“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e shpëtoi Ismail Kadarenë nga regjimi

Publikuar tek: kulture-art, më 17:49 11-11-2015 “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e shpëtoi Ismail Kadarenë nga regjimi

Dokumentet sekrete, kur Sigurimi i Shtetit dhe Komitetit Qendror i  PPSH sulmonin shkrimtarin Ismail Kadare janë përbledhur në librin “Kadareja i denoncuar” i gazetarit Dash Kaloçi.

Dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-se, të klasifikuara “Tepër Sekret”, me procesverbale të mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve; analiza, kritika, dëshmi, raporte, relacione, akuza e denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, të papublikuara më parë. Gazetari dhe studiuesi Dashnor Kaloçi, promovoi librin e tij “Kadare i denoncuar”, botim i UET Press. Ky libër sjell fakte nga dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare. Në këto dokumente kanë vënë firmën ish-ministrat e kohës, Kadri Hazbiu dhe anëtarë të Byrosë. Gjatë promovimit folën avokat Spartak Ngjela, shkrimtari dhe studiuesi Sadi Bejko dhe botuesi Henri Çili. Ata vlerësuan punën e gazetarit Kaloçi në zbulimin e arkivave dhe sjelljen e së vërtetës para publikut. Dokumentet sekrete të nxjerra në këtë libër përfshijnë një hark kohor relativisht të gjatë nisur prej vitit 1962 deri më 1982, që përkojnë me dokumentin e parë me të cilin hapet libri dhe atë të fundit, mbylljen në vitin ‘82. Dokumentet dalin për herë të parë nga arkivat dhe japin një panoramë të funksionimit të shërbimit sekret, ku jo të gjitha i takojnë ekskluzivisht Kadaresë. Botuesi Henri Çili tha se “Kadare është një temë shumë e diskutuar para dhe pas komunizmit, në mediet ndërkombëtare dhe vendase. Ne besojmë se hapim një diskutim mbi dokumente autentike, edhe pse duhet thënë se studiuesi Shaban Sinani ka botuar para disa vitesh dhe elementë të tjerë në shtyp, një libër, por dokumentet ishin të paplota”.

Ndërsa avokat Spartak Ngjela foli mbi pozicionin e vështirë që kishte Kadare në regjimin komunist. “ Ismail Kadare ka një meritë, që s’ka asnjë vepër që të jetë zhdanoviste , asnjë. Dhe problemi është si e kanë pranuar, përse është pranuar, unë them që e ka thyer me talent. Talenteve të mëdhenj, edhe diktatorët e mëdhenj u trembeshin. Nuk është problemi nëse Ismail Kadare ka qenë një i përkëdhelur i diktaturës, siç thonë të patalentuarit. Në Rusi, në kohën e Carit thoshin se ka dy carë: Një ishte Tolstoi dhe tjetri vetë Cari. Kështu duhej thënë edhe këtu. Ismail Kadare shpëtoi nga fati, sepse “gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u bë bestseller në Francë dhe në Perëndim. dhe Enver Hoxha nuk ishte aq budalla, sa të mos kapte as këtë, që nuk mund t’i lejonte vetes një disident në përmasa perëndimore. Por Kadareja ka qenë në luftë, sepse del edhe nga libri që është fenomen në ambientin shqiptar. Në një ambient oriental është fenomen perëndimor. Letërsia shqipe nuk ka qenë lindore deri në momentet kur erdhi komunizmi, por komunizmi donte t’i jepte një ngarkesë shterpë që ta shfrytëzonte për veten, me anë të një metode sovjetike që u quajt realizëm socialiste, por që ishte zhdanovizëm.

Kadareja ka një konflikt të madh me Ministrinë e Brendshme, pro nuk del shumë saktë në libër. Duhet të gërmoni se atje i keni dhe nuk kishte sesi, sepse ishte ajo lufta e madhe mes një talenti dhe antitalentit që përfaqësonte regjimi. A.Pipa e ka thënë i pari në kritikën që i bëri veprës “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” dhe e tha shumë bukur “ Fakti që kjo vepër letrare ka vlerë letrare është kundër regjimit”. Në fakt kjo është maksimë e njohur sot. Nuk është çështja që je kundër regjimit se ka dalë dhe ke folur kundër tij. Ke krijuar metodë në funksion të një lirie. Kështu e kam parë unë“, tha ndër të tjera ai.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « John Newman vjen në Tiranë, ja detajet e koncertit madhështor
Shqipja më e vjetër se greqishtja, Ja si kanë evoluar gjuhët indo-europiane (Video) »
Article Logic
Execution time: 0.017356872558594
array(1) { ["section"]=> string(74) "gjenerali-i-ushtrise-se-vdekur-e-shpetoi-ismail-kadarene-nga-regjimi-25192" }