Gazetari i njohur publikon libër: Kuptova sesa shumë miq e dashamirës kam...

Publikuar tek: kulture-art, më 10:40 30-04-2018 Gazetari i njohur publikon libër: Kuptova sesa shumë miq e dashamirës kam...

Gazetari i Vlorës Ergys Alushi ka publikuar libër. “Kampionët e Vlorës 1930-1990” titullohet libri i gazetarit.

Ndërsa dje ishte edhe përurimi i librit. Në një shkrim të gjatë Alushi falenderon të gjithë ata që e ndihmuan në realizmin e veprës, duke filluar nga kolegët gazetarë, kryetari i Bashkisë, shtëpia botuese dhe me radhë.

“Falenderimet i kam të shumta, ashtu siç edhe njëherë tjetër, dje, kuptova sesa shumë miq e dashamirës kam”, shprehet gazetari.

E plotë:

Falenderimet i kam të shumta, ashtu siç edhe njëherë tjetër, dje, kuptova sesa shumë miq e dashamirës kam.
Por, disa falenderime dua t’i veçoj.

Falenderimet e para janë për njerëzit që bashkëpunuan për përgatitjen e librit, si, Dhimitër Lati (design-arkitekt), Adriana Gjika (redaktore), Liljana Lame (konsulente) dhe StudioSai që printoi librin dhe Oltin e bar “Industry Lounge”

Falenderime për të gjithë Kampionët e Vlorës, që bashkëpunuan me mua për librin, duke dërguar kujtimet dhe fotot e tyre.

Falenderime për Bashkinë e Vlorës, që kontribuoi me një pjesë të financimit të botimit të librit, duke shpresuar në të tjera bashkëpunime, përsa i përket botimeve të memories historike të Vlorës, në fusha të ndryshme.

Faleminderit për të gjithë Kampionët që ishin dje në festë, për të gjithë familjarët e Kampionëve që nuk jetojnë më apo nuk mund të vinin, për të gjithë miqtë e dashamirësit e mi.

Faleminderit për kolegët gazetarë nga Tirana, që më nderuan jo vetëm me pjesëmarrjen e tyre, por edhe me fjalët e thëna, si Rezear Xhaxhiu, Aleksandër Çipa, Anila Basha, Fernanda Cenko.

Faleminderit Kryetarit të Bashkisë, Dritan Leli, që vlerësoi propozimet e mia e të një grupi vlonjatësh, për të vlerësuar me titullin “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”, kampionët e mëposhtëm:

1 Elida Xhindi
Notare
Për kontribut të shquar në sportin e notit, duke përfaqësuar denjësisht Vlorën me ngjyrat e ekipit të “Flamurtarit”, në vitet 1980-1990. Kampione e rekordmene kombëtare. Është fituese e 5 medaljeve ari në Spartakiadën Kombëtare, duke qenë e vetmja sportiste e Vlorës që ka arritur një rezultat të tillë. Ka thyer rekord kombëtar, për të rritur, në moshën 13 dhe 27 vjeçe, gjë e rrallë kjo për sportin e notit.

2. Vasilika Bejo
Notare
Në 4 tetor të vitit 1987, ajo do të bëhej e para femër në historinë e notit shqiptar, që do të përshkonte distancën Karaburun-Vlorë 12 km, për më pak se 3 orë. Është kampione dhe rekordmene në shumë kampionate kombëtare në vitet 1983-1990.

3. Krenar Luto
Mundje
Fitues, në peshën e tij, i vendit të parë në Spartakiadën e 5-të Kombëtare, të vitit 1984, duke fituar medalje ari. Fitues i shumë titujve në kampionatet kombëtare, kupat e Republikës dhe garat individuale.

4. Myslym Myslymi
Peshëngritës
Fitues i tre medaljeve të arta në Spartakiadën e 5-të Kombëtare, viti 1984, në peshën 75 kilogram. Disa herë kampion kombëtar dhe rekordmen. Ka qenë një nga peshëngritësit më të mirë shqiptarë të viteve 80-të.

5. Rexhep Rrapushi 
Qitës e trajner - 1956-1990
“Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Në vitin 1957 shpallet për herë të parë Kampion Kombëtar i Republikës së Shqipërisë në sportin e Qitjes. Në vitet 1957-1968, Rekordmen Kombëtar duke thyer dhe ngritur vazhdimisht rekordet e tij. Rekordmen dhe Kampion i pesë Spartakiadave Kombëtare, radhazi, në qitje. Në vitin 1983 fillon si trajner i ekipit Kombëtar në Kampionatin Ballkanik Stamboll, Turqi, ku ekipi zë vendin e parë (5 medalje ari).

6. Vllasi Opingari
Trajner i volejbollit për femra
Në vitin 1961 filloi si trajner i ekipit të volejbollit të femrave, duke qenë se kishte përfunduar Institutin “Vojo Kushi”, specializuar për lojërat me dorë. Vllasi Opingari, e drejtoi për 23 vjet ekipin e femrave të volejbollit të Vlorës, 1961-1984, duke fituar dy trofe, titullin Kampion në vitin 1965 dhe Kupën e Republikës në vitin 1979, duke i dhënë një emër të mirë këtij sporti në nivel kombëtar.

7. Ekipi i Basketboillit të femrave 1980-1990 dhe trajneri Petrit Setfa.
Me fitimin e titullit të parë Kampion në vitin 1977, “Flamurtari” theu mitin e “17 Nëntorit”. Që nga ky vit deri në vitin 1990, do të fitonte 7 herë titullin kampion kombëtar dhe 5 herë Kupën e Republikës, duke fituar kështu, mesatarisht, një titull në vit. Për herë të parë “Flamurtari” do të jetë ekipi shqiptar që do të marrë pjesë në një Kupë Kampionesh, në vitin 1980, kur u ndesh me “BSE” të Hungarisë.

8. Krenar Meçani 
Atlet 
Krenar Meçani, do të jetë i pari atlet i Shqipërisë, “Kampion Ballkani”, që fiton Medalje Ari Ballkanike, në garat e atletikës për meshkuj. Do të ndodhte në Kampionatin e 47-të Ballkanik të atletikës të zhvilluar në Seres, Greqi. Medalje Ari në garën e 3000 metrave, me pengesa, me kohën 8'43''26. Me këtë kohë të re theu Rekordin Kombëtar të vendosur nga xhaxhai i tij, Gëzim Meçani, në Greqi në vitin 1978.

9. Kastriot Malaj 
Atlet-trajner
Rekordi i tij, i hedhjes së shtizës, në Elbasan në vitin 1981, në largësi 72 metra është ende i pathyer deri sot. Kastriot Malaj është shpallur 13 herë Kampion Kombëtar, ka fituar tre herë Spartakiadën, 1979, 1984, 1989, ku ka fituar 2 Medalje Ari dhe 1 Medalje Argjendi.

10. Zhuljeta Muço 
Atlete
Ka qenë sportiste në atletikë, në vitet 1961 deri më 1968. 20 rekorde të thyera në pesëgarësh. “Mjeshtre Sporti” në vitin 1965, duke qenë e para vajzë vlonjate që vlerësohej me një titull të lartë në sport. Ka qenë atlete e dalluar dhe ka arritur rezultate të mira në një sërë garish, dhe veçanërisht në pesëgarësh, ku plotësoi edhe normën e Mjeshtres së Sportit, në Ballkaniadën e Bukureshtit, me rezultatin 3479 pikë. Anëtare ekipit kombëtar në vitet 1963-1968.

11. Tomor Dano
Notar
Kampion kombëtar dhe Rekordmen në gara kombëtare, duke përfaqësuar denjësisht “Flamurtarin” e Vlorës. Ishte pjesë e një brezi të talentuar notarësh vlonjatë që i dhanë tonin kampionateve kombëtare të notit, në vitet 1970-1990.

12. Agllai Thomai 
Radioamatorizëm
Kampione kombëtare në sportin e radioamatorizmit, duke qenë një nga sportet më të mira të Vlorës,dhe të vendit, për vitet 70-80.

13. Ilir Tafili 
Gjimnast – trajner
Fitues i medaljes së Artë në Spartakiadën Kombëtare të vitit 1979. Ka fituar disa tituj kombëtarë, me ekipin e mjeshtrave të “Flamurtarit”. Ka dhënë kontributin e tij edhe si trajner i ekipit të Mjeshtrave.

14. Ekipi i gjimnastikës për femra i viteve 1983-1990 me trajner Kostaq Gerveni
Fitues i disa Kampionateve Kombetare, katergoria e parë dhe e Mjeshtreve. Dallohen gjimnastet Yllka Çela, Albana DHima, Enkelejda Dumani, Adriatike Ago, Alketa Beshiri, Vjollca e Mbarime Belaj etj.

15. Lefter Dhiamandi
Trajner atletike 
Trajneri, që në vitin 1979, u vlerësua shumë për punën e mirë e me përkushtim, jo vetëm për zhvillimin e sportit të atletikës në fshatin e Nartës, por edhe përfaqësimin e qytetit të Vlorës në garat e ndryshme të atletikës me vajzat e Nartës. Këmbëngulës në stërvitje, të cilën e kryente mbështetur mbi plane të detajuara të stërvitjes.

16. Hilmi Haxhiraj 
Kanotazh
Kapiteni për disa vite i ekipit të kanotazhit “Flamurtari”, cili në vitet 1950-1960 e ka fituar shumë herë titullin kampion kombëtar në këtë sport.

17. Ekipi i futbollit “Flamurtari” i viteve 1980-1991
Ekipi ka fituar dy herë Kupën e Republikës, në vitet 1985 e 1988. Ka fituar titullin kampion në vitin 1990-1991. Superkupën në vitin 1991. Ka dalë disa herë finalist i Kupës së Republikës dhe nënkampion i vendit. Është e para skuadër shqiptare në futbollin shqiptar që, në vitin 1987, kaloi në turin e tretë të Kupave të Evropës, duke u ndeshur me “Barcelonën” e Spanjës.

18.Servet Aliko – alpinist
“Mjeshter I sportit”. Një nga alpinistët më të dalluar të Shqipërisë në vitet ’70, duke qenë nga të paktë alpinistë që ka ngjitur majat më të larta të vendit.

Kampionët e viteve 1930-1990 janë të shumtë.
Disa edhe janë vlerësuar ndër vite nga bashkia e institutcione të tjera.
Shumë të tjerë, ishin harruar pas vitit 1990, ku bashkë me Shqipërinë, u trazua e u harrua edhe sporti dhe historia e kampionëve të Vlorës.
Unë bëra kaq sa munda,
18 sportistë e trajner kampion të vlerësuar, nuk ka ndodhur kurrë më parë.
libri, është një mundësi e mirë për bashkinë e institucionet e tjera, që sa herë që do të duan të vlerësojnë sportistë kampion, mund t’i referohen shumë mirë librit e do t’i gjejnë aty të gjithë kampionët e rezultatet e tyre.
Është e kuptueshme, që do të ketë dhe të pakënaqur, të mërzitur, që “pse jo unë, e pse ai apo ajo”, por le të shpresojmë që 18 vlerësimet e para të jenë fillimi i një epoke vlerësimesh për të gjithë kampionët e harruar.
Unë jam i hapur për çdo sugjerim, për çdo paqartësi, për çdo harresë, për çdo saktësim, për t’i korrigjuar në vazhdimin e librit me Kampionët e viteve 1991-2020
Siguroj se nuk i kan mgrënë hakun askujt, meritat e rezultatetet, sepse nuk kam patur as interesin më të vogël, për ta bërë këtë gjë, përkundrazi, jam munduar që për tre vite rresht të mos më mungoj asnjë kampion.

Ju falenderoj edhe njëherë të gjithëve.

Dhe mos harroni!
Librin “Kampionët e Vlorës 1930-1990” do ta gjeni në librari “Endri”, përballë ambulancës qëndrore të Vlorës. 
Me numrin e kopjeve që u shitën dje, nuk kanë mbetur edhe shumë libra.

31454148_901005450059528_2538822127205744640_n.jpg

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Ditë e rëndësishme për aktorin e madh, Luftar Paja nderohet me çmim (FOTO-VIDEO)
»
Article Logic
Execution time: 0.027284145355225
array(1) { ["section"]=> string(79) "gazetari-i-njohur-publikon-liber-kuptova-sesa-shume-miq-e-dashamires-kam-118882" }