Veprimi i Leo Messit pas golit të fitores që i shënoi Realit në sfidën e djeshme me Barcelonën i kushtoi atij një karton të verdhë, por edhe një "lumë" ofendimesh nga ana e fansave madrilen.
Sulmuesi argjentinas realizoi në minutën e 92-të, hoqi fanellën dhe ua tregoi atë tifozëve të Real Madrid.
Një gjest, i cili i bërë nga ana e Messit duket i çuditshëm, për faktin se "pleshti" njihet si një prej futbollistëve më "fair-play" dhe aspak provokues.
Por përse një reagim i tillë nga Messi? "Sport.es" raporton se ishin disa arsye që e detyruan sulmuesin e Barçës të shpërthente në atë mënyrë festimi dhe t'iu tregonte më pas edhe fanellën e tij, tifozëve të Realit.
Goditja që mori në fytyrë nga Marselo dhe që i shkaktoi gjakderdhje, kartoni i munguar në këtë rast në dëm të mbrojtësit të Realit, kartoni i kuq që nuk iu akordua Casemiro-s, provokimet me fjalë gjatë ndeshjes dhe ndërhyrja brutale e Sergio Ramos në dëm të tij, goli i barazimit të përkohshëm (2-2)i shënuar nga James Rodriguez, ishin disa nga arsyet, të cilat bën që Messi të dilte nga vetvetja.