Flamurtari kalon Tiranën dhe arrin në gjysmëfinalen e Kupës, kualifikohen Kukësi, Skënderbeu dhe Laçi

Publikuar tek: sport, më 18:36 17-02-2016 Flamurtari kalon Tiranën dhe arrin në gjysmëfinalen e Kupës, kualifikohen Kukësi, Skënderbeu dhe Laçi

Flamurtari ka bërë mrekullinë, duke fituar 2-1 në "Selman Stërmasi"dhe duke u kualifikuar për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Një fitore e madhe, e marrë në një moment delikat, pas humbjes kundër Laçit fundjavën e shkuar.

Fitorja në Vlorë i jepte qetësi dhe një avantazh të madh Tiranës, por diferencat mes dy skuadrave, edhe pse në kahe të kundërta në renditje, nuk u panë.

Flamurtari e mbajti ndeshjen në ritme të ulta në fillimin e saj, si dëshironte, derisa gjeti golin me anë të Bruno Telushit, i cili nga jashtë zone lëshoi një "predhë" në minutën e 13-të, duke befasuar portierin Bakaj.

Goli zgjoi Tiranën, që krijoi lojë dhe shumë rreziqe nga krahët, por sulmuesi i golit nuk ekziston dhe mungesa e Elis Bakajt ishte e papërballueshme.

Megjithatë, në fillimin e pjesës së dytë, Tirana gjeti golin me Fukuin, i cili pas një krosi u gjend i vetëm në zonë dhe me kokë nuk fali.

Ritmi mbeti shumë i lartë, me Tiranën më kerkuese, por në minutën e 65-të Flamurtari goditi sërish, kur një kombinim super nxorri të vetëm në zonë Lushtakun, i cili nuk fali.

Goli tronditi Tiranën, që nisi të sulmonte me nervozizëm, duke e paguar, sepse në minutat 75 e 81 Hoxhallari e Teqja dolën me kartonë të kuq.

Megjithatë, edhe me 9 lojtarë Tirana sulmoi dhe Flamurtari rrezikoi shumë, sepse humbi raste të arta në kundërsulm dhe në shtesë Ilion Lika e shpëtoi nga goli, perveçse Tirana humbi një rast ideal.

Mbaroi 2-1, Tirana ndalet pas shumë ndeshjesh, ndërsa Flamurtari më në fund tregon se vlen dhe ka ndryshuar shumë. I duhej vetëm kohë...


Kukësi fiton me rezultatin 2-0 ndaj Teutës e kalon në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë falë dy golave të shënuar nga dy qendërmbrojtësit Shameti e Malota.

Vendasit e kanë të qartë që duhet të shënojnë për të siguruar kualifikimin, dhe hidhen në sulm që në fillim të ndeshjes.

Ndeshja është e luftuar në çdo sektor, por vendasit janë këmbëngulës e kanë një mundësi shënimi me Dvornekoviç që brenda zonës godet por Moçka nuk lejoj prekjen e rrjetës.

Në minutën e 35-të miqtë do të dorëzoheshin kur Shameti pas një goditjej këndi kërcen mbi të tjerët dhe me kokë shënon golin e avantazhit për Kukësin.

Pjesa e dytë vijon me të njëjtin ritëm me raste nga të dyja krahët, por goli do të vinte vetëm në minutën e 89-të kur Malota shënon pasi topi i shpëton Moçkës nga duart, moment që duhej dhënë faull në favor të portierit. 

Në fund ka festë për vendasit që synojnë një trofe sivjet, ndërsa për Teuta duhet ta synojë Europën nga kampionati.


Skënderbeu është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë pasi ka mundur me rezultatin 2-1 Vllazninë në stadiumin “Skënderbeu” të boshatisur për pezullim.

Ekipi i drejtuar nga Mirel Josa  e ka nisur ndeshjen në sulm duke kërkuar të shënojë, pasi vetëm fitorja i mundësonte kualifikimin në gjysmëfinale të kupës.

Korçarët rrezikojnë në disa raste, por nuk arrijnë shënojnë deri në minutën e 41-të, kur Renatinjo me kokë mposht portierin Dragojeviç dhe zhbllokon rezultatin.

Goli i Renatinjos mbetet në fuqi në pjesën e parë, ndërsa në të dytën, 10 minuta nga nisja e saj është Xhejms  i cili pas topit të marrë nga Lilaj, shënon golin e dytë për korçarët që janë më të qetë në minutat në vazhdim.

Shkodranët tentojnë gjithçka, por arrijnë të shënojnë vetëm një herë në portën e Shehit me anë të Antonio Markut, dhe ndeshja shkon në 2-1, një rezultat që gjithsesi kualifkonte korçarët, tepër bujarë në golin e Vllaznisë, që u pa qartë se e gjeti "autostradë" para Shehit në minutat e fundit.

Me këtë rezultat janë korçarët ata që kalojnë më tej duke treguar që edhe kupa është objektiv i tyre, ndërsa për Vllazninë tanimë i gjithë fokusi është te kampionati ku ata do të synojnë mbijetesën në Kategorinë Superiore.


Laçi mbron avantazhin e ndeshjes së parë dhe kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë duke vijuar mision për të mbrojtur këtë trofe.

Partizani arriti ti fitojë 90 minutat e dyta falë një goli të shënuar nga Sukaj, por i pamjaftueshëm për të zhvlerësuar dy golat e Xhejms në ndeshjen e parë.

Ekipi i drejtuar nga Agostineli e nis në sulm ndeshjen, e thuajse gjatë gjithe pjesës së parë e ka mbajtuar skuadrën kurbinase në gjysmëfushën e vet, por pa mundur të jeënë efektivë në sulm.

Të kuqtë kanë rrezikuar me anë të Sukajt, ndërsa nga distanca kanë kërkuar të befasojnë Batha e Filipe, por pjesa e parë është mbyllur në barazim pa gola.

Pjesa e dytë ka të njëjtën panoramë, me Partizanin në kërkim të golit e Laçin që luan kujdesshëm  duke tentuar të mbrojë rezultatin e ndeshjes së parë.

Agostineli hedh në fushë edhe Raçiç, prej të cilit vjen pasimi i golit të parë për Sukajn që shënon në minutën e 65-të.

Serbi gjen në minutën e 80-të rrugën e rrjetës, por më parë është sinjalizuar pozicion jashtë loje për sulmuesin.

Ka ankth e emocione derinë fund të takimit, por nuk ka më gol, çka bën që laçianët të festojnë kualifikimin.

(Sportal.al)

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Rikthehet Champions League, PSG fiton ndaj Chelsea, por gjithçka vendoset në Londër
Champions League, Real Madrid dhe Wolfsburg pranë çerekfinales »
Article Logic
Execution time: 0.013940095901489
array(1) { ["section"]=> string(105) "flamurtari-kalon-tiranen-dhe-arrin-ne-gjysmefinalen-e-kupes-kualifikohen-kukesi-skenderbeu-dhe-laci-32846" }