Herolind Shala flet pas largimit te Kosova: Lexoj shumë fyerje, por nuk i kam bërë keq askujt

Publikuar tek: sport, më 18:30 18-08-2016 Herolind Shala flet pas largimit te Kosova: Lexoj shumë fyerje, por nuk i kam bërë keq askujt

Ishte muaji gusht i vitit 2014 kur Herolind Shalën e vërshuan ofertat për të luajtur për Përfaqësuese të ndryshme.

Pasi kishte shkëlqyer me Shqipërinë U21, oferta e parë i erdhi nga Kosova, pastaj e ftoi Norvegjia dhe në fund Kombëtarja e madhe e Shqipërisë.

Djaloshi fillimisht ia kishte dhënë fjalën Kosovës, pasi FFK i kishte nxjerrë edhe biletën e aeroplanit dhe i kishte dërguar ftesën, por thirrja e De Biasit ndryshoi gjithçka.

Në një rrëfim ekskluziv, Shala tregon për Telegrafin se si zgjodhi të luante për Shqipërinë, ku nga muaji shtator i vitit 2014 nuk mungoi në asnjë grumbullim edhe pse nuk i kishte hapësirat e duhura në Kombëtare ndërsa në klub luante gjithnjë, shënonte gola e asistonte.

“Kosova më kishte nxjerrë biletën për grumbullim dhe i pata dhënë fjalën se do të luaj për ta. Në fund ishte lajmëruar edhe Shqipëria dhe pasi bisedova me trajnerin Albert Bunjaku ai më këshilloi t’i bashkohem Shqipërisë për ta ndihmuar në kualifikime”, shprehet Shala.

“Që nga ndeshja e parë me Portugalinë kam qenë gjithmonë i grumbulluar dhe kam pritur rastin tim. De Biasi e ka ditur që unë kam refuzuar Norvegjinë dhe pastaj më ka dhënë leje Albert Bunjaku për t’iu bashkuar Shqipërisë”.

“Kam pasur formë shumë të mirë me klubin gjithmonë por nuk më është dhënë rasti në Kombëtare. Nuk kam qenë një që kam shkaktuar probleme por i kam respektuar gjithmonë zgjedhjet e trajnerit pasi për mua ka qenë e rëndësishme Shqipëria të ketë sukses”, thotë Shala për Telegrafin.

Tutje mesfushori nga Drenasi tregon edhe për vendimin e tij të madh për t’iu bashkuar Kosovës.

“Ky vendim i imi ka qenë edhe para dy viteve, të luaja për Shqipërinë për ta ndihmuar Kombëtaren deri në pranimin me të drejta të plota të Kosovës dhe të rikthehem tani këtu sepse Kosova ka nevojë më shumë se gjithçka ta ndihmojnë bijtë e saj”, deklarohet Shala.

“Shoh shumë fyerje ndaj meje Milotit e Albanit, por unë nuk e di që i kam bërë dikujt keq. Sa herë që më është kërkuar kamë dhënë maksimumin për Shqipërinë dhe tani jam te Kosova, te një shtet shqipfolës dhe asnjë shqiptar i vërtet nuk e fyen Kosovën dhe ekipin e saj. Si lojtarët e Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës jemi shqiptar, jemi të një kombi por do të mundohemi që dy shtetet t’i bëjmë të fuqishme në futboll”, deklaroi Shala.

24-vjeçari beson se Përfaqësuesja e Kosovës mund të befasojë në kualifikimet për Kampionatin Botëror ‘Rusi 2018’.

“Kosova ka pasur nga fillimi një ekip të mirë dhe trajneri Albert Bunjaku është më meritori për këtë grup të lojtarëve. Besoj që do të tregojmë ndeshje të mira dhe t’i befasojmë të gjithë kundërshtarët në grup. Ne kemi nevojë për përkrahje dhe jam i bindur se si Shqipëria ashtu edhe Kosova do t’i kenë tifozët më të mirë në Evropë në ndeshjet që do t’i luajmë ndaj kundërshtarëve tanë”, vazhdoi tutje Shala.

Ish-anëtari i skuadrës norvegjeze ODD, ka kaluar dy vite në kampionatin çek te Sparta e Pragës dhe Slovan Liberec, ndërsa tani iu është bashkuar skuadrës së njohur turke Kasimpasa.

“Jam i lumtur me skuadrën e re. Ka pasur edhe disa ekipe tjera të interesuara por më ka pëlqyer projekti i klubit. Këtu do ta kem edhe Loret Sadikun që do të luajmë së bashku edhe te Kosova”.

“Besoj që tani Kasimpasa do të ketë edhe shumë tifozë në Kosovë falë meje e Loretit. Synimi është që të bëjmë lojëra të mira dhe të zëmë ndonjërën nga pozitat që na dërgojnë në Evropë”, përfundoi Shala.

Shala vitin e kaluar shkëlqeu me Slovan Liberecin duke shënuar shtatë gola dhe duke dhuruar gjashtë asistime, mirëpo kjo gjë nuk i bëri përshtypje trajnerit Gianni De Biasi për ta grumbulluar për ‘Euro 2016’.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Premier League rikthehet në ekranet shqiptare
Rashica dhe Shala shpërblehen nga qeveria shqiptare pas largimit nga Kombëtarja »
Article Logic
Execution time: 0.023200988769531
array(1) { ["section"]=> string(97) "herolind-shala-flet-pas-largimit-te-kosova-lexoj-shume-fyerje-por-nuk-i-kam-bere-keq-askujt-50152" }