Gjergj Meta përplaset me Mentor Kikinë: Më ke hutuar, duhet të thellohesh më shumë

Publikuar tek: fcb-bomb, më 19:20 13-09-2016 Gjergj Meta përplaset me Mentor Kikinë: Më ke hutuar, duhet të thellohesh më shumë

Dom Gjergj Meta ka kundërshtuar shkrimin e gazetarit Mentor Kikia me titull “Nënë Tereza, më e madhe si njeri sesa si Shenjtore”. Meta shprehet se është hutuar nga ai shkrim ndërsa i konsideron të cekëta njohuritë e autorit me raportin fe-shkencë.

Sipas Metës, Kiki aka gjithashtu një concept të ngushtë rreth idesë së mrekullisë, për të cilat u shenjtërua Nënë Tereza.

Reagimi i Dom Gjergj Metës:

Një koment ky i Mentor Kikisë që, ndërsa ngre lart figurën e Nënë Terezës si një njeri i mirë, më la pak të hutuar, jo aq për përmbajtjen se sa për cektësinë me të cilin përballet autori me raportin fe-shkencë. Mund të kuptoj që autori nuk është i thelluar në këtë raport, i cili nga koha e Galileut e deri në kohën e Enciklikes "Fides et ratio" të Gjon Palit II, ka pesuar një evolucion historik të madh, por trajtimi i një raporti të tillë në kohët e sotshme më së shumti kërkon disa njohuri bazë larg klisheve të tipit "feja opium për popujt:". Gjithashtu mosnjohja e procesit të kanonizimit në detajet e tij justifikon nga ana tjetër autorin kur ka një koncept të ngushtë rreth idesë së mrekullisë e sidomos për faktin që ndër analizuesit e fenomenit ka një grup shkencëtarësh mjekë të cilët japin vlerësimin e tyre rreth asaj çfarë ka ndodhur. Sigurisht ata nuk thonë nëse ka pasur mrekulli apo jo (nuk është puna e tyre kjo), por ata thonë që me shkencën mjekësore kjo gjë është e pamundur të ndodhë, por ja që ka ndodhur dhe ne nuk dimë ta shpjegojmë. Nuk po zgjatem më shumë, sepse kështu i marr kohë leximit të vetë artikullit nga ana e lexuesit.

Shkrimi i Mentor Kikisë:

Nënë Tereza, më e madhe si njeri sesa si Shenjtore

Ajo që ndodhi në Vatikan më 4 Shtator ishte një ngjarje e madhe, historike, për Shqipërinë. Natyrisht jo më shumë për fenë, ku ne spikasim për bashkëjetesë, por për promovimin e një Shqipërie tjetër, ndryshe nga ajo e lajmeve. Asnjëherë më parë nuk ishte folur e kënduar Shqip dhe për shqiptarët në vendin ku përmes religjonit lëvizen edhe gurët më të rëndë të politikës globale. Hera e fundit që ekranet më të mëdhenj të Botës kishin folur masivisht për Shqipërinë, kishte qenë viti 1997. Kuptohet, jo për mirë!

Por le të zbresim pak në tokë.

Nënë Tereza u shpall Shenjtore, madje me procedurë të përshpejtuar. Sepse, ndër të tjera, kishte shëruar edhe një njeri me kancer, vetem duke u lutur për të. Por, a është e vërtetë kjo? Ata që i besojnë fesë verbërisht mund të mos e vënë në diskutim konkluzionin e Vatikanit. Por, për të tilla raste duhet të konsultohemi edhe me shkencën, dhe atëherë përgjigja është “jo”. Pasi, nëse kjo ndodh një herë, mund të ndodhë disa herë dhe atëherë do të kishim zgjidhur një problem të madh të njerëzimit. Në betejën mes fesë dhe shkencës, historia ka treguar se feja ka fituar, por shkenca ka patur të drejtë. “E megjithatë është Toka që rrotullohet rreth Diellit”- tha Giordano Bruno, kur Kisha e dogji në turrën e druve. E megjithatë kanceri nuk mund të shërohet dot me lutje, edhe pse Nënë Tereza është një shenjtore tani për këtë arsye.

Gruaja e vogël me shpirt të madh e ngriti misionin e saj duke besuar vetë tek Jezu Krishti dhe u shërbeu të varfërve në emër tij. Por ajo ishte një shenjtore, pa qenë nevoja të shpallej e tillë, pa qenë nevoja të krijoheshin mitet e mrekullive të rreme nga Vatikani. Ajo ishte njeriu që humanizmin e shndërroi në një fe të re. Ajo nuk ringjalli të vdekurit, duke i vënë dorën mbi ballë, por iu gjend pranë dhe ndërtoi një mekanizëm botëror për të ndihmuar ata që ishin ende gjallë e që kishin nevojë. Ajo ishte më e madhe dhe më e dobishme në tokë se sa Shenjtorët në qiell. Por Kishës i duhen simbolet, i duhen mitet ndaj dhe njeriun e mori dhe e bëri Perëndi.

Në fakt Perendive nuk para u bie rruga të kalojnë atyre anëve ku dallimet e mëdha sociale kanë bërë që miliona njerëz të vdesin nga uria dhe sëmundjet. Perëndive nuk u bie rruga të kalojnë andej ku të varfërit nxiten të luftojnë e të shqyejnë njëri-tjetrin në emër të Perëndive, ndërsa të pasurit u thithin naftën dhe pasuritë e tjera. Perëndive nuk u bie rruga të kalojnë andej, ku diktatorët dhe despotët shtypin dhe shfrytëzojnë popujt e tyre dhe nga tribunat u drejtohen duke thënë: Zoti e bekoftë popullin tonë. Perëndive nuk u bie rruga të kalojë andej ku etja dhe babëzia për pasuri e atyre që nuk ngopen, po shkatërron më shpejtësi të frikshme globin, duke përshpejtuar fundin e ciklit të qytetërimit të radhës në tokën tonë.

Por “këtyre anëve” kalojnë njerëz të thjeshtë e të mëdhenj që ndërtojnë kauza, që i kushtojnë jetën e tyre humanizmit, luftës për drejtësi, luftës për liri, mbrotjes së popujve dhe denoncimit të padrejtësive. Nënë Tereza ishte njëri prej tyre, ndër më të mëdhenjtë mes tyre. Dhe ata janë katolikë e ortodoksë, myslimanë, budistë, hindu, apo edhe ateistë. Shenjtërimi është një politikë e Vatikanit, për të treguar se vetëm katolikët mund të jenë të tillë, apo që të jesh i tillë duhet të jesh patjetër një katolik.

Por Nenë Terëza ishte vetëm një njeri dhe ajo i shërbeu e i shërben Botës edhe sot, më shumë si njeri sesa si Shenjtore. Ajo i shërben Botës si modeli njerëzor për të frymëzuar gra dhe burra anëembanë globit, pavarësisht besimit fetar, për të frymëzuar të gjithë ata që luftojnë kundër padrejtësive dhe vuajtjeve, ata që mbështesin të varfërit dhe të munduarit, ata që bëhen simboli i luftës për liritë dhe të drejtat e njerëzve të shtypur.

Njerëzit janë realë. Ndërsa Perënditë janë “atje” ku mendojnë ata që besojnë se ato janë. Botuar ne Gazeta Shqiptare

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.035009860992432
array(1) { ["section"]=> string(86) "gjergj-meta-perplaset-me-mentor-kikine-me-ke-hutuar-duhet-te-thellohesh-me-shume-52807" }