I trembëdhjeti vit pa ty… Letra prekëse e vajzës së “gjyshit të përrallave të fëmijëve shqiptar” (E PLOTË MË BRENDËSI)

Publikuar tek: kulture-art, më 07:15 13-04-2017 I trembëdhjeti vit pa ty… Letra prekëse e vajzës së “gjyshit të përrallave të fëmijëve shqiptar” (E PLOTË MË BRENDËSI)

Si sot 13 vjet më parë u nda nga kjo jetë shkrimtari dhe akademiku i njohur, Bedri Dedja.

Ai njihet si një personalitet i rëndësishëm në krijimtarinë letrare shqiptare për të vegjëlit dhe atë shkencore për të rriturit.

Vajza e tij, Edlira shkruan sot një letër të gjatë dhe mjaft prekëse, teksa mes vargjeve nuk e fshesh dot dhimbjen që përjeton prej 13 vitesh, që nga ndarja nga jeta e të atit.

LETRA E PLOTË:

I trembëdhjeti vit.... 13 prill 2014 - 2017...

Letër, Atit tim të shtrenjtë e të paharruar, Bedri Dedja.

Është një emocion i madh per mua, përzjerë me mall, dashuri e dhimbje, admirim dhe respekt, të ulem e t’i shkruaj këto rradhë për Ty, ati im i shtrenjtë Bedri Dedja!
Ata, që të kanë njohur, që të kanë lexuar e afruar, ata që të kanë dashur e adhuruar, çdo herë e shqiptojnë me nderim emrin Tënd, duke i dhënë një ngjyrë e një theks të veçantë.
Ndoshta sot, do të më duhej të tregoja diçka të re rreth të kaluarës tënde, ende të palexuar e të panjohur; të gërmoja më thellë në arkivat e Tua: në të kaluarën, në femininë e rininë Tënde. Ndoshta, do të më duhej të Të njihja edhe përtej jetës sime, për të Të kuptuar më shumë, por jo për të dashur më shumë nga ç’të kam dashur, që në fëmininë time të hershme, nga ç’të dua sot dhe nga çdo të dua në përjetësi.
Ndoshta, kur isha e vogël, s’kam ditur ta vlerësoj personalitetin Tënd. Por mbaj mënd që isha gjithnjë e mbushur me lumturi e gëzim, kur ti afroheshe tek unë dhe qaja, kur ti largoheshe. Isha gjithnjë pranë teje, rrethuar nga kujdesi e dashuria me të cilën më mbështolle brenda botës sime fëminore, me ngjyra ëndrrash të magjishme…
Kërkoj ende ta mbaj gjallë në kujtesë zërin Tënd, që dikur më fliste me gjuhën e fantazisë së bukur të fëmijës, duke u ulur së bashku me mua në botën e ëndrrave të bashkëmoshatarëve të mi... Kërkoj me këmbëngulje të depërtoj edhe një herë në brendësinë e shpirtit Tënd, në thellësinë e të cilit Ti mbete deri në fund i dlirë e i pastër, si një fëmijë: shpesh-herë i qetë dhe i menduar e ndonjëherë edhe impulsiv, me fantazinë dhe imagjinatën Tënde të rrallë, që të karakterizonte: ëndërrimtar dhe i paparashikueshëm…
Ti, ke qënë dashuria e mirësia, gjithshka që simbolizon artin e të rriturit të fëmijës, një baba i ndarë në tre, pesë apo gjashtë veta: duke nisur nga prindi, pedagogu, mësuesi, shoku, moshatari, gjyshi i përrallave…

Por, Ti u bëre edhe Gjyshi i Përrallave i fëmijëve shqiptarë, mbasi personaliteti Yt, që të shtynte gjithnjë e më shumë në zemër të botës së tyre, të mundësoi nga ana tjetër të zbuloje ndjenjat, shqetësimet e kërkesat e kësaj moshe, duke i përcjellë ato më pas te lexuesit e vegjël e të mëdhenj, me të gjithë përmasat e thellësinë e tyre.
Po t’i lexosh edhe sot kallzimet e Tua, të botuara në mënyrë modeste sipas mundësive të kohës, është njësoj sikur të hapësh një dritare e të ndjesh jetën të depërtojë thellë në dhomë, me të gjithë dimensionin e saj, deri në thellësi të shpirtit.

Fjala Jote ishte e magjishme, i dashur Ati im Bedri Dedja. Gjithshka që pritej, ndodhej aty: bukuria, gjallëria, ëndrrat fëminore, guximi, besimi për të ardhmen, ndriçuar e ngjyrosur me mjeshtëri nga fantazia Jote e pashoqe, shqetësimi, kurajoja, emocionet e rralla, frymëmarrja e jetës dhe frymëzimi rinor. Por, Ti ke ofruar, nga ana tjetër, edhe një ndjenjë të pashpjegueshme, që transmetohej nga qëndrimi Yt, nga personaliteti Yt, nga dashuria për njerëzit, e cila buronte nga vështrimi Yt i pashoq, nga qetësia Jote e rrallë, nga timbri i zërit Tend e nga fraza Jote e shtruar, nga mënyra se si i shqiptoje fjalët, nga të gjitha këto cilësi të rralla, që të bënë të jesh Ai, Bedri Dedja; por që, nga ana tjetër, të mundësuan t’u japësh një karakter unik dhe thellësisht njerëzor e mbresëlënës të gjitha veprave të Tua, që janë lexuar e përcjellë nga breza të tërë fëmijësh shqiptarë.

Të kam para sysh edhe sot: të buzëqeshur, të thjeshtë, modest, shpesh herë të lotuar e ëndërrimtar, ulur aty në tryezën tënde të punës, në apartamentin modest atje në Tiranë, duke përballuar me dinjitet vështirësitë e shëndetit tënd. Më duket ende, sikur dora jote e palodhur vazhdon të shkruajë, të përcjellë parreshtur mesazhe të mëdha e të transmetojë dashuri dhe emocione të pashtershme. E, unë kam përshtypjen se ende Ti jeton e tregon për fëmijët; tregon përsëri për ne të gjithë, për trashëgimtarët tanë, për lexuesit shqiptarë kudo në botë. Ti je gjithnjë i pranishëm, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Europë e Amerikë. Udhëtimi i veprës tënde ka marrë sot një dimension të ri e ka fituar hapësirë. Libri Yt ndodhet në shtëpitë e shumë shqiptarëve, kudo që ndodhen, por edhe në shumë biblioteka të Europës. Duhet ta dish, i dashur Ati im Bedri Dedja, se « fan »-sat e Tu rriten dita-ditës, pa llogaritur 20, 30, 40 ose 50 vjetët e moshës së tyre. Jam e bindur se, me ribotimin e plotë të veprës tënde, Ti do të bësh për vete çdo ditë dashamirës të rinj: mjafton të lexojnë një libër prej teje apo të shfletojnë një manual shkencor, një studim, një vepër pedagogjike ose një artikull, ku ti ngre zërin me guxim për problemet e kohës, por dhe një fjalor, një program pune apo enciklopedi, ku Ti le gjurmët e tua të pashlyeshme…

I dashur Ati im,
Ti do të mbetesh një monument për letërsinë shqipe për fëmijë, një yll që do të shkëlqeje përjetësisht në qiellin e historisë së saj. Vepra jote, edhe pse deri sa mbylle sytë mbeti brenda kufijve të Shqipërisë, la te të gjithë ne, te bashkudhëtarët e epokës tënde, një gjurmë të pashlyeshme. Nëpërmjet librit dhe fjalës Tënde, me të cilat u dhe jetë personazheve të jetëve tona të saponisura, Ti dite të vendosësh një lidhje afektive të pakrahasueshme midis brezave.
Edhe pse Shqipëria ka nxjerrë e vazhdon të nxjerrë breza të tërë shkrimtarësh të talentuar, mendoj se asnjëri prej tyre nuk ka mundur t’i flasë deri më sot lexuesit të vogël ashtu si zëri Yt, si fjala Jote, si tërësia e qenjes Tënde; askush nuk ka mundur ende të hapë të tilla dritare për botën fëminore, siç munde të hapësh Ti; askush nuk diti t’i drejtojë krahët e fantazisë së pasprovuar fëminore për fluturime të guximshme drejt hapësirave të panjohura, siç mundi të bëjë universi Yt i pashtershëm, si dite ta bësh Ti: i Miri, i urti, i mënçuri, modesti, i pakrahasueshmi, i mrekullueshmi Gjysh i përrallave shqiptare për fëmijë, Bedri Dedja!

EDLIRA DEDJA

14 prill 2014

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Akademiku francez: Shqiptarët, një prej kombeve më të vjetra të botës, zbulon faktet e rëndësishme
Pak metra larg protestës së PD-së, te “REJA” ndodh diçka jashtë të zakonshmes (FOTO-VIDEO) »
Article Logic
Execution time: 0.17803502082825
array(1) { ["section"]=> string(119) "i-trembedhjeti-vit-pa-ty-letra-prekese-e-vajzes-se-gjyshit-te-perrallave-te-femijeve-shqiptar-e-plote-me-brendesi-75012" }