Mesfushori shqiptar Armando Vajushi mungon prej kohësh në Kombëtaren e Shqipërisë.
Faktorët që kanë ndikuar te “largimi i tij” kanë qenë të rëndësishëm: dëmtimet e shumta dhe eksperiencat e dështuara futbollistike në Itali me Chievon dhe pastaj me Pro Vercellin e kanë lënë 26-vjeçarin në udhëkryq. Kontrata e tij me skuadrën e fundit ka skaduar dhe futbollisti shkodran nuk ka gjetur dot një skuadër të re për të dhënë kontributin e tij.
Por media italiane e njohur “Tuttomercatoweb” raporton se kampionët në fuqi të Rumanisë CFR Clujj kanë përgatitur kontratën për Vajushin.
Vajushi ka qenë një zgjedhje e parë në Kombëtaren e Shqipërisë gjatë kohës që kuqezinjtë drejtoheshin nga Gianni De Biasi. Por pas ndeshjes së fundit miqësore kundër San Marinos në 8 qershor të 2014, ndeshje ku ai shënoi, Vajushi nuk u grumbullua më me Kombëtaren.
Nëse ai pranon ofertën e CFR Clujj-it dhe fiton vendin në formacionin titullar, Vajushi e ka vetë në dorë për të detyruar teknikun Christian Panuçi t’i telefonojë shkodranit.