, kreditë në këtë sektor përbëjnë vetëm 2 përqind të totalit të huave për ekonominë. Programi për Mbështetjen e Agrobiznesit do ta adresojë këtë sfidë përmes përmirësimit të mundësive për financime në të gjithë vendin. Ky program do të përfshijë gjithashtu asistencë teknike për rritjen e kapaciteteve dhe trainime nga programi i BERZH për Mbështetjen e Bizneseve të Vogla. BERZH do të vazhdojë të mbështesë autoritetet shqiptare për veprimtari specifike në kuadër të ndërmarrjes së iniciativave për reforma sektoriale, në koordinim me partnerë të tjerë të zhvillimit. 

 “Shqipëria ka një potencial të madh e të pashfrytëzuar në sektorin e agrobiznesit. Fragmentimi, informaliteti dhe mundësitë e kufizuara për financime përbëjnë pengesë për zhvillimin e këtij potenciali. Bashkë me autoritetet shqiptare, ne kemi kënaqësinë të prezantojnë sot, Programin për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri. I jemi mirënjohës Qeverisë për besimin e saj ndaj BERZH dhe mirëpresim bashkëpunimin me të gjithë grupet e interesit me qëllim realizimin e suksesshëm të programit,” deklaroi  Christoph Denk, Drejtori i BERZH në Shqipëri.

“Ne jemi shumë krenarë për prezantimin e këtij programi ambicioz dhe inovativ që do të rrisë mbështetjen ndaj agrobiznesit shqiptar. Ai do të inkurajojë institucionet financiare vendase të rrisin huadhënien ndaj fermerëve dhe shoqërive të tjera të agrobiznesit në Shqipëri. Reduktimi i riskut do ta bëjë sektorin më tërheqës ndaj investitorëve” shtoi Henry Russell, Drejtor për Institucionet Financiare për Ballkanin Perëndimor, Bjellorusinë, Moldavinë dhe Ukrainën.

“Kemi kënaqësinë të prezantojmë këtë program në mbështetje të zhvillimit të sektorit të bujqësisë bashkë me BERZH. Ne besojmë se ky është hapi i duhur për t’u ndërmarrë për arritjen e objektivave të Qeverisë për rritje domethënëse të huadhënies në sektorin e agrobiznesit, e cila është thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori” shtoi Edmond Panariti, Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë.

 “Qeveria shqiptare e ka kthyer zhvillimin e bujqësisë dhe të agrobiznesit në një prej prioriteteve të saja strategjike dhe është e angazhuar në mbështetjen e sektorit përmes një sërë nismash për reforma dhe mbështetjes financiare. Ne besojmë se ky program i ri do të na ndihmojë në arritjen e këtij  qëllimi dhe në fuqizimin e ekonomisë së Shqipërisë”, deklaroi Shkëlqim Cani, Ministri Shqiptar i Financave.

Që prej fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri, BERZH ka investuar 1 miliardë euro në 70 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.062079906463623
array(1) { ["section"]=> string(80) "firmoset-marreveshja-berzh-mbzhrau-si-do-te-mbeshtetet-sektori-i-bujqesise-29671" }