Fitojnë Skënderbeu dhe Partizani, nuk i ndahen njëri-tjetrit në garën për titull

Publikuar tek: sport, më 20:26 09-03-2016 Fitojnë Skënderbeu dhe Partizani, nuk i ndahen njëri-tjetrit në garën për titull

Skënderbeu arrin të mundë Teutën në shtëpi falë një goli të shënuar në fillim të takimit nga ana e mesfushorit Liridon Latifi.

Përballja mes korçarëve e Teutës nis mjaft e luftuar dhe me një gol të shpejtë nga vendasit që shënojnë me anë të Latfiti në mënyrën e 7-të të takimit.

Hamdi Salihi i ka rrëmbyer një top mbrojtësit Hoxha, duke e lënë topin për Xhejms, tenton të shmangë Moçkën, por portiere vlonjat e ia largon topin nigerianit, por më pas nuk ka çfarë bën në goditjen e Latfifit që i jep avantazhin Skënderbeut.

Dyluftime të shumta e raste në të dyja krahët, ndërsa ka edhe një gol të anulluar të Salihit për pozicion jashtë loje, por ka flamur të ngritur. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e korçarëve.

Edhe pjesa e dytë e takimit paraqet një ndeshje mjaft të bukur e të luftuar me sulme e kundërsulme nga të dyja krahët, por janë miqtë më kërkues dhe që rrezikojnë me brazilianin Bernardo.

Pavarësisht kësaj, Skënderbu ka mundësinë më të mirë për të mbyllur ndeshjen, pasi në minutën e 86-të Salihi nuk mposhti dot Moçkën nga pika e bardhë e 11 metërshit, me vlonjatin që devijon topin në korne. Në minutat e mbetura nuk ka ndryshim rezultati dhe Skënderbeu merr tri pikë të arta.

Me këtë fitore korçarët ruajnë diferencën prej 4 pikësh me Partizanin e vendit të dytë, duke shkuar tashmë në kuotën e 59 pikëve, ndërsa Teuta ndan me pikë të barabarta vendin e tretë me Kukësin.


Nuk ka fitues në stadiumin “Selman Stërmasi” pasi as Tirana e as Flamurtari nuk kanë arritur të gjejnë dot rrugën e rrjetës.

Tirana e ka nisur në sulm ndeshjen me Flamurtarin, teksa i është afruar golit me anë të Fukuit në minutën e 9-të kur japonezi godet shtyllën.

Ritmi në pjesën e parë të takimit është shumë i lartë me sulme nga të dyja anët, teksa vlonjatët rrezikojnë me Lushtakun që godet traun e portës së mbrojtur nga Bakaj por deri në fund të 45-minutave të para rezultati mbetet i pandryshyar.

Tirana këmbëngul për të gjetur rrugën e rrjetës në pjesën e dytë por e ka të pamundur pavarësisht dëshirës së shafqur në fushë nga ekipi i Iliri Dajës.

Flamurtari arrin të realizojë qëllimin e tij, duke marrë një pikë, e cila i kënaq vlonjatët duke qenë se luhej në transfertë dhe ndaj një ekipi si Tirana.

Bardheblutë tashmë zbresin në vendin e pestë pasi janë parakaluar nga Kukësi, ndërsa vlonjatët shkojnë dy pikë më shumë se Bylisi që ndodhet i parafundit.


Partizani nuk ndalët as në Ballsh teksa duket se fitorja i ka bërë me krahë e këtë herë kanë mundur Bylisin në transfertë me rezultatin 0 – 2 falë golave të Vilës e Trashit.

Të kuqtë kërkojnë golin që në fillim dhe fillimisht godasin shtyllën me një gjuajtje me kokë të Bathës, ndërsa në minutën e 10-të është Vila që shënon dhe i jep avantazhin ekipit të drejtuar nga Agostineli.

Ballshiotët kërkojnë golin e barazimit dhe kanë më shumë iniciativë por e kanë te për të vështirë për të gjetur hapësira në mbrojtjen e të kuqve.

Goditja e dytë për ballshiotët do të vinte në pjesën e dytë, kur 5 minuta nga fillimi i saj është Trashi që dyfishon rezultatin dhe afron të kuqtë te fitorja.

Ballshiotët bëjnë gjithçka të rihapin takimin dhe kanë mundësitë e tyre por portiere Hoxha mbetet i pamposhtur deri në fund.

Partizani i gëzohet fitores duke vijuar pretendimet e tyre për titull dhe janë në pritje të ndonjë dhurate nga Teuta që përballet me Skënderbeun kryesues në Korçë.

Ballshiotët mbeten në zonën e ftohtë të renditur të parafundit me 20 pikë duke vështirësuar pozitat e tyre dhe qëndrimin në Superiore.


Kukësi i falet Eminit dhe mund me rezultatin e ngushtë 1 – 0 Laçin në stadiumin “Zeqir Ymeri”.

Pjesa e parë ishte mjaft e bukur, me Laçin që e nisi më mirë, duke luajtur shpejt e qartë.

Kukësi u befasua nga agresiviteti mik dhe vonoi të dilte në lojën e vet, aq sa shpesh e detyrua të mbyllej në mbrojtje.

Megjithatë, Laçi nuk ka sulmues goli dhe kjo i prish shumë punë, ndërsa Kukësi me Eminin është më i qetë përpara.

Ritmi i lartë i ndeshjesh ndërpritej shpesh nga dëmtimet, herë si pasojë e lojës së ashpër e herë për fushën me bar artificial, problem më vete.

45 minutat e para kaluan shpejt, me lojë të bukur, por pak raste për shënim.

Edhe pjesa e dytë nisi furishëm, por me Kukësin shumë kërkues.

Vendasit humbën disa raste të mira në harkun e disa minutave dhe Laçi u tërhoq gradualisht, duke u mbrojtur me forca të shumta.

Edhe në pjesën e dytë ndalesat e lojës ishin të shumta, shoqëruar edhe me kartonë, me tensionin në rritje.

Presioni i Kukësit u shpërblye në minutën e 72-të, kur sulmuesi i spikatur Emini shënoi pas një krosi të bukur nga e djathta.

Me entuziazmin në qiell, Kukësi vazhdoi sulmet dhe goditi edhe traversën, por krijoi edhe raste të tjera të mira.

Megjithatë, asnjë gol në vazhdim dhe asnjë reagim nga Laçi, që në pjesën e dytë vuajti shumë.

Tri pikë të çmuara dhe të merituara për Kukësin, që vazhdon "marshimin", ndërsa Laçi mbetet në vendnumëro, edhe pse edhe sot luajti shumë mirë 45 minutat e para.


Vllaznia gjen fitoren teksa ka mundur në transfertë ekipin e Tërbunit i cili në dy javët e fundit arriti të befasojë Partizanin e Tërbunin.

Shkodranët e kanë të qartë objektivin e tyre edhe pse kanë disa mungesa e që në minutat e para kërkon rrugën e rrjetës.

Këmbëngulja e tyre shpërblehet që në minutën e 7-të kur Erald Çinari arrin ti japë avantazhin shkodranëve. Ekipi i drejtuar nga Cungu i afrohet golit sërish, por edhe vendasit kanë rastet e tyre, por pjesë e parë lë në fuqi golin e Çinarit.

Pjesa e dytë nis me një rast të mirë shënimi për shkodranët, porVrapi tregohet i pasaktë nga pika e bardhë në minutën e 49-të.

Goli i dytë për Vllazninë nuk vonon, pasi në minutën e 61-të është Dibra që shfrytëzon një kros të Sefës dhe mposht portierin Kuka për të dytën herë, por nuk ndalet me kaq pasi në minutën e 75-të do shënonte edhe golin e tretë. Nuk mbaron me kaq, pasi Dyca shënon edhe golin e katërt për shkodranët.

Vërshëllima e fundit e kryesorit Alla dërgon në festë Vllazninë që tashmë shkon në kuotën e 23 pikëve duke parakaluar Bylisin e Flamurtarin. Ndërkohë Tërbuni mbetet i fundit me 13 pikë të grumbulluara pas 25 javësh kampionat.

(Sportal.al)

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « PSG dhe Benfika në çerekfinale, Chelsea jashtë Champions League
Në profilin e Rey Manaj publikohet kjo foto nudo në vaskë, e zhduk pas disa sekondash »
Article Logic
Execution time: 0.019222974777222
array(1) { ["section"]=> string(85) "fitojne-skenderbeu-dhe-partizani-nuk-i-ndahen-njeri-tjetrit-ne-garen-per-titull-34684" }