Fitoi mbi kancerin, Fatos Kongoli rrëfen tmerrin: Isha një gjysmë i vdekur! Lutesha të ikja...

Publikuar tek: kulture-art, më 15:14 15-08-2018 Fitoi mbi kancerin, Fatos Kongoli rrëfen tmerrin: Isha një gjysmë i vdekur! Lutesha të ikja... Fatos Kongoli me bashkeshorten e tij Lili

Shkrimtari i dashur për mbarëpublikun Fatos Kongoli ia ka dalë të fitojë betejën me kancerin, larg fëmijëve që jetojnë në Amerikë dhe vetëm me ndihmën e mjekëve e të personelit spitalor që e kishin ndjekur me kujdes ditë pas dite. Sigurisht edhe me mbështetjen dhe dashurinë e bashkëshortes së tij Lilit.

Gazetarja Beti Njuma e ka takuar shkrimtarin dhe ka folur me të për gjithë kalvarin e sëmundjes dhe stërmundimet në luftën me vdekjen.

“Erdhën njerëz që s’i njihja, lexues që nuk i mbaj mend” thotë Fatosi për Beti Njumën në një artikull të publikuar te Konica.al teksa kujton se ndodhi pikërisht ajo që s’donte, zhurma mediatike.

Operacioni i dytë ishte fatal. Humbja në peshë e shoqëruar me degradimin fizik i pamundësoi jo vetëm ecjen por edhe ndjeshmërinë në pjesët dërrmuese të trupit. “Isha një gjysmë i vdekur” rrëfen shkrimtari për çastet e pezullta mes jetës dhe vdekjes. Ndonëse ka kujtime të mjegullta të periudhës së kaluar në reanimacion një gjë mban mend mirë gatishmërinë dhe mirësinë e personelit spitalor që i jepte kurajë.

“Mendova eutanazinë! Kur mësova hollësitë e post-operacionit, thashë, e ç’më duhet jeta?! Lutesha që të ikja.” Kërkonte një ikje dinjitoze ashtu siç mund të kenë bërë edhe njerëz të tjerë të letrave. Si mund të harrohet rasti i shkrimtarit belg Hugo Claus, disa herë kandidat për Nobelin në letërsi i cili në mars të 2008-ës, në moshën 78 vjeçare pas një kalvari të gjatë me Alcaimer, vendosi t’i japë fund jetës me eutanzai. Që sëmundja të mos e bënte të huaj ndaj vetes dhe të tjerëve shkrimtari i njohur zgjodhi “vdekjen e ëmbël” në një klinikë të Anversës në Belgjikë, një nga tre shtetet europiane bashkë me Luksemburgun dhe Hollandën ku lejohet eutanazia.

Për fat ky nuk ishte rasti për shkrimtarin shqiptar. Sot kur flet për eutanazinë Kongoli qesh me këtë mendim të çasteve të thella të dëshpërimit. Por kush ka jetuar aq gjatë në spital dhe pa shpresë e di se aty jeta ndalet, pëson një frenim dhe koha është e ndryshme. Një botë thuajse paralele, një dimension tjetër.

E tillë është edhe jeta e re pas spitalit, periudha e rehabilitimit dhe e riaftësimit fizik. Tashmë prej pesë muajsh, bashkë me çiftin Kongoli në vilën e Qerretit jeton edhe fizioterapisti i tij Ermal Hylviu. “Nëse jetën ma shpëtuan kirurgët Çeliku dhe Kolani, Ermali më ka ngritur në këmbë” thotë Fatosi, pa harruar sigurisht heroinën e vërtetë të çdo çasti, Lilin.

Që prej 21 marsit, dita e daljes nga spitali, dy herë në ditë shkrimtari i është nënshtruar një programi të specializuar rehabilitimi për të vënë përsëri në punë muskujt e duarve e këmbëve. Një proçes i gjatë përballjeje me jetën e re ku nuk ishte më zot i vetvetes por plot këmbëngulje titanike që me punë trupi të gjente mënyrën për të rifituar vetveten.

Një proçes i gjatë për të mësuar teknikat për të kryer edhe lëvizjet më të parëndësishme, duke u stërmunduar shumë për të arritur një minimum pavarësie, deri sa dora-dorës u ngrit nga shtrati, arriti të çapitet, mbështetur pas parmakëve dhe Ermalit derisa u ngrit përsëri në këmbë. “Mësova nga e para, të eci si një fëmijë, mësova të jetoj përsëri.”

Në moshën 74 vjeçare, jeta e Fatos Kongolit, njërit prej shkrimtarëve më të dashur shqiptar ka ndryshuar. Në sirtarin e tij sot nuk ka më vetëm iluzione, personazhe përmes të cilave të zbërthejë vetveten, por ka shpresë dhe një dëshirë të madhe për të jetuar.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Kjo është shqiptarja që u bë femra më e zgjuar në planet, ja pse e gjithë bota përulet para portretit të saj
»
Article Logic
Execution time: 0.019788980484009
array(1) { ["section"]=> string(95) "fitoi-mbi-kancerin-fatos-kongoli-rrefen-tmerrin-isha-nje-gjysme-i-vdekur-lutesha-te-ikja-131212" }