Hotelet nga Durrësi në Sarandë, çmimet e dhomave nga 50 deri në 150 euro

Publikuar tek: ekonomi, më 13:36 21-07-2017 Hotelet nga Durrësi në Sarandë, çmimet e dhomave nga 50 deri në 150 euro

Vit pas viti, Shqipëria pret që të përjetojë shpërthimin e saj “turistik” dhe rrethanat herë pas here edhe e kanë ndihmuar që rezultatet finale të jenë pozitive.

Sipas “monitor”, ashtu si një vit më parë, ndryshimi i vetëm që përjeton ky sektor është një TVSH e ulur në nivelin 6%, një politikë spontane parazgjedhore që i dha fund edhe kërkesës së kahershme të operatorëve të tregut. Por qysh kur u njoftua kjo nismë, pjesa që u lakua më shumë ishte përmirësimi i cilësisë së shërbimit dhe nën zë disi edhe reflektim te çmimet. Në fakt, kjo e dyta duket se nuk ka ndodhur.

Nga një vëzhgim që kryem pranë një pjese të mirë të hoteleve, çmimet mbeten të njëjta si një vit më parë, kurse disa të tjerë kanë shkuar në rritje. E përbashkëta e gjithë bregdetit shqiptar është që ai flet në euro, të gjitha çmimet jepen në këtë monedhë edhe pse ky vit duket më i favorshëm, sepse gjatë muajve të fundit është vënë re një zhvlerësim i vazhdueshëm. Kjo sigurisht e bën më të lirë koston e akomodimit në një strukturë, por ajo është e papërfillshme për klientin.

Çmimet

Në raport me një vit më parë, çmimet në shumicën e vijës bregdetare nuk duket të kenë pësuar ndonjë ndryshim. Shumica kanë preferuar t’i mbajnë të pandryshuar kurse surpriza e kësaj vere duket se do të jetë Durrësi. “Monitor” kontaktoi me disa prej hoteleve të këtij qyteti dhe të shtrirë edhe përgjatë Golemit. Konkretisht Flower Spa, një nga hotelet me vlerësim të mirë edhe në Booking për një natë, në një dhomë dyshe aplikon një çmim 70 euro, ndërsa për një dhomë të llogaritur për tre persona, 80 euro. Në Booking, dhoma e fundit për dy persona rezulton me një çmim 150 euro/nata. Një vit më parë, i njëjti hotel aplikonte çmime të paktën 5 euro më pak sesa çmimi aktual, por duke siguruar edhe mëngjesin dhe duke pasur parasysh që ishte një hotel që sapo kishte nisur aktivitetin. Gjithsesi, hoteli rezulton të ketë një frekuentim të lartë në këtë periudhë dhe kryesisht dominojnë të huajt.

Një tjetër hotel i pyetur për këtë fundjavë lidhur me një dhomë për katër persona Diamma në Durrës dha një çmim prej 89 eurosh. Një vit më parë, për të njëjtën kërkesë, çmimi ishte 75 euro.
Hotel Palace ofron një çmim 100 euro për një dhomë standard dyshe, duke e mbajtur në të njëjtin nivel të një viti më parë.
Por ndërsa për Durrësin ka një kërkesë në rritje e lidhur kjo me rezervimet e shkurta pra për një fundjavë duket se e njëjta tendencë shfaqet edhe për Sarandën.

Artani, punonjës pranë Saranda Palace, u shpreh se ka një kërkesë të dobët për rezervime. Ndërkohë që hoteli këtë vit është në fazë rinovimi, rezervimet janë vetëm me afat të shkurtër dhe kjo, sipas tij, është një situatë që mbizotëron në Sarandë. “Është ende korrik dhe ne fluksin përgjithësisht e kemi në gusht. Nga ajo që shohim deri tani situata duket disi dobët, nuk ka shumë kërkesë. Edhe ata që vijnë nuk rrinë me pushime të gjata, por thjesht një fundjavë ose dy-tre ditë”, – shprehet ai.

Por ndryshe duket situata në Himarë dhe Dhërmi. Çmimi i hoteleve mbetet i njëjtë. Hotel Elysium në Dhërmi gjatë qershorit aplikonte këtë vit një çmim 50 euro për një dhomë standard dyshe, në korrik çmimi për të njëjtën dhomë është 80 euro. Pritshmëritë janë që në gusht të kemi një rritje tjetër çmimi, pasi një vit më parë për këtë periudhë, hoteli aplikonte një vlerë 100 euro/nata.

Hotel Kesia po në Dhërmi sërish nuk ka çmime të ndryshuara. Një vit më parë në korrik aplikonte çmimin 45 euro dhe të njëjtin çmim gjejmë edhe këtë vit për çdo natë të llogaritur. Në gusht 2016, çmimi arriti në 75 mijë lekë, ndërkohë që për këtë vit pritet sërish e njëjta lëvizje.
Shëngjini mbetet një tjetër destinacion interesant dhe numrit të lartë të turistëve nga Kosova që janë kthyer në të zakonshëm këtë vit, i është shtuar edhe një numër modest turistësh çekë dhe polakë. Zef Pemati, menaxher i resort Rafaelo në Shëngjin, u shpreh se këtë verë nuk ka ndonjë ndryshim në fluks krahasuar me një vit më parë.

“Ne kemi rritur kapacitetet dhe sot mund të akomodojmë mbi 2100 persona. Këtë verë kemi pasur 160 dhoma me turistë çekë dhe polakë. Gjithsesi për korrikun, kërkesa mbetet në nivelet e një viti më parë. Gushti presim që të ketë më shumë fluks”, shprehet Pemati. E veçanta e resortit Rafaelo lidhet edhe me paketat ‘all inclusive’ që ofrohen me një çmim prej 35 eurosh dita për person. Në rast se do të bëhet një rezervim në momentin e fundit vetëm për një natë çmimi për një dhomë dyshe vlerësohet në 80 euro, kurse ajo në pjesën më luksoze të resortit 100 euro/nata.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0069851875305176
array(1) { ["section"]=> string(77) "hotelet-nga-durresi-ne-sarande-cmimet-e-dhomave-nga-50-deri-ne-150-euro-86876" }