“Grahma e fundit” e uzinës së floririt shqiptar!

Publikuar tek: kulture-art, më 14:18 06-11-2018 “Grahma e fundit” e uzinës së floririt shqiptar!

RUBIK. Krenaria e industrisë shqiptare, aty ku prodhohej bakri i pasur shqiptar e që merrte udhë për të prodhuar telin e Shkodrës, por dhe ku çdo vit afro 1, 5 kv ar në linkota dërgohej për në bankën e shtetit, tashmë ka ulur kokën dhe pret dedikun e “ceremonisë mortore”, që e artikulojnë “demolim”.

 

Gjithçka ka heshtur në atë vend buzë lumit Fan, përballë qytetit të vogël të Rubikut, repartet e zhurmshme të qindra punëtorëve nga më të specializuarit në Ballkan për prodhim bakrit blister dhe të metaleve të çmuara, tashmë janë në agoni të plotë dhe vetëm gjinkallat përreth duket se këndojnë “kangën e trishtimit”.

Pashk Marku, drejtues i uzinës së Rubikut, që tashmë drejton nja katër pesë roje, ndihet keq nga ajo që përjeton çdo ditë, ndërsa e kujton ardhjen si inxhinier këtu në moshën 23 vjeç dhe tani që e ka kaluar moshën 60 vjeçare, i duhet thjeshtë të bëjë drejtuesin e rojeve në një uzinë që repartet e saj i ka kthyer në magazinë dhe “varreza” makinerish, nëpër të cilat ka kaluar konvejeri i përpunimit dhe rafinimit të bakrit deri në produktin e fundit, bakër dhe metale të çmuara.

Ai thotë se humbëm në betejën tonë për ta ruajtur uzinën, për t’ia përshtatur tregut të hapur, edhe pse u nënshkruan tre kontrata me kompani të huaja të interesuara për zhvillimin e industrisë së bakrit në vendin tonë. Tani jemi në likujdim në kuadër të Albakrit.

Ecim si gjeneralë “fronteve” pa ushtarë...

Kalojmë në repartet e kësaj uzine, duke nisur nga reparti i bimetalit, aty ku prodhohej një aliazh prokat, çelik me dy fletë bakri mbuluar nga sipër që përdorej për industrinë e mbrojtjes, çeliku dhe tunxhi prodhonin gëzhojat në Poliçan. Reparti ku punonin mbi 50 punëtorë hesht, punëtorët roje i kanë ruajtur makineritë për dy dekada me idenë se një ditë mund të vazhdojë kjo punë, ndaj makineritë janë konservuar të paprishura, por ka qenë thjeshtë një iluzion për ta. Tashmë ai vend është kthyer në magazina të mëdha, ku mblidhen material e makineri nga gjithë filialet e Albakrit.

I biem përmes rrugës kryesore me trotuare të hijshme dikur, ndërsa na “sfilojnë” para dhe anash nesh, repartet me radhë. Repartet janë të vendosura anash një ambjenti të jashtëm, i cili të mahniste për planvendosjen e kësaj uzine, rrugët, rrugicat, pemët dhe lulishtet e shumta, por që sot gjithçka është drejt shkatërrimit të plotë. “Kishim një brigadë të tërë që kujdesej për këto ambjente, ndaj gjithçka ndriste këtu”,- thotë drejtori.

Anash rrugës kryesore reparti i petëzimit të ftohtë , ku petëzohej tunxh për prodhim fishekësh, një teknologji kineze e viteve 1965-66.

Më poshtë, vjen kaldaja e madhe që furnizonte me avull gjithë repartet, por që ishte në gjendje të furnizonte gjithë qytetin e Rubikut, projekt që mbeti thjeshtë si ide në kokën e inxhinierëve novatorë , edhe pse dimrat e këtushëm kanë qenë të ashpër.

Reparti i elektrolizës është vendosur poshtë rrugës kryesore. Dy repartet, elektroliza dhe ai i rafinimit me flakë ishin “zemra” e kësaj uzine. Këtu përpunohej bakri i ardhur nga fabrikat e shkrirjes, metalurgjia, që sot nuk i ka mbet as nami e as nishani, madje dhe oxhaku kryelartë është zhdukur nga faqja e dheut para pak vitesh. (ndër shkritoret më të hershmë shqiptare)

Këtu bakrit të ardhur nga shkritorja, i bëhet një rafinim i parë me flakë për t’i rritur pastërtinë, derdhej ne forma te përshtatshme për ta kaluar më pas në rafinimin elektrolitik, ku bëhej pastrimi i plotë, duke përftuar bakër në treguesit cilësorë 99,95%, i cili kthehej dhe njëherë për t’i bërë një përpunim termik dhe më pastaj nisej për në uzinën e telave në Shkodër.

Reparti i elektrolizës ka pamjen e një varreze të madhe të sistemuar simetrikisht me vaskat që, si për ironi të fatit, të japin pamjen e arkivolëve. Por këtu ishte vendi i punës intensive dhe rreth orës 12 të ditës që konçiduam aty, rojet na rrëfejnë se ishte kulmi i punës para disa vitesh. Sot heshtje varri! Prodhohej asokohe rreth 15 ton bakër në ditë. Merrej bakri nga reparti i rafinimit dhe futej në këto vaska dhe cilësia nga 99, 7 shkonte në 99,95 përqind, standard ndërkombëtar për prodhimin e telave. Punohej në ambjente acidi dhe temperature të lartë, sidomos në muajin e verës, por punëtorët ishin entuziastë dhe shpërbleheshin mirë për kohën.

Ka patur profesionistë të vërtetë, madje specialistët e Rubikut, e kanë transmetuar përvojën e tyre si me shkritoren, ashtu dhe rafinimin në flakë, edhe në ngritjen e shkritores së Kukësit, industrinë e bakrit në Laç, por dhe metalurgjinë e Elbasanit për nikel-kobaltin, pasi kishte ngjashmëri si punë.

Inxhinieri drejtor na spjegon se këtu prodhohej bakri katodik me 99,95 përqind bakër. Ai thotë se kemi patur probleme të karakterit teknologjik të bakrit tek rafinimi për të sjellë vetitë fizike, pasi ndotej nga pikëpamja kimike, ndaj kur u vendos uzina e Laçit në punë, bëmë koperim, thuajse “kopje” si jona. Atje dërgohej bakri blistër nga Rubiku, Kukësi dhe vetë repartet aty, pastaj rafinimi me flakë i bakrit blistër dhe bakri i rafinuar që prodhohej ndahej në dy pjesë, gjysma përpunohej në uuzinën e Laçit dhe gjysma në uzinën e Rubikut. Prodhohej rreth 15 mijë ton së bashku. Më tej, i gjithë bakri katodik grumbullohej në Rubik, ku bëhej rafinimi me flakë. Bakri i rafinuar vajerbas i përftuar, dërgohej për prodhimin e telave në Shkodër. Meqenëse uzina ishte më e specializuar dhe duhej një punë më e hollë, dora e fundit e gjithë bakrit nga Shqipëria i jepej në Rubik.

Tek reparti i shllamit

Pikërisht, në këto vaskat e elektrolizës, dilte lënda e parë për arin dhe metalet e tjera të çmuara. Gjatë pastrimit të bakrit të rafinuar, d.m.th. bakrit blistër të përpunuar, i cili përmbante brenda ar, argjend selen, telur apo mbetje të tjera të padobishme, ato grumbulloheshin në fund të këtyre vaskave për t’u dërguar më pastaj në repart tjetër.

Jemi pikërisht në atë që quhej “reparti i sllamit”. Edhe sot për të hyrë aty, na duhet të presim kërcitjen e 3 palë çelësave dhe si instikt, edhe sot çelësat nuk i ka vetëm një punëtorë-roje, por tre, ashtu si dhe vite më parë. Metalet e çmuara janë ruajtur me fantizëm, me specialist e punëtorë të besuar ekstrem dhe me kontroll të imtë.

Ky vend kishte marrë fuqinë e mitit, - thotë Pashku. Dikur më pyesnin punëtorët jashtë a njerëz të mi të afërt: “Ae prek me dorë arin?”! Ata nuk e dinin se pa e prekur me dorë, ai nuk prodhohej, por ishte hermeciteti që na ka shoqëruar për dekada të tëra.

Procesi teknologjik këtu donte kualifikim shumë të lartë. Ka procese të holla, ndaj zgjidheshin më të talentuarit e të dijshmit për fushën.

Edhe sot janë linjat që tregojnë, pak a shumë, gjithë procesin e kryer, deri tek produkti ar apo metale të tjera të çmuara. Ka disa linja. Shllami që vinte nga elektroliza sulfatizohej, që metalet të kalonin nga të patretshme në të tretshme, d.m.th. për t’i kaluar në sulfate, të cilat më pas kaferdiseshin në një furrë të posaçme. Krahas kësaj, i merrej seleni, një produkt i mirë në shitje. Prodhimi që dilte nga kjo furrë kalonte në linjën e finjizimit, d.m.th. në linjën e shpërlarjes, ku të gjithë metalet e kaluara në sulfate treteshin dhe metalet e çmuara koncentroheshin në një brumë rreth 30-35 përqind metale të çmuara. Pas këtij procesi, materiali kalonte dhe shkrihej në një furrë tjetër. Nga shkrirja, merrej një prodhim që quhej durometal, ose ar dhe argjend së bashku, me pak plumb, rreth 95 përqind e metaleve të çmuara. Dhe derdhej në koroxhol grafiti të sjellë nga Kina. Më pastaj, derdhej në forma. Prej këtu, kalonte në elektrolizën e argjendit, fillimisht merrej argjendi dhe përsëri ari merrej në formën e një shllami. Ndërkaq, argjendi merrej i pastër dhe derdhej në kallëpë, me standard teknik që plotësonte kushtet e tregut, ndërsa shllami që depozitohej, siç e pamë tek reparti i elektrolizës së bakrit, merrej dhe punohej për prodhimin e arit.

Ky shllam trajtohej, përpunohej dhe shkrihej dhe ai në ca forma dhe kalonte në elektrolizën e arit. Merrej ari i pastër dhe përsëri merrej një shllam dhe një solucion i pasur me metalet e grupit të platinit. Ari prodhohej në standard, kurse mbetjet që mbesnin trajtoheshin sërish për të prodhuar kripa platini, palladiumi, të cilat kalonin në treg. Këtu prodhohej ari, argjendi, platini, palladiumi,seleni. Gjithsesi, tej legjendave urbane, Pashku thotë se ari në prodhimin e përgjithshëm të ndërmarrjes, kishte një vlerë jo aq të madhe sa përflitet. Ishte produkti i bakrit që dërgohej për tela që e kishte këtë vlerë determinuese.

Magazinimi i arit

Jemi në repartin e shllamit të elektrolizave, ku përfundonte procesi i prodhimit të arit. Këtu bëhej dhe adiministrimi, peshohej, standardizohej, ambalazhohej dhe bëhej gati për ta nisur në destinacion. Në asnjë ambjent si këtu, nuk mund të lëvizej pa tre vetë njëkohësisht. Për efekt të ruajtjes dhe administrimit të këtyre vlerave, kishte një rregullore të përpunuar me firmën e ministrit.

Sektori elektrolitik i arit dhe argjendit ka mbetur si ditën e fundit, kur çdo gjë, makineri e proces pushoi. Këtu durometali derdhej në ca forma të vecanta, futej në vaska të posaçme dhe rafinohej, pastrohej, argjendi dilte shumë i pastër në formën e një pluhuri, merrej dhe shkrihej në një furrë tjetër, kurse shllami që precipitonte merrej dhe përdorej si lëndë e parë për prodhimin e arit.

Më tej, ky shllam shkrihej, derdhej në ca forma dhe kalonte në elektrolizën e arit. Duket ende një furrë induktive ku futej metali në poçet e grafitit, shkrihej si argjendi, ashtu dhe ari dhe derdhej në linkota.

Këtu prodhohej 120-140 kg ar në vit dhe 1,5 deri 1,7 ton agjend në vit, si dhe 4-5 ton selen dhe disa tonelata minerale të tjera të çmuara. Ari dhe argjendi dorëzoheshin ne bankën e shtetit, kurse seleni në tregun e hapur për eksport.

“Dhoma kasafortë”

Është tejet e ngushtë, por krejt e padepërtueshme, tamam si një bunker, pa dritare, vetëm një derë të blinduar që dhe sot hapet me një çelës kod dhe tre palë çelësa të tjerë. Kodi i asaj kohe mbahej nga drejtori dhe kodi operativ nga përgjegjësi i turnit.

Edhe këtu, rreptësisht, hyhej me tre vetë njëherit, administrimi i arit dhe argjendit bëhej nga përgjegjësi, inxhinieri dhe magazinieri i repartit.

Në një raft, duket peshorja me saktësinë e të 10 mijtat e gramit, peshonte deri në 20 kg. Mbart lavdinë e të peshuarit të gjithë floririt dhe argjendit shqiptar. Vitet e fundit pati një sistem monitorimi me kamera, ku janë stivuar një dyzinë kasetash VHS të ruajtura me kujdes edhe sot për të vërtetuar çdo lloj dyshimi.

Lëvizja e floririt bëhej me eskortën e bankës së shtetit; vitet e para është bërë dhe nga vetë uzina, ndërsa vitet e fundit me punonjës të bankës, por shpoqëruar me tre punonjës të kësaj uzine, polici, etj. Mbi linkota stampohej “Uzina e Bakrit Rubik”, përmes një vule që ruhet ende në një qoshk aty.

Statistikë që flet…

Para viteve ’90, si ndër industritë më të vjetra në vend, ajo e bakrit ka funksionuar me cikël të plotë, duke realizuar një shfrytëzim kompleks të lëndës së parë dhe një gamë të madhe produktesh e konkretisht: mineral dhe koncetrat piriti, bakër elektrolitik, bakër vajerbars, tela dhe kabllo, aliazhe bakri, tunxh dhe bronz bllok, fletë tunxhi, acid sulfurik, ar dhe argjend, selen teknik dhe të rafinuar, sulfat bakri, skorje furre e granuluar dhe fraksionuar, etj.

Në këtë periudhë prodhohej çdo vit rreth 1 milion ton mineral bakri e piriti, 50 mijë ton koncentrat bakri, 12 deri 15 mijë ton bakër elektrolitik, 8 deri 10 mijë ton tela dhe kabllo, 20 deri 25 mijë ton acid sulfurik, 3 deri 4 mijë ton tunxhe dhe bronze, etj.

Përqëndrimi i saj ishte në veri te vendit, në rrethet Mirditë, Pukë, Kukës, Shkodër, Kurbin, ku ziheshin me punë rreth 12 mijë veta, pa përfshirë këtu shërbimin gjeologjik.

Dhe përveç plotësimit të nevojave të vendit, kjo industri ofronte disa produkte të saj në eksport, si mineral piriti, bakër elektrolitik, katankë dhe disa dimensione të telave të bakrit, selen teknik dhe skorje të granuluar dhe fraksionuar. Vetëm nga metalet e çmuara realizoheshin çdo vit të ardhura neto rreth 1,5 deri 2 milion dollarë, pa marrë parasysh faktin se disa sektorë të ekonomisë e në veçanti industria e prodhimeve artistike, furnizohej me fletë tunxhi e argjend nga uzina e bakrit Rubik, prodhimet e të cilës ishin mjaft të preferuara për tregun vendas dhe eksport.

Niveli i prodhimit të bakrit ishte optimal, krahasuar edhe me vende të tjera prodhuese, po të përdorim indeksin e prodhimit për frymë të popullsisë e konkretisht Polonia, si prodhuese e dytë në Europë me rreth 400 mijë ton në vit, realizon 1 ton bakër për 100 banorë, ndërsa vendi ynë rreth 1 ton për 200 banorë.

Të humbtë vula!

Një vulë ruhet ende aty në dhomën kasafortë. Me atë vulë për dekada të tëra është stampuar mbi linkota floriri: “Uzina e bakrit Rubik”, por nëse nuk e ka më vlerën e atij stampimi të përditshëm, së paku duhet të ketë një vlerë historike.

Është ngacmimi përmes imazhit që përftojmë duke e kryer këtë proces, teksa gjithçka, më së paku në këtë repart të fundit, mund të ishte një muze bakri dhe floriri për industrinë që “çau bllokadën” për 50 vite e që i mbajti shqiptarët me bukë në momentet më të këqija, por gjithçka po shkon drejt shuarjes aty, jo vetëm si ekonomi, por dhe histori.

Makinat e kompanive të huaja që u ra fati nga shitja e minierave, nuk do hyjnë më në portën e kësaj uzine-legjendë për të qenë një përfitim edhe më i madh për qytetarin shqiptar, pasi me siguri do kalojnë përmes autostradës së re m’u bri kësaj uzine, me bakrin e maleve shqiptare drejt e në fabrika të huaja, jashtë vendit, bashkë me bakrin e pasur, por dhe floririn shqiptar e metale të tjera të çmuara që barku i pasur i nëntokës i mban prej mijëra vitesh me aq bujari për gjeneratat e bujtësve të këtij vendi.

Së paku, një muze të bakrit këtu në uzinën e krenarisë së industrisë shqiptare, do ishte përligjja e mundit e mijëra gjeologëve, minatorëve, flotuesve, rafinuesve, metalurgëve, të burgosurve politikë që punuan në të vetmin burg-minierë të Europës, punonjësve e drejtuesve të një gjenerate të tërë të lidhur pazgjidhmërisht me bakrin, që kësaj uzine dhe këtyre brezave, më së paku, mos t’u thuhet: Të humbtë vula, vula e historisë mitike e bakrit dhe arit shqiptar!

*(Ripublikuar- Gjergj Marku. Kryq e tërthor ne Shqiperi te Eperme)

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Tedi Papavrami rikthehet në Tiranë pas 4 vitesh
»
Article Logic
Execution time: 0.17234396934509
array(1) { ["section"]=> string(52) "grahma-e-fundit-e-uzines-se-floririt-shqiptar-140474" }