Në janar u fol gjatë për ofertat që Interi kishte marrë për sulmuesin shqiptar Rei Manaj, i cili kishte nevojë të luante rregullisht, për t’u rritur si futbollist dhe për të treguar se vlen edhe për kombëtaren shqiptare.
Megjithatë, Frozinone, Sporting Gihon e shumë klube të tjerë morën përgjigje negative nga Interi, edhe pse Manaj në Milano ka pak hapësira, sidomos tani që është blerë edhe Eder, shkruan Sportal.
Tani agjenti i tij, Alberto Fontana, shpjegon: “Ka pasur shumë interesim për të, si në Itali, ashtu edhe nga jashtë, por si ne, ashtu edhe Interi, menduam se gjëja më e mirë për të ishte të rritej pranë kampionëve të mëdhenj”.
Manaj u tregua perfekt ditët e fundit, duke ndihmuar Interin të shkonte në finalen e Kupës së Italisë për të rinj: “Nuk mund ta mohojmë që është bërë një profesionist i shkëlqyer, në krahasim me 2-3 vjet më parë. E priti me kënaqësi kalimin te Primavera (të rinjtë e klubit), sepse përpiqet të shfrytëzojë çdo rast për të treguar sa vlen, vazhdon Fontana, i cili zbulon objektivin e Manajt.
“Ëndrra e tij është Kampionati Europian, por e di mirë që duhet të tregojë në fushë dhe jashtë saj se e meriton të shkojë”.