Grabitjet masive të bankave rrisin rezikun operacional, BSH: Bashkëpunojmë për zbardhjen e rasteve dhe eliminimin e mangësive

Publikuar tek: ekonomi, më 14:30 04-10-2016 Grabitjet masive të bankave rrisin rezikun operacional, BSH: Bashkëpunojmë për zbardhjen e rasteve dhe eliminimin e mangësive

Ndër 5 ekspozimet e sektorit bankar ndaj rrisqeve të veprimtarive, Banka e Shqipërisë rendit dhe ngjarjet grabitjeve masive të bankave ku u cënua siguria e transportit dhe ruajtjes së vlerave monetare.

 Banka thekson domosdoshmërinë e forcimit të procedurave për administrimin e rrezikut operacional. BSH, nxit bashkëpunimin midis bankave dhe autoriteteve të zbatimit të ligjit, për zbardhjen e rasteve konkrete dhe marrjen e masave për eliminimin e mangësive.  

Në deklaratën e sistemit financiar të 6 mujorit të parë banka theksoi se janë 5 rrisqe ndaj të cilave ky sektor është i ekspozuar.

a) Rreziku i kreditit njohu rritje gjatë periudhës. Vlera e kredive me probleme u rrit me 11.7% dhe raporti i kredive me probleme në sektorin bankar u ngjit në nivelin 20%, në krahasim me 18.2% në fund të vitit 2015. Kontributin kryesor në këtë rritje të kredive me probleme e ka dhënë kredia për bizneset, kredia në valutë dhe ajo e dhënë në afat të mesëm.

b) Rreziku i likuiditetit në veprimtarinë bankare vlerësohet i ulët.

Duhet pasur në vëmendje fakti që pesha e burimeve shumë afatshkurtra të sektorit bankar, në formën e llogarive rrjedhëse dhe të depozitave pa afat, vijon të rritet. Kjo ecuri dikton ruajtjen e niveleve të larta të aktiveve likuide dhe ndikon negativisht në ecurinë e të ardhurave nga interesat.

c) Sektori bankar është i ekspozuar në mënyrë të ndjeshme ndaj rrezikut të tregut (ku përfshihen rreziku i kursit të këmbimit dhe ai i normës së interesit) pavarësisht uljes së madhësisë së ekspozimit gjatë periudhës.

d) Ngjarjet e periudhës ku u cenua siguria e transportit dhe ruajtjes së vlerave monetare, tregojnë për domosdoshmërinë e forcimit të procedurave që zbatojnë bankat për administrimin e rrezikut operacional. Këtu duhet të përfshihet jo vetëm siguria fizike, por edhe ajo elektronike e informatike, të cilat janë me rëndësi kritike për zhvillimin e një veprimtarie bankare të sigurt.

Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë nxit bashkëpunimin midis bankave dhe autoriteteve të zbatimit të ligjit, për zbardhjen e rasteve konkrete dhe marrjen e masave për eliminimin e mangësive. Më në përgjithësi, për administrimin e rrezikut operacional, Banka e Shqipërisë thekson nevojën për një qasje tërësore, ku vlerësimi i rrezikut operacional të mbështetet mbi ndikimin që ai sjell në reputacionin, në strategjinë dhe në financat e institucionit, si edhe mbi një analizë të plotë të mundësisë së ndodhjes së rrezikut.

Mbi bazën e tyre duhet të ngrihet dhe të zbatohet sistemi i kontrollit, ku cilësia e procedurave, përputhshmëria me to dhe përshtatshmëria e të gjithë infrastrukturës mbështetëse të procesit, të bëhet pjesë e testimit të herëpashershëm dhe të vlerësimit të rregullt nga strukturat e posaçme të bankave.

Banka e Shqipërisë thekson se do të forcojë veprimtarinë e saj mbikëqyrëse dhe rregullative, në drejtim të verifikimit dhe vlerësimit të sistemeve të administrimit të rrezikut operacional nga ana e bankave, mes të tjerash, edhe duke rritur peshën që ka ky proces në vlerësimin e përgjithshëm të bankave dhe posaçërisht të strukturave drejtuese të tyre.

e) Prania e ndjeshme e bankave të huaja në vend si edhe ekspozimi i sektorit bankar me jorezidentët, ruan nevojën për monitorimin e afërt të zhvillimeve ndërkombëtare. Tregjet financiare evropiane treguan një rritje të luhatshmërisë në veprimtarinë e tyre, në vijim të rezultatit disi të papritur të “Brexit”.

Lëvizjet më të mëdha ishin në tregjet e këmbimit të valutave, ku monedha britanike u nënçmua me shpejtësi. Humbja e vlerës së monedhës britanike, mund të shoqërohej në afat të shkurtër me rënie të vlerës së produkteve bankare shqiptare në këtë monedhë.

Nga analiza e kryer, Banka e Shqipërisë vlerësoi se ky efekt ishte minimal, pasi kredia dhe depozitat e publikut në monedhën britanike ishin në vlera të papërfillshme. Gjithashtu, edhe investimet e sektorit bankar shqiptar në monedhën britanike në formën e vendosjeve (llogari, depozita) apo në tituj ishin mjaft të kufizuara.

Në një afat më të gjatë, ndikimi i Brexit mbi ekonominë shqiptare do të përcaktohej nga vëllimi i marrëdhënieve tregtare. Analiza tregoi se eksportet, importet, investimet e huaja dhe dërgesat e emigrantëve me destinacion apo origjinë Mbretërinë e Bashkuar, ishin në çdo rast më pak se 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke kufizuar mjaft ndikimin e padëshirueshëm nga Brexit.

Duhet theksuar gjithashtu se procesi i daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian do të kërkojë kohë dhe përmban pasiguri. Megjithatë, masat e marra nga autoritetet monetare dhe fiskale në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Evropë për të siguruar që ky proces të kryhet sa më normalisht dhe pa shkaktuar luhatshmëri të theksuar në treguesit ekonomikë dhe financiarë respektivë, do të sjellë zbutjen e ndikimit që ky proces mund të kishte për vende të tjera.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.023580074310303
array(1) { ["section"]=> string(129) "grabitjet-masive-te-bankave-rrisin-rezikun-operacional-bsh-bashkepunojme-per-zbardhjen-e-rasteve-dhe-eliminimin-e-mangesive-55049" }