Gruaja e Bolinos, Alba Malltezi pas sulmeve nga Berisha: Çfarë thotë Karlo nëse e pyet për Mero Bazen

Publikuar tek: fcb-bomb, më 23:38 09-01-2016 Gruaja e Bolinos, Alba Malltezi pas sulmeve nga Berisha: Çfarë thotë Karlo nëse e pyet për Mero Bazen

Nëse Karlo Bolinon, pronarin e Report TV dhe Shqiptarja.com, e pyet për gazetarin Mero Baze, atëherë ai do të thotë se është gazetari që shkruan më qartë në Shqipëri. Një gjë të tillë e bën me dije Alba Malltezi, gruaja e Bolinos e cila e thotë këtë duke iu referuar një shkrimi të Bazes të titulluar: “Çfarë fshihet pas fushatës së Berishës kundër gazetarëve”.

“Nëse pyet Karlon për Mero Bazen thotë se është gazetari që shkruan më qartë në Shqipëri. As nuk e njeh personalisht, as ka pirë ndonjëherë kafe a dreka me të, madje konfliktet e mëparshme njihen nga të gjithë... Por çdokush ka vendin e tij, fatin dhe jetën e tij... Interpretimi që Mero Baze i ka bërë sulmeve të fundit të Berishës ndaj gazetarëve, ndaj Karlos, më duket në fakt i vetmi shpjegim i mundshëm, duke kërkuar gjithë këto dite se përse Berisha shpif dhe sulmon pa asnjë arsye... Po. Une kam publikuar me shumë dëshire fotot me Presidentin Nishani me gjithë mirënjohjen për pasaporten shqiptare, por dhe për respektin që tregon për zërat e ndryshëm në gazetari. Sic ne, për shembull. Por Berishës nuk i pëlqejne këto vlerësime?.... Mundet, por ne nuk jemi në gabim...Shqipëria do të jetë më e mirë sidomos duke dëgjuar, lexuar dhe respektuar mendimin ndryshe. Mjaft më me servilat e lajkatarët. Janë një kategori që sjellin vetëm fatkeqësi, si për ata që janë në pushtetin e radhës, si për kolegë, fqinjësi a krushqi”, shkruan Malltezi.

Shkrimi i Mero Bazes

"Ka një fushatë të Sali Berishës kundër disa gazetarëve të rëndësishëm në vend, duke nisur nga Carlo Bolino, e duke vazhduar me Blendi Fevziun e Andi Bushatin. Sulmet kanë qenë të njëpasnjëshme, në formën e një fushate, të egra, të pacipa, të pabaza, të pagëlltitëshme dhe të pashpjegueshme, si shumë nga marrëzitë e Berishës.

Por, nëse e shikon më me qetësi atë çfarë po i ndodh Berishës dhe mënyrën si ai i ka ndërtuar në vite raportet personale me gazetarët, ka një shpjegim logjik përse ai po sulmon këta gazetarë. Ata nuk po sulmohen as se janë të majtë, as se janë të djathtë, as se janë të korruptuar, as se janë të ndershëm, as se janë të lidhur me krimin, as se nuk janë të lidhur me Zenin, as se janë me ndikim në opinion, as se nuk kanë rëndësi.

Të tre gazetarët e njohur, pavarësisht mospajtimeve që mund të ketë kushdo, janë zëra të rëndësishëm të gazetarisë shqiptare këto 25 vjet. Dhe si të tillë, ata pavarësisht pozicioneve që kanë kundrejt Berishës, kanë bërë kujdes të ndërtojnë raportet e tyre me Partinë Demokratike dhe njerëzit rrotull Berishës, duke thyer mitin që PD është vetëm Berisha.

Është kjo arsyeja që Sali Berisha kërkon t’u japë një mesazh publik vartësve të tij, që formalisht i ka shefa të tij, të mos bëjnë miq, njerëz që ai nuk i do.

I pari në listë është Carlo Bolino. Bolino ka qenë konstant në raportet me Berishën si kritik i tij, ose më mirë të themi, Berisha ka qenë konstant në raportet me Carlon si armik i tij. Nuk e ka dashur kurrë, e ka zbuar nga Shqipëria, e ka përndjekur, ka tentuar ta përdorë politikisht dhe ka dështuar, dhe në vitin 2011 ka pritur më gëzim që biznesmenë afër tij, të blinin median që Carlo drejtonte për llogari të një shoqërie italiane.

Deri këtu gjithçka ishte në rregull. Bolino rihapi një gazetë dhe një TV tjetër dhe është ende prezent dhe faktor në shtypin shqiptar. Por, një muaj më parë ndodhi diçka. Bolino u fotografua në Presidencë në krah të Bujar Nishanit, mori dhe shtetësinë shqiptare dhe duket se ka një qasje pozitive dhe dashamirëse me Nishanin në medien e tij, duke e respektuar atë gati – gati si president. Kjo është një gjë që Berisha nuk ta fal lehtë. Natyrisht ai ja ka bërë me dije Nishanit mosaprovimin për këtë që ka bërë, por që kjo gjë të mos përsëritet, ai e sulmoi Bolinon publikisht dy herë rresht, për një tender të dekoderave dixhital, në të cilën Bolino as ka konkurruar dhe as ka fituar ndonjë gjë. Po të fitonte, nuk ishte krim, se Sandri nuk ka lënë gjë pa marrë në çdo pushtet, por në këtë rast Berisha ka bërë kujdes që ta sulmojë fare kot, sipas stilit, “po i bie Bolinos të dëgjojë Nishani”!.

Dhe me siguri Nishani tani është i më i qartë për gabimin e tij.

I njëjti problem është dhe me dy gazetarët e tjerë, Fevziu dhe Bushati. Për ata që janë hutuar nga sulmi dhe që nga ana tjetër i quajnë të dy gazetarët më shumë mbështetës të PD, se sa PS, shpjegimi gjendet tek Lulzim Basha. Ky i fundit është shumë i afërt me të dy gazetarët. Vitin e fundit, Bushati është mysafir i rregullt thuajse çdo muaj i drekave me Lulzim Bashën dhe një person me të cilën Basha ndan plot shqetësime të tij privatisht. Lapsi.al është një mbeshtetëse pa hezitim i PD dhe Bashës, dhe në fushatën e fundit, nëse u referohesh monitorimeve, është faqja më agresive kundër kandidatit të PS për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Informacionet e saj janë shpesh të konsultuara në dorë të parë nga zyra e Bashës dhe janë në një gjatësi vale me të.

Por, për të ruajtur konsekuencën e vet anti-Berishë, Bushati ka qenë i ndershëm në kritikat e tij për PD, që duhet të heqë dorë nga trashëgimia e Berishës dhe nga shkolla e baltosjes së gjithçkaje që bën ai. Ai këtë e thotë si tezë për të ndihmuar Bashën, të shkëputet nga Berisha.

Është pikërisht kjo arsyeja, që duke sulmuar Bushatin, që realisht është gazetari më pro Bashës në publik, edhe për shkak të miqësisë së tyre të vjetër si bashkëmoshatarë në Tiranë, Berisha është duke i dërguar mesazh Bashës, të mos punojë me armiqtë e tij, por të mbajë distancë prej tyre.

Është kjo arsyeja që ai sulmon aq egër Bushatin, edhe pse mbi gjysmat e daljeve publike të Berishës kanë marrë shkas nga lajmet që Basha infiltron tek Lapsi. Në të vërtetë, nëse ka ndonjë gjë që Basha e bën mirë, është pikërisht përpjekja e tij për të diversifikuar rrethin e tij shoqëror dhe duke mos importuar vetëm rrethin e Berishës. Dhe kjo e ka tërbuar Berishën.

I njëjti fenomen është dhe debati me Fevziun. Prej konfliktit që Fevziu pati me Berishën gjashtë muaj para zgjedhjeve, përse lejoi Saimir Tahirin të sulmonte Argitën në emisionin e tij, raportet e tij me Berishën u ftohën, por Fevziu arriti të ndërtojë raporte personale me Bashën. Pas zgjedhjes së tij si kryetar i PD, Basha shkoi në studjon e Fevziut dhe Top Channel-it, duke thyer disa tabu që kishte vendosur Berisha. Edhe pas sherrit të Bashës me Frangajn për lejen e pallatit 13 kate tek hyrja e Parkut Kombëtar, përballë Fakultetit Histori- Filiologji, kur raportet Basha – Frangaj u përkeqësuan, raportet e Fevziut me Bashën u forcuan. Ai e ftoi Bashën në studio dhe pas betejës për “Lagunën Blu”, ku Basha ishte në një linjë me gazetën “TemA”, që sulmoi Frangajn. Basha shkoi tek Klani i pritur vetëm nga Fevziu, ndërsa ditën që e sulmoi PD,  TV Klanin, Berisha shkoi në ABC Neës, në shenjë solidariteti me Frangajn.

Pas kësaj, raportet e Fevziut me Bashën u thelluan dhe ata janë në kontakt të përditshëm, duke konsultuar shumë qëndrime publike të Bashës.

Kulmi ka arritur kur ndërsa Fevziu ka qenë duke dalë nga Basha, Berisha ka qenë duke hyrë dhe nuk i ka dhënë as dorën. Kjo ka bërë që Berisha t’i tregojë tashmë vendin Bashës dhe t’i kërkojë të mos kthejë në bashkëpunëtorë të ngushtë të tij, armiqtë e Berishës.

Ndërsa me Bolinon nxjerr mëritë e vjetra e të reja, me Bushatin e Fevziun, është duke qortuar Bashën që të mos guxojë të ketë këshilltarë të vet, njerëz që i flasin përditë kundër tij. Thjesht duhet ta dijë që këtë nuk e duron dot dhe nesër të mos i thotë “Doktor, nuk e dija që i kishe armiq”. Tani e ka me shkrim dhe me gojë. Të bëjë si të dojë!"

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0068180561065674
array(1) { ["section"]=> string(105) "gruaja-e-bolinos-alba-malltezi-pas-sulmeve-nga-berisha-cfare-thote-karlo-nese-e-pyet-per-mero-bazen-29573" }