“FMTK” kërkon rindërtimin e shtëpisë së flamurit në Korçë, Kryeministria hesht

Publikuar tek: kulture-art, më 16:39 01-03-2016 “FMTK” kërkon rindërtimin e shtëpisë së flamurit në Korçë, Kryeministria hesht

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore i është drejtuar me anë të një letre kryeministrit Edi Rama, ku i kërkon rindërtimin e shtëpisë së flamurit në qytetin e Korçës, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Republikës Autonome në Korçë nga atdhetari Themistokli Gërmenji.

FMTK njofton se letra ka dy javë që i është dërguar Ramës por në mungesë të një reagimi prej tij apo stafit të Kryeministrisë, forumi ka vendosur ta bëjë atë publike. Në letër kërkohet shpronësimi i truallit privat mbi të cilin duhet të rindërtohet nga fillimi godina, kosto e së cilës arrin deri në  120.000 Euro.

“Trualli ku gjendej godina tashmë e shembur, është pronë private dhe do të ishte në nderin dhe në detyrimin e qeverisë shqiptare të ndërmerrte procedurat e shpronësimit të këtij trualli për interes publik. Vetë z. Peleshi, në cilësinë e kryetarit të atëhershëm të Bashkisë, e premtoi publikisht këtë procedim. Ky akt, i cili bëhet i domosdoshëm, pasi sipas legjislacionit shqiptar mund të kryhet vetëm nga qeverisja qendrore, do t’i hapte rrugë më tej financimit nga ana e Bashkisë Korçë dhe e donatorëve të tjerë të mundshëm të rindërtimit të godinës, sipas një preventivi të detajuar të hartuar, që kërkon një financim prej rreth 120.000 Euro”, thuhet në letër.

Më tej, FMTK shprehet se është e gatshme të organizojë një fushatë për mbledhje fondesh, për t’i vënë qeverisë në dispozicion një shumë të hollash.

Reagimi dhe letra e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore:

Pas dy javesh ne pritje dhe mungeses se nje reagimi nga Kryeministri apo stafi i tij, po vendosim te bejme publike letren e derguar nga Forumi mbi rindertimin e shtepise se Flamurit ne Korce, ne 100-vjetorin e kesaj ngjarjeje te rendesishme. Me poshte teksti i plote i saj.

Tiranë, më 16 .02. 2016

KRYEMINISTRIT

Z. EDI RAMA

TIRANE

Lënda: Rindërtimi i Shtëpisë së Flamurit, Korçë.

I nderuar zoti Kryeministër,

Ky vit shënon 100-vjetorin e një prej ngjarjeve gurë themeli të historisë shqiptare. Në dhjetor të vitit 1916 në Korçë u shpall Republika Autonome e Korçës nga atdhetari Themistokli Gërmenji.

Për fat të keq, godina symbol ku u shpall kjo ngjarje, godinë e cila përveç vlerës historike kishte edhe vlera arkitektonike, pasi mbijetoji për mbi një shekull dhe u nderua për shumë dekada rresht për historine që mbartëte, u shemb dhunshëm në korrik të vitit 2012.

Kishte vite që ajo ndërtesë lëngonte në gjendje të mjerueshme, por sidoqoftë mbahej në këmbë, ndërsa akti i fundit i papërgjegjshëm dhe i motivuar thjesht nga qëllime përfitimi të çastit, ja mohoi Korçës dhe gjithë Shqipërisë këtë tempull të shtetformimit.

Aso kohe Forumi ynë protestoi ashpër, duke kërkuar me urgjencë fillimin e punimeve për rindërtimin e saj. Gjithashtu i drejtuam në gusht 2012 një leter ish-kryeministrit z. Berisha, për ta nxitur në këtë drejtim. Kryeministri ngarkoi këshilltarin e tij z. Neritan Ceka, për ndjekjen e problemit dhe ne morëm kontakt me të duke diskutuar për situatën dhe rrugëzgjidhjet.

Pas këtij akti, ka pasur një ndërgjegjësim të dukshëm jo vetem nga qytetarë korçarë e nga intelektualë e studiues nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga Bashkia e Korçës e cila përmes kryetarit të saj të asaj kohe, z. Niko Peleshi, deklaroi se ishte e gatshme të ndihmoje në rindërtimin e këtij objekti me vlerë të jashtëzakonshme.

Gjithashtu, edhe një numër organizatash të shoqërisë civile, jo vetëm janë shprehur rreth kësaj humbje për kulturën kombëtare, por edhe janë ofruar të japin ndihmesën e tyre në këtë proces. Nga ana jonë, Forumi ndihmoi në realizimin e projektit të rindërtimit të Objektit, projekt i cili tashmë egziston i plotë dhe është miratuar edhe në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve.

Trualli ku gjendej godina tashmë e shembur, është pronë private dhe do të ishte në nderin dhe në detyrimin e qeverisë shqiptare të ndërmerrte procedurat e shpronësimit të këtij trualli për interes publik. Vetë z. Peleshi, në cilësinë e kryetarit të atëhershëm të Bashkisë, e premtoi publikisht këtë procedim.

Ky akt, i cili bëhet i domosdoshëm, pasi sipas legjislacionit shqiptar mund të kryhet vetëm nga qeverisja qendrore, do t’i hapte rrugë më tej financimit nga ana e Bashkisë Korçë dhe e donatorëve të tjerë të mundshëm të rindërtimit të godinës, sipas një preventivi të detajuar të hartuar, që kërkon një financim prej rreth 120.000 Euro.

Gjithashtu, Forumi është i gatshëm të fillojë një fushatë per mbledhje fondesh për këtë qëllim, duke vënë në dispozicion një shumë të hollash.

Shtëpia e Flamurit në Korçë, bashkë me shtëpinë e Pavarësisë në Vlorë dhe me atë të Kongresit të Lushnjës, janë tre godinat historike më të rëndësishme në historinë e Shtetit shqiptar. Zoti dhe fati bënë që ato të mbërrijnë deri në ditët tona dhe është detyrim i shtetit dhe qytetarëve shqiptarë që të ndihmojne në ruajtjen e tyre edhe për brezat që do të vijnë.

Zoti Kryeministër,

Në këto kushte kërkojmë një takim paraprak me Ju ose persona të ngarkuar nga Ju, për t’Ju paraqitur alternativat tona në mbarëvajtjen e këtij procesi, si edhe ndihmesën që mund të japë Forumi në përshpejtimin e procedurave të rindërtimit të këtij monumenti.

Në pritje të marrjes së kësaj nisme morale dhe detyrimi ligjor nga ana Juaj.

11659411_896255457157682_9183432033110264075_n.jpg

12814224_896255480491013_820543103668270186_n.jpg

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Mesazhet politike të Leonardo DiCaprio (VIDEO)
“Opera Awards”, Ermonela Jaho pjesë e çmimeve prestigjoze të operas »
Article Logic
Execution time: 0.004518985748291
array(1) { ["section"]=> string(81) "fmtk-kerkon-rindertimin-e-shtepise-se-flamurit-ne-korce-kryeministria-hesht-33936" }