Gazetaria e cektësive ose keqraportimi

Publikuar tek: analiza-komente, më 10:16 10-02-2015 Gazetaria e cektësive ose keqraportimi

Tre lajme më bënë përshtypje të veçantë në javën që kaloi, në llapashitjen kaotike të dramës së ujrave të shpërthyer.

Lajmi i parë.

Një lloj konflikti, i stisur apo i vërtetë midis zyrave të Presidentit dhe atyre të Ministrisë të Jashtme, lidhur me kandidaturën e zotit Visar Zhiti, si ambasador i mundshëm i Republikës të Shqipërisë, pra jo i Arqipeshkvisë, në Vatikan, si shtet më vete që është.

E them që në fillim, unë mendoj se kandidati i plotëson kushtet më së miri për ta bërë më së miri atë detyrë. Pa diskutim, madje është i tejformuar për atë post të vockël gjyhnaqar. Nejse, kjo është bota jonë, ka shumë, madje doktorë shkencash që janë roje nate. Kot u ngatërruan jo katolik jo mysliman, të gjitha palët, pa pikë lidhje edhe ata që sulmojnë edhe ata që mbrohen. Por, edhe kjo ka pak rëndësi. Unë do të kënaqesha nëse zoti Zhiti do ta merrte atë emërim. Për shumë arsye. E ka për zemër, kjo jep edhe më shumë garanci.

Mirëpo raportimi i fjalës prezantuese të zotit Zhiti në komisionin parlamentar m'u duk shumë i cekët nga ana e mediave dhe e gazetarëve. Hajde sa për të shkuar radhën, pa sens të hollë vëzhgues, pa sens kritik, me tone deklarative, ec pas berihajt. Pse e them këtë. Sepse u raportua se në atë komision zoti Visar Zhiti e paska fokusuar detyrën e tij me përparësi te objektivi sublim për të bërë që Vatikani të pranojë statujën e Nënë Terezës në Romë dhe nderet bashkangjitur këtij akti. Unë nuk e di nëse kjo ishte vërtet një nga gjërat prioritare që shprehu kandidati. Nuk e besoj, por edhe mundet. Puna është se media aq raportoi. Dhe nuk u ndal pak në këtë. E pranon ose jo Nënë Terezën si statujë si imazh shenjtërimi, apo si person hierarkia kishtare e Vatikanit, kjo sipas meje është një mision i lartë brendafetar, por nuk ka të bëjë me detyrat dhe ngarkesën e një ambasadori si nëpunës laik i një shteti laik. Patjetër që Nënë Tereza është edhe një pasuri e kujtesës kombëtare që e tejkalon dimensionin fetar, pikërisht, por si e tillë nga shteti laik promovohet jo në Vatikan, por në hapësirën publike laike. Vatikani ka mekanizmat e tij dhe kjo është një mision mundet i katolikëve shqiptarë. Ambasadori shqiptar në Vatikan nuk përfaqëson katolikët, por as nga pak edhe katolikët, edhe bektashinjtë, dhe myslimanët, jo, përfaqëson shtetin laik të ndarë nga besimi. Në duhet bërë gjë me statujat, duhet parë se përse u hodh në plehra statuja madhështore e Nënës aty te Rinasi ku e kanë zëvendësuar me një tjetër, të vockël që s'e ka vendin aty, dhe duket si gjynah se do ta shtypim makinat.

Të shtypin këta ore, s'pyesin je katolik, mysliman, çam, çifut..., as se je i shenjtë ose jo, të vënë rrotën...

Pra, nuk është prioritet dhe media raporton gabim nëse ka qenë ashtu, ose në mënyrë jo kritike nëse citimi është i plotë.

Sa detyra të tjera laike ka ambasadori shqiptar në Vatikan : atje janë dokumentet shqiptare ose mbi Shqipërinë në shekuj që vetëm Kisha ka ditur t'i mbajë, a bëhet gjë që ato të dalin, përkthehen dhe botohen? Vatikani ka influencë shumë të madhe në Europë, a bëhet gjë që të ndikojë për avancimin e Shqipërisë drejt integrimit europian? Shqipëria është vend multifetar, a bëhet gjë që Vatikani të propagandojë si të kaluarën e krishterë të Shqipërisë, dhe jo vetëm komunitetin katolik të sotëm, si edhe bashkëjetesën fetare të Shqipërisë? Etj, etj. Këto do të thosha se janë detyra prioritare të shtetit laik në marrëdhënie me Vatikanit, sikurse edhe çështje pronash, dëmshpërblimesh, ndriçim i historisë shqiptare në dhe me Vatikanin, etj. Sepse mos harrojmë rolin gjeopolitik dhe forcën e presionit diploatik me rrugë të vetat që ka Vatikani kudo në botë. Kjo duhet bërë për vete.

Por, media nuk analizon në mënyrë kritike. Majftohet me "pro" ose "kundër" Zhitit, a thua se këtu mbeti i gjithë problemi.

Lajmi i dytë.

Dy policë dhe një grua rrihen me njeri tjetrin si "gabela" mu në mes të rrugës dhe dikush i filmon. Edhe ndodhin. Por, videoja, ndërsa kombi qullej nga poshtë e nga lart, bën xhiron në rrjetet sociale shqiptare dhe tërheq vëmendje të madhe. Edhe gazetarë shprehin indinjata, flasin për skandal, etj.

Bukur. Por, ka një parim në gazetarinë postgutenbergiane, postskënderbejane, se asgjë online nuk është e besueshme në vetvete. Asgjë, sepse si media jolineare, mediat dixhitale nuk e kanë fare problem ta rindërtojnë kohën dhe hapësirën si të duan, ta ndryshojnë dhe riformulojnë atë. Ata mund të jenë edhe aktorë që luajnë teatër për llogari të dikujt. Mundet që është edhe një lojë me kamera të fshehtë, thjesht për gallatë. Cdo gjë bën vaki. Sikurse thuhet në literaturën më bashkëkohore të informacionit asnjë lajm dixhital nuk ka kriter vërtetësie pamjet e shfaqura apo zërin e dëgjuar.

Përmbajtja e lajmit nuk është kusht epistemologjik i vërtetësisë së tij.

Unë nuk po them se puna me policët ishte një lojë, por një gazetar me dije minimale që del nga shkolla e gazetarisë këtë parim të dyshimit e ka si postulat bazë.

Studenti i gazetarisë dyshon, por gazetari nuk dyshon dhe debaton, nxehet ose skuqet për përmbajtjen, por nuk pyet nëse është përmbajtja është ose jo e vërtetë. Ohu ah, kush ka kohë! Gazetaria për ca është shih e shkruaj, e merr rrogën, sikurse për disa historiografia është shih se mos gjen ndonjë copë letër në ndonjë kosh plehrash, letër që s'e kanë të tjerët, dhe citoje parë e mbrapsht.

Nuk i përmbahen parimit se informacioni online duhet të çekohet nga burime offline. Nuk pyet njeri kush ishte kjo femra, nga vinte, kur erdhi në Tiranë, cila ishte targa e makinës të saj, përse doli nga makina, cfarë bënte me policët në mes të rrugës. Nuk intervistohet operatori, pse ishte aty, çfarë i tërhoqi vëmendjen që nxorri celularin nga xhepi, si e kishte emrin, ku e çoi dhe pse e çoi në televizion rregjistrimin e tij, a u pagua, etj. Po policët nga vijnë, si e kanë emrin, çfarë karriere kanë pasur, cfarë shkolle kanë, cfarë bëjnë të dy aty në mes të rrugës, çfarë domethënë se janë pezulluar, me cfarë urdhëri, përsa kohë, a vazhdojnë ta marrin rrogën, etj.

Hollësira, siguriiiiiiiiisht! Por, djalli te hollësirat fle, pse ku fle, në krevat?

Gazetaria e cektësirave fle gjumë.

Lajmi i tretë

Mediat greke botojnë sipas tyre një letër që kryetari i këshillit të ministrave të Shqipërisë i ka dërguar (supozohet) zotit Tzipras duke e ftuar për vizitë në Shqipëri. Gjëja më normale në botë. Mirëpo prisni se edhe këtu keqraportimi ose gazetaria e cekësive nxjerr kokën dhe na shfaqet hapur. Prita se mos ndonjë gazetar shkon në kryeministri dhe pyet : Ore është e vërtetë kjo letër apo do ta përgënjeshtroni??? Hiç o fare. Mjaftohen që mediat greke kanë dhënë një lajm, japin lajmin e lajmit dhe kaq. Ohu aaaa!!

Nuk pyesin, ore pse kryeministria nuk ja ka dhënë edhe medias shqiptare këtë letër ftesë në momentin që u dërgua?

Media greke e jep letrën e kryeministrit tonë kurse mediat shqiptare nuk e japin!!! Ka një gjë këtu që nuk shkon. Mirë që kjo nuk u bë, dhe ndofta ka arsye të forta që nuk u bë, pajtohem, por si nuk venë tani gazetarët dhe të kërkojnë tekstin e plotë të letrës. A ja u japin a jo, kjo është punë tjetër, mbase dhe gjykohet se nuk duhet dhënë, kuptohet, por gazetari kërkon mo, nuk fle, gumëzhin si miza mo, nuk rri si lepur që ha lakra në ferra...

Po prit se ka edhe më. Mediat greke japin ca citate pak me kripë e limontoz nga letra e supozuar e kryeministrit tonë. Sa dinakë që bëhen edhe ata! Citojnë në mënyrë të shkëputur se sipas letrës të ardhur edhe pala shqiptare i bashkohet palës greke me kërkesën për një rimodelim të politikave të Bashkimit Europian lidhur me çështje sociale, etj, për një rishikim të tyre lidhur me periferinë dhe shprehet edhe një farë kritike ndaj Europës së qendrës, pra Gjermanisë, Francës, etj, për një braktisje të periferisë ballkanike të saj.

Mirë Greqia si vend antar mund të ndikojë në ndryshimin e tyre, por Shqipëria që ende nuk pranohet në fshat, si do të kërkojë të martohet me djalin e priftit?

Lajmi është aty gazetarët flenë dhe merren me pesë çuna që bllokojnë një makinë pa targa e tërci e mërci. Cfarë bëhet kështu??? Do të kemi ne respekt për informacionin që i japim qytetarit apo do merremi vetëm me lajmet që i kuptojmë mirë si kapjet për veshi, grushtet, bllokimet, shpullat në rrugë etj.

Letra është aty. Nuk ka të keqe që shefi i qeverisë shpalos nuanca kritike ndaj Bashkimit Europian. E drejta e tij. Mbase edhe ka të drejtë. Nuk gjykoj dot. Por, nuk është ky problemi. Problemi është që gazetari shqiptar duhet të gdhihet te dera e kryeministrisë me kamera e mikrofon në dorë derisa të marrë përgjigjen e pyetjeve : Pala shqiptare është kritike ndaj politikave europiane ndaj Shqipërisë? Mendon se do të bëjë aleancë me Greqinë e zotit Tzipras kundër kapitalit bankar europian të vendosur në Gjermani? Ndan të njejtat qendrime si ai për një mobilizim rrezistence të periferisë tê Europës kundër qendrës të saj?

Asgjë nuk dihet, çdo politikë është sovrane, edhe legjitime mund të jetë, s'është vendi këtu të debatojmë këtë, por e kemi fjalën se gazetari nuk thellohet, media qendron në sipërfaqe.

Epo në shkollë pesë vite rrjesht i mësojnë të kundërtën, të hulumtojë, thellohet, gërmojë, të jetë cinik me të vërtetën, të dyshojë edhe për pallton e vet, të shtrojë pyetje, të mos bëhet budallë, rrotë, e teveqel, por të bëhet grenxë për të marrë përgjigje, jo kështu.

Por, nuk është çështje formimi profesional thjesht, është politikë redaksionale e mjaft mediave që kujtojnë se kanë dy burimet e informacionit kur raportojnë qendrimin e dy partive politike kundërshtare dhe kaq, dhe harrojnë se kanë cituar dy burime të gabuara dhe të njëanshme lidhur me vërtetësinë e informacionit, dy burime në konflikt interesi. Nuk i bëjnë këto gazetarët e rinj, i bëjnë kryesisht, "ujqit e vjetër". E dinë zanatin ata. Nuk ngelën t'ua mësoj unë i gjori !

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.11617183685303
array(1) { ["section"]=> string(43) "gazetaria-e-cektesive-ose-keqraportimi-2901" }