Gjyqtarë ndeshjesh të korruptuar, rasti Tirana

Publikuar tek: analiza-komente, më 13:03 23-02-2016 Gjyqtarë ndeshjesh të korruptuar, rasti Tirana

Nga Adriatik Dosti

As që e vë në diskutim faktin që “Skënderbeu” i Korçës prej disa vitesh është skuadra më e mirë e futbollit shqiptar. Eshtë klubi sportiv më i mirëorganizuar, është ekipi që luan futbollin më të bukur e argëtues e si rrjedhojë, me plot meritë është për disa sezone radhazi Kampione e merituar e Shqipërisë. Por duke ndjekur me vëmendje ndeshjen e së hënës së 22 shkurtit zhvilluar në Korçë për Superligën mes korçarëve e bardhë e bluve të Tiranës, duke lënë mënjanë simpatinë personale e duke folur e gjykuar krejtësisht me paanësi, logjikë të ftohtë e thjesht si njeri i sportit, por edhe si një njohës i shkëlqyer e një interpretues po i tillë i rregullores së futbollit për vite e vite me radhë, konstatova se pjesa më negative e këtij takimi ishte pikerisht gjykimi i tij. Ishte pikërisht gjyqtari Koçi që mendoj se ja prishi bukurinë, seriozitetin, korrektesën e padyshim i privoi në rezultat futbollistët kryeqytetas të trajnerit Daja. Ishte plotësisht e saktë penalltia e dhënë në favor të korçarëve që më pas u shndërrua në gol nga Salihi. Por ishte saktësisht e njëjta lloj ndërhyrje, e njëjta kategori faulli e mbrojtësit korçar ndaj sulmuesit tiranas pak minuta më vonë, pra penallti e qartë dhe fare e pastër e që në mënyrë banale, flagrante, inkompetente e pse jo edhe të qëllimeshme iu mohua bardhë e bluve .

Gjykime të tilla tendencioze vëren fatkeqësisht rëndom e rëndom gati në çdo javë të Superligës shqiptare duke ia zbehur vlerat e vërteta e bukurinë kësaj loje, e duke evidentuar haptazi inkompetencën e tendenciozitetin e disa gjyqtarëve që vetëm të tillë nuk meritojnë të quhen. Nuk është fjala se këtë radhë nga një gomarllëk i një bilbilaxhiu u penalizua Tirana, por po kështu është vepruar me papërgjegjësi këto javet e fundit ndaj Partizanit, Vllaznisë, Flamurtarit etj, pa folur për diskriminimin që ju bëhet të vegjëlve e të pakrahëve si Tërbuni apo edhe Bylis.

Mendoj se FSHF e sektori përkates i gjykimeve pranë saj duhet ndalur urgjentisht në kësi rastesh sa pa ju ikur ende situata nga dora, pasi gara sapo vjen e po nxehet, si në luftën për titull, aq edhe për pjesmarrjen për në Kupat e Evropës, apo qoftë edhe për ato ekipe që luftojnë për mbijetesë në Superligë. Askujt nuk mund t’i lejohet më e t’i tolerohet të tallet në mënyrë kaq banale me djersën e futbollistëve, me milionat e hedhura nga Presidentët e drejtuesit e klubeve, apo edhe me ndjenjat e tifozëve që sakrifikojnë jo pak për të ndjekur ekipet e tyre të zemrës. Me sa e kam ndjekur Superligën shqiptare, dhe për hir të së vërtetës jo pak, personalisht pohoj publikisht se pjesa më e degjeneruar e saj sot për sot është pikërisht ajo e Gjykimeve dhe e gjyqtarëve, ç’ka më bën të besoj se jo pak prej tyre janë të korruptuar e të përfshirë në afera të pista që vijnë erë të keqe xhambazlliku. 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.032926082611084
array(1) { ["section"]=> string(51) "gjyqtare-ndeshjesh-te-korruptuar-rasti-tirana-33315" }