Hiqini të gjitha

Publikuar tek: analiza-komente, më 23:50 05-10-2015 Hiqini të gjitha

Nga Artan Lame

E nderuar zonja Ministre e Kulturës,

Sapo mësova nga mediat se pllaka e sulltan Sulejmanit në kala të Lezhës është dëmtuar duke dashur ta thyejnë. Nuk bie asfare në kurthin shumë joshës për t’i krahasuar Lezhëthyesit me Palmiraerëhedhësit, sepse historia është plot me të tillë shembuj që besonim se të paktën në Evropën të cilës i kem i zënë derën, janë harruar prej disa shekujsh.

Përpara se të urtët të vazhdojnë të debatojnë, kam frikë se të marrët do kenë mbaruar punë, ndaj zonja ministre hiqeni urgjentisht pllakën kushtimore nga hyrja e kalasë dhe mbylleni me shtatë kyçe në magazinë atje ku ishte.

Jo më larg se tri ditë të shkuara shkrojta që: “Ditën që do thyejmë pllakën (dhe ju garantoj që do t’a thyejnë) do kemi një dëshmi më pak të faktit që në këtë vend kanë banuar njerëz aso kohe, e jo vetëm çakej pylli e arinj mali”. Paskam qenë vërtet gojëters, por tani që këtij qëllimi nacionalist patriotik ja arritëm, s’ka kuptim që pllaka të qëndrojë më atje.

Mora vesh që lezhianët qenkan ngritur që të hiqet edhe mbishkrimi i Jul Cezarit nga parku arkeologjik i Vendvarrimit të Skënderbeut.

Dëgjomë mua, hiqe urgjent edhe atë, përpara se ndonjë patriot autoktonus, në pushimin midis dy pjesëve të ndeshjes me Serbinë, i mbushur me afsh patriotik flamurdashës, të mos shkojë ta thyejë edhe atë.

Në hyrje të Kalasë së Krujës janë dy mbishkrime kushtimore të shkruara në osmanishten e pushtonjësve gjakpirës. Urgjent shkoni hiqini edhe ato. Është pak e vështirë t’i shikoni ku janë, aq të mbytura janë midis betonit të ndërtimeve pa leje që po mbysin kalanë me gjithë Heroin mbarëkombëtar legjendar, por mund t’ju ndihmoj unë t’i gjeni dhe t’i hiqni. Kujdes kur t’i hiqni se mos gërvishtni murin e ndonjë prej klubeve pa leje të atyshëm, se për këtë s’të fal pronari atdhedashës. Atdheu atdhe, por biznesi eshte biznes ama!

Urgjent pastaj kthehu në Tiranë të hiqni mbishkrimin aq elegant nga xhamia e Ethem beut në Tiranë, si edhe mbishkrimet latinisht nga basorelievet e Maternitetit. Sa për kujtesë, edhe maternitetin e kanë ndërtuar pushtonjësit italianë dhe këta ishin një lloj pushtonjësi shumë dinak. Aq të këqinj ishin, saqë duke na ndërtuar pallate, bulevarde, ministritë, bankën, ura e rrugë, e deri edhe maternitetin, deshën të na mashtronin dhe të na hidhnin hi syve. E kujt pa, neve, kombit kordhëtar, që e kemi çarë rrugën e historisë me pallë në dorë!

Dhe meqë ra llafi tek Italianët, urgjent duhet hequr edhe kulla e sahatit që sapo u rikonstruktua në Vlorë, se edhe atë italianët pushtues e kanë ndërtuar në vitin 1918, kur deshën të na gënjejnë dhe të na marrin Vlorën me gjithë vlonjatë. Sa budallenj! Po pse deshën të na i marrin, kur ne ju shkuam vetë më ‘90-ën me kuç e me maç!?

Pa duhen hequr relievet me simbole bizantine nga të gjitha kishat, që nga ato të Apolonisë e deri tek ato të Mesopotamit. Janë ca relieve bajagi të bukura, me shqipe e luanë, që i ka skalisur pushtonjësi bizantin.

Pastaj duhen hequr e fshehur mbishkrimet slave nga Kisha e Shirgjit, nga Kisha e Ballshit e nga janë e nga s’janë. Me sllavët kemi goxha hesape për të larë dhe, meqë nuk kemi ç’u bëjmë të sotmëve, të paktën t’ua nxjerrim inatin trimëror atyre të para njëmijëvjetëve.

Urgjent duhen hequr pllakat me mbishkrime osmane nga kalaja e Janinës, ato me mbishkrime slave nga Manastiri i Shën Naumit, ato me… Ah jo prit, këto nuk është nevoja t’i heqim e t’i fshehim, se këto vënde na i ka marrë hasmi dhe nuk ja prishim dot më ne iliro-pellazgët.

Pastaj urgjent duhet hequr basorelievi me luanin me flatra të stemës së Venedikut nga Kalaja e Rodonit, shenjë e qartë e neveritshme e një tjetër pushtuesi të trojeve tona kreshnike.

I vetmi pushtonjës të cilit nuk kemi ç’ti fshijmë, është gjermani. Kjo për arsyen e thjeshtë se gjermanët ishin të vetmit që e kuptuan si i donte mushka drutë me këtë milet. Nuk bënë asnjë përpjekje ta merrnin me të mirë, të ndërtonin gjësend a të konvertonin ndokënd. Thjesht shkuan në plumb kë bënte gëk dhe s’bëri as gëk as mëk njeri sa ishin ata, për t’a filluar sherrin kushtrimtar më pas mes nesh, se kur iku i fundmi i tyre, më 28 apo më 29.

Në fund të kësaj gare shpejtësie midis të urtëve që duhet të fshehin dhe të marrëve që duan të thyejnë, do të kemi truallin tonë arbëror të çliruar nga çdo germë e gdhëndur a gur i skalisur. Do kenë mbetur vetëm shpellat (edhe ato me stalaktite e stalakmite të thyera nga djemtë kombëtarë iliro-pellazë për t’i shitur) dhe shtëpitë pa leje që unë kam detyrën integronjëse t’i legalizoj.

Ps. Përtej të gjithave ju lutem seriozisht që të hiqet pllaka e Sulejmanit, përpara se të jetë bërë e tëra çopë e çikë.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.025014877319336
array(1) { ["section"]=> string(22) "hiqini-te-gjitha-22418" }