Gianni De Biasi: Ende herët të flitet për Euro2016, rinovuam ekipin, ndaj erdhi ndryshimi

Publikuar tek: sport, më 10:33 14-06-2015 Gianni De Biasi: Ende herët të flitet për Euro2016, rinovuam ekipin, ndaj erdhi ndryshimi Trajneri i kombetares shqiptare Gianni de Biasi

De Biasi shpreson te drejtësia në Lozanë pas pak ditësh, si dhe zbulon anën “shqiptare” të tij. Euforia dhe festa e fitores për Armeninë është fashitur tashmë dhe De Biasi është një njeri i qetë, që ka ardhur në Tiranë për një vizitë dyditore, për t’u kthyer më pas në Itali. 

Ai thotë se Parisi dhe Franca janë ende larg se për t’u kualifikuar për në Euro 2016 ka ende shumë për të bërë. Për De Biasin, Kombëtarja po korr tani frytet e punës së bërë gjatë viteve të para si trajner i kuqezinjve dhe nuk është thjesht çështje fati.

- A ka filluar t’i shohë De Biazi konturet e Parisit që këtu nga Tirana?

– Jo, sigurisht që jo, sepse jemi ende në mes të rrugëtimit tonë dhe prandaj nuk e shohim dot akoma me sy Parisin dhe duhet të qëndrojmë këtu, me këmbët në tokë. Në shtator kemi dy ndeshje shumë të vështira, më datë 4 me Danimarkën dhe 7 me Portugalinë, dhe këto janë me të vërtetë dy sfida duhet t’i kapërcejmë.

- Po çfarë ka ndryshuar tek kjo Shqipëri, që tashmë me ju e sheh veten më pranë se kurrë më parë shkuarjes në fazën finale të një veprimtarie madhore futbollistike ndërkombëtare?

– Ka ndryshuar ajo që kemi punën e dy viteve të mia të para, ku, sipas meje, kemi bërë një punë të mirë për rinovimin e grupit të lojtarëve dhe kemi arritur të gjejmë lojtarë të mirë, që po punojnë për grupin dhe po japin gjithçka për Kombëtaren tonë.

- Thonë që fati ndihmon guximtarët, por a do ta cilësonit veten me fat që keni ardhur me Shqipërinë në prag të një arritjeje historike, apo këtë e keni menduar që ditën e parë që jeni ulur në stolin kuqezi…?

– Fati gjithmonë është aty dhe të ndihmon, sidomos kur është i mirë. Por unë besoj se ju e mbani mend që kur erdha në Shqipëri, po mbyllej një cikël i kësaj skuadra, ishin shumë lojtarë të rëndësishëm, të tillë si Bogdani apo Lala, të cilët po e mbyllnin me fanellën kuqezi dhe prandaj ishte një periudhë e vështirë. Dy vjeçari i parë nuk ka qenë i lehtë, por besoj se kemi bërë një punë të mirë dhe prandaj edhe presidenti Duka vendosi të na ofrojë rinovimin e skuadrës. Pra, më tepër sesa fati, ka qenë të punuarit me seriozitet dhe rigorozitet dhe për një projekt të së ardhmes.

- Ju kanë kritikuar shpesh, sikundër ndodhi edhe në ndeshjen e fundit, atë me Armeninë, që, për më tepër që jeni edhe italian, ju keni prioritet mbrojtjen dhe mospësimin e golit dhe se, sikundër është vërejtur shpesh, po të guxoni më tepër me zgjedhjet dhe skemat tuaja, kjo Kombëtare kuqezi e gjen më shpejt dhe më bindshëm golin dhe fitoren…?

– Më duket normale që të ketë kritika, sepse të gjithë trajnerët e Kombëtares kritikohen, qoftë ku fitojnë, qoftë kur humbin. Unë besoj që nëse kritikat vazhdojnë kështu, unë jam i kënaqur sepse ato tregojnë që gjërat po shkojnë mirë. Por besoj se një skuadre që të ecë përpara, një skuadre si Shqipëria, i duhet të ruajë baraspeshën, prandaj nuk duhet të rrezikojmë duke u hedhur në sulm dhe duke prishur ekuilibrat, sepse rrezikojmë të bëjmë një figurë të keqe ndaj skuadrave si Danimarka apo Portugalia, që janë skuadra mjaft të mira teknikisht sesa ne dhe të ndëshkojnë.

- Një numër lojtarësh kuqezi, siç është rasti i kapitenit Cana, nuk po kanë minuta të mjaftueshme me klubet e tyre. A përbën ky një problem për De Biasin dhe si keni menduar ta zgjidhni…?

– Qartësisht, ku një lojtar luan normalisht, për mua do të ishte shumë mirë, por, në anë tjetër, kur luajnë shumë, rrezikojnë të dëmtohen apo të humbasin formës, sepse janë të lodhur dhe të stërmunduar. Për shembull, është e vërtetë që Cana nuk po luan rregullisht te Lacio, por në stërvitje ai përkushtohet sikur të ishte në një ndeshje dhe vjen tek ne më i freskët dhe më në formë.

- Jemi vetëm pak ditë larg vendimit të Lozanës, e për më tepër pak ditë pas vendimit të UEFA-s për ndeshjen Mali i Zi-Rusi. A mendoni se ka drejtësi për vendet e vogla apo të mëdhatë do të vazhdojnë të bëjnë ligjin…?

– Kemi një shpresë, një shpresë se do të vendoset drejtësia. Besoj që ajo që ndodhi me Rusinë në Malin e Zi mund të jetë një motiv për ne për të shpresuar që do të bëhet drejtësi. Në Beograd, ne nuk u krijuan kushtet për të bërë një ndeshje normale dhe prandaj shpresoj që në Lozanë të vendoset drejtësia, sepse ajo humbje në tavolinë që na dha UEFA na penalizon, sepse kjo humbje, është e vetmja që ne kemi pësuar në këto Eliminatore. Pra, na ka mundur vetëm Disiplina.

- A është supersticioz De Biasi dhe a keni ndonjë ritual apo praktikë, qoftë kjo edhe fetare, që ndiqni përpara apo edhe gjatë ndeshjeve…?

– Dua ta sqaroj njëherë e mirë për të gjithë, që në Elbasan kam shkuar në Kishë sepse ishte e diela e Pashkëve përpara dhe sepse po kalonte një procesion dhe dikush më ftoi nëse doja të shkoja në kishë. Për kortezi shkova, por unë jam katolik, por nuk jam shumë praktikues i fesë. Përveç kësaj, nëse shkoj në kishë, i lutem Zotit për shëndetin e time bije, sime shoqeje dhe të miqve të mi dhe jo për fitoren e Shqipërisë apo për një ndeshje futbolli. Zotin e kam për punë të tjera dhe jo për futbollin.

- Pra, nuk jeni supersticioz?

– Dikur kam qenë supersticioz, por tani për tani, supersticioni është diëka që nuk u përket botës sime.

- Përtej pasaportës shqiptare, në konferencat tuaja për shtyp, të krijohet ideja se ju kuptoni shqip më tepër sesa ç’e tregoni në të vërtetë. Është e vërtetë kjo dhe nëse po, ku është De Biasi me gjuhën shqipe…?

– Për mua, pasaporta shqiptare ishte një vlerësim për punën që unë kam bërë për këto 3 vjet e 3 muaj që jam në Shqipëri. Mund të them se jam shndërruar në një ambasador për promovimin edhe të Shqipërisë si vend dhe besoj që kjo i ka shkuar në vesh presidentit Nishani, të cilin e falënderoj, dhe jam mirënjohës për këtë dhuratë që mu bë.

- Po përsa i përket gjuhës?

– Sa i përket gjuhës, për punën që bëj dhe për faktin që lëviz shumë nëpër Evropë, më duhet më shumë gjuha angleze sesa shqipja, ndonëse, kudo që të shkoj, do ta gjej një shqiptar.

- A keni menduar të jetoni në të ardhmen “full-time” në Shqipëri dhe a keni menduar të investoni këtu në shtëpi, biznes apo pasuri të patundshme…?

– Një shtëpi tjetër?! Kam boll (qesh). Nuk e kam menduar të jetoj këtu, sepse më duket më e leverdishme ekonomikisht, që duke qenë se lëviz mjaft, të nisem nga Italia, ku kam edhe familjen.

- Çfarë është ajo që ju pëlqen dhe ajo që nuk ju pëlqen veçanërisht për Shqipërinë dhe shqiptarët…?

– Ka gjëra për shqiptarët që më pëlqejnë e të tjera që nuk më pëlqejnë. Shqiptarët më pëlqejnë se janë miqësorë, si italianët e dikurshëm, jam mikpritës dhe bujarë me mikun dhe kjo më pëlqen. Një nga gjërat që nuk më pëlqen është se në mjedise publike ende pihet duhan dhe kjo më acaron.

- A e dini që ju kanë pagëzuar me një emër shqiptar (Gani Abazi) dhe si ju është dukur kur e dëgjuat…?

– Besoj se është diçka humoristike, por në pasaportën time shqiptare shkruhet Gianni de Biasi. Sidoqoftë, pagëzimi me këtë emër ishte diçka simpatike dhe e çmoj si të tillë.

/AlbanianSport.net/

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Sportisti Elis Bakaj u jep lamtumirën lojtarëve të ekpit të Tiranës
Xherdan Shaqiri kthen buzëqeshjen te Zvicra, pas fitores me Lituaninë »
Article Logic
Execution time: 0.036041021347046
array(1) { ["section"]=> string(92) "gianni-de-biasi-ende-heret-te-flitet-per-euro2016-rinovuam-ekipin-ndaj-erdhi-ndryshimi-13528" }