Ik nga kurvizmi

Publikuar tek: analiza-komente, më 17:22 05-12-2015 Ik nga kurvizmi

Nga Edison Ypi

Kurvi ka 30 vjet që ka cof, Kurvizmi është në zenit.

Mozaiku kriminal ta mpin trurin, t'i ngathtëson gjymtyrët, të mposht, të zgërlaq. Nuk jetohet në këtë vend me këtë shesh e këtë simbol diabolik. Ik nga kurvizmi. Ik e mos u kthe më kurrën e kurrës.

Në bulevard t'i trazon zorrët varri i kurvit. Është vepër arkitektonike, brezat e ardhshëm duhet të dinë çfarë ka ndodhur, janë rrena trashanike për të mos e lënë miletin t'i largohet kurvizmit. Ik nga sytë këmbët. Si zhapik duke u zvarritur. Si kunadhe duke u fshehur. Si gjarpër duke u përdredhur. Vetëm ik.

Në të dy anët e bulevardit, rrugët dhe rrugicat mbajnë emra vrasësash. Po nuk ike nga këto rrugë me ato emra do çmendesh dhe nuk do ketë psikiatër ta kuptojë sëmundjen.

Sheshi tek Pazari i ri që mban emrin e një halabaku vrasës komunist parakurvist të uluret; Ik-ik-ik, vetëm ik dhe kurrë mos u kthe.

T hedhësh një sy gazetave balli të mbushet me djersë, nëpër trup të kalojnë mornica; Krim në familje. Deputetë vrasës. Aleanca parlamentare që s'kanë asnjë lidhje me preferencat e elektoratit. Sajesa, shpifje, intriga kurviste. Leri gazetat, kafen, ujin e gazuar. Mos humb kohë. Ik.

Në shkallët e shtëpisë, ti duke u ngjitur, ai duke zbritur, të vështron vëngërr një sigurimist. Një kat më lart banon një ish-komandant burgu të cilit po t'i thuash se Sigurimi ishte kriminal, të vret. Në shtëpi Ndez kompjuterin për të hyrë, e ku tjetër veçse në Fejsbuk, ku shesh tmerre dhe turpe që kapërxejnë çdo përfytyrim. Femra gjoja konservative por në fakt copa mishi në kërkim të burrit duke fotografuar veten nga një mijë kënde. Burra-lavire pa asnjë zotësi dhe asnjë talent të cilët në perëndim i ka hedhur sigurimi, burracakë të pështirë që sa më larg të ndodhen aq më trima hiqen, mendimtare me vështrimin prej gjeniu tretur në horizont me t'i sjellë zorrët në fyt. Hiç mos vill. Hiç mos u mërzit. Ik e mos u duk.

Në mbrëmje sheh programe televizive të kushtueshme që paguhen nga taksapaguesit dhe konsumatorët, por udhëhiqen nga ca gjobëvënës, të cilët, të ftuarve, në këmbim të ftesës, u kërkojnë favore. Ke plotësisht të drejtë të mos i shohësh. Nuk durohen. Ik nga kokën këmbët.

Pasi u ke hedhur nga një sy banakëve televizivë të hajdutëve që kanë vjedhur gazeta dhe humbin në bixhos çdo ditë aq Euro sa janë të ardhurat vjetore të një komune, mbështillesh me batanije, merr në dorë telekomandën dhe kërkon ndonjë film shqiptar. Gabim i pafalshëm kurvist. Në Shqipëri nuk është bërë asnjë film. Të gjithë kanë qënë propagandë. Prandaj, duke u përplasur a duke u rrokullisur, barkaz, me kurriz, duke thyer brinjë e duke u gjakosur, vetëm ik.

Njëlloj si në qytete dhe në katunde, kurvistat kanë bërë vilat më të mëdha. Kalamajtë i kanë çuar me studime jashtë nëpër universitete të shtrenjta. Vetë mbajnë postet kyçe të rendit, të drejtësisë, të gjithave. Prandaj ik, ik, ik, ik, ik dhe vetëm ik dhe kokën prapa mos e kthe.

E njëjta gjë në Kosovë ku ligjin e bëjnë "çlirimtarët" hajdutë dhe vrasës. Mos e zgjat asnjë dekikë. Ik nga Kosova. Më këmbë, me vrap, me autobuz, me furgon. Bjeri nga të mundesh; nga Serbia, nga Hungaria, Japonia, Kina, Indonesia, Alaska, vetëm ik.

Ik edhe nga Maqedonia perëndimore. As atje s'ke ç'bën mes patriotave të llafeve.

E ç'ju duhen Lugina e Vjosës, Korabi, Cukali, Karavastaja, Tomorri, Devolli, Naimi, Noli, Lasgushi, Kadarea.

Ikni o budallenj, ikni. Ikni këmbejini kaltërsitë e llogorasë me tymrat e Birminghamit, diellin e Myzeqesë me ngricat e Stokholmit, freskun e Thethit me qelbësirën e të dhjerave dhe të vjellave të haleve që do pastroni.

Ikni qafën thefshi.

Gjermaninë ku ma gjen.

Ikni edhe në Etiopi, në Nepal, në Indonezi, në Madakaskar, ikni ku të mundni. Vetëm në Shqipëri mos rrini. Vetëm në Shqipëri kurrë mos u ktheni.

Ikni shqiptarë ikni. Ikni nga kurvizmi.

Ikni sa më parë, sa më larg, sa më tepër, mundësisht të gjithë.

Hiç mos u sëkëlldisni se shqiptarët paksohen dhe Shqipëria zvogëlohet. Shqipëria nuk ka qënë kurrë më e vogël se e ka merituar. Shqiptarët nuk kanë qënë kurrë më pak se kanë mundur të jenë.

Mos u merakosni se pasi të ikni ju do vijnë t'ua pushtojnë vatrat e ngrohta, shtëpitë e gjalla, tokat e begata. Ku kurvizmin e kultivuat vetë me aq zell e pasion sa tashmë kurvizmi ka infektuar gjithçka, askend nuk do ta marri malli t'i popullojë vatrat e ftohura, t'i ëmbëlsoje tokat e helmatisura, ti ngjalli shtëpitë e vdekura para se botës t'i ketë ardhur fundi.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.068262100219727
array(1) { ["section"]=> string(21) "ik-nga-kurvizmi-27032" }