Hapet Konsullata e Nderit e Armenisë në Tiranë, Piranjani: Të zhvillojmë marrëdhënies mes nesh

Publikuar tek: politike, më 17:36 11-01-2016 Hapet Konsullata e Nderit e Armenisë në Tiranë, Piranjani: Të zhvillojmë marrëdhënies mes nesh

Gjatë një ceremonie të veçantë u prezantua në Tiranë Konsulli i Nderit i Republikës së Armenisë në Shqipëri, Varuzhan Piranjani. Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të ministrisë së Jashtme shqiptare dhe dikastereve të tjerë të rëndësishme, konsuj të nderit të disa vendeve, përfaqësues të medias e biznesit, komunitetit armen në Shqipëri, etj.

Hapja e kësaj konsullate do të shërbejë në strukturimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në sferën e zhvillimit të përbashkët ekonomik, shkëmbimeve tregtare, kulturore, turistike dhe realizimit të projekteve të rëndësishme.

Konsulli i Nderit, Varuzhan Piranjani: Turizmi  është një fushë ku mund e duhet të zhvillohet një aktivitet nga të dyja vendet.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Konsulli i Nderit, Varuzhan Piranjani, theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror midis dy vendeve, ndërsa vlerësoi marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira mes tyre.

“Dy vende, të cilat për nga madhësia gjeografike dhe popullsia janë përafërsisht të njëjtë, me gjuhë nga e njëjta familje indo-europiane, por njëkohësisht të veçanta e unike, objekt i studimeve të rëndësishme historike dhe linguistike. Dy vende me histori e kulturë të lashtë që kanë lënë gjurmë në shekuj. Armenia, cilësohet shteti i parë në botë që përqafoi kristianizmin në shekullin e 3-të dhe një nga vendet e para me një alfabet unik që në shekullin e 4-t. Mjaftojne vetëm këto dy fakte historike për të kuptuar rolin dhe kontributin e Armenisë dhe armenëve. Është hera e parë në histori që Armenia ka një konsull nderi në Shqipëri dhe unë jam shume i nderuar dhe njëkohësisht ndjej një përgjegjësi të madhe për detyrën e rëndësishme që më është ngarkuar. Duke patur një baba armen dhe një nëne shqiptare, kjo më bën edhe më të ndërgjegjshëm e pasionant në përmbushjen me sukses të kësaj detyre. Është mirë që nga stadi i sotëm i mungesës së informacionit, të fillojë e të zhvillohet ky shkëmbim informacioni midis dy vendeve në fushën e kulturës, ekonomisë, turizmit, e më gjerë”, deklaroi Piranjani.

Prandaj, e vijoi fjalën ai, vendosja e konsullit të nderit përbën një hap të rëndësishëm për fillimin e këtij bashkëpunimi. Ai shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të japë frytet e veta. Hapat e parë kanë filluar, tha Piranjani, me botimin e fjalorëve dhe librave, përgatitjen e dokumentarëve mbi komunitetin armen në Shqipëri, organizimin e takimeve të komunitetit me përfaqësues të Armenisë, ndeshjeve miqësore të ekipeve kombëtare të futbollit, të atletikës, të peshëngritjes etj.

Z. Pirnajani theksoi më tej se Armenia ka patur kohët e fundit ndryshime të rëndësishme në të gjitha drejtimet, si në ekonomi, kulturë, modernizimin e jetës e sidomos rinisë, si dhe një hapje shumë më të madhe ndaj botës, një infrastrukturë të përmirësuar ndjeshëm dhe një rritje të madhe të numrit të turistëve jo vetëm nga diaspora. Turizmi, vuri theksin Piranjani, është një fushë ku mund e duhet të zhvillohet një aktivitet nga të dyja vendet.

Komuniteti armen në Shqipëri, informoi Piranjani, ka qenë dhe mbetet një komunitet shumë i vogël, por tepër solid. Këtu jetojnë, sipas tij, rreth 30-35 familje me origjinë armene, të cilat kanë ruajtur një pjesë të mirë të zakoneve dhe jo në pak raste edhe gjuhën armene. Ky komunitet i vogël, u shpreh Piranjani, ka patur fatin të jetojë mes shqiptarëve, të cilët nënvizoi ai, janë treguar jashtëzakonisht mikpritës që me ardhjen e tyre në Shqipëri e deri në ditët e sotme.

Ambasadori i Armenisë, Gagik Ghalatchian, në Shqipëri (rezident në Greqi) përmes një mesazhi uroi Konsullin armen në vendin tonë, Piranjani. “Në emët të Ambasadës së Republikës së Armenisë dhe në emrin tim personal ju uroj nga zemra ju dhe kumunitetin armen në Shqipëri me rastin e hapjes së Konsullatës së Nderit të Republikës së Armenisë në Tiranë”, shkruhej në mesazhin e urimit.

Armenia i kushton një rëndësi të madhe, shprehet diplomati armen, zhvillimit të mëtejshëm të marëdhënieve miqëqore të cilat fatmirësisht ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona. “Është dëshira jonë për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh me Shqipërinë në të gjitha fushat me interes reciprok dhe hapja e Konsullatës së Nderit është një hap praktik dhe thelbsor në këtë drejtim. Kam besim të plotë që Konsullata e Nderit do të kntribuojë dukshëm në zhvillimin e lidhjeve tregtare, ekonomike, kulturore dhe shkencore ndërmjet dy vendeve”, deklaroi ambasadori armen, Ghalatchian.

Ai shpreh bindjen se z. Piranjani nuk do t’i kurseje përpjekjet për të nxitur dhe inkurajuar në mënyrë konstruktive marrëdhëniet ndërmjet Armenisë e Shqipërisë në dobi të të dy vendeve dhe popujve.

(Atsh)

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Reforma në Drejtësi / Ekspertët përfundojnë draftin, Sadushi: Do e dorëzojmë edhe pa opozitën
Organizata “Reago” "zbulon" planin sekret të Sorosit për falimentimin e Shqipërisë »
Article Logic
Execution time: 0.024794816970825
array(1) { ["section"]=> string(98) "hapet-konsullata-e-nderit-e-armenise-ne-tirane-piranjani-te-zhvillojme-marredhenies-mes-nesh-29713" }