Ilir Meta i LSI-së? Apo LSI-ja e Ilir Metës?

Publikuar tek: analiza-komente, më 14:00 06-09-2016 Ilir Meta i LSI-së? Apo LSI-ja e Ilir Metës?

*Nga Anila Basha

Asnjë socialist i thjeshtë nuk do ta harroj atë fillim viti 2004, kur ndërsa të gjithë ishin duke iu kënaqur pushtetit të marrë në 1997, dhe mundësive që iu dha koha për ringritjen e shtetit, gjithçka do t’ju fashitej si një ëndërr që nuk kishte ndodhur.

Fatos Nano dhe Ilir Meta patën përplasjen e tyre më të madhe që nga marrja e pushtetit. Fakti është, se Ilir Meta atëkohë nuk ishte vetëm. Korrupsionin që po grryente PS, marrëdhëniet tejet mosbesuese të liderve socialistë me njëri tjetrin, lojërat politike që herë “ia fusnin dikujt” dhe pastaj “dikujt tjetër”, duket se nuk kishin lodhur vetëm Ilir Metën, por kishin zbehur dëshirën për të vazhduar përpara të një grupi të gjerë intelektualësh brenda Partisë Socialiste.

Ilir Meta në 2004, pikërisht kur e pa se që nga marsi se punët me Fatos Nanon nuk po ecnin shumë mirë, ishte një djalosh-politikan 35 vjeçar. I ri, por me ambicie politike si pak politikanë të tranzicionit shqiptar. Karakterizuar nga qëndrueshmëria, mungesa e abuzimit, përgjegjshmëria, kërkesa për të ecur më lart, ai e dinte se sfidën e vet politike e kishte filluar që kur ishte 23 vjeç, fare i ri, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992.

I rrahur me parlamentin, me politikën, me heqjen e imunitetit, me akuzat, me kundërshtimin (siç ndodhi në rastin e mocionit kundër Nanos që vuante dënimin në burgun e Bënçës), kishte kuptuar si lojën politike, ashtu edhe aleancat. Ndaj nuk ishte e rastit që në moshën 30 vjeçare, PS i besoi postin e kryeministrit. Dhe pikërisht që në atë moshë, filloi të ndërtojë dhe projektin e vet politik.

Ilir Meta, nuk jetonte dot në një ambient ku mund të ishte i dytë. Nën moton “beso dhe kontrollo”, mblodhi pas vetes shumë prej drejtuesve më në zë të Partisë Socialiste. Parathënien e një lëvizjeje të re, brenda së majtës, e dha kongresi i vitit 2003, kur Nano, thuajse pa konkurrentë rivale (edhe pse përballë kishte Meidanin e Ramën) u zgjodh kryetar, ndërkohë që Ilir Metën, thuajse e përjashtoi nga gjithë struktura drejtuese e PS. Që në këtë kohë, Ilir Meta, e kishte projektuar vijimin e vet politik. Pas kësaj, projekti për krijimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ishte i pandalshëm, deri në themelimin e shpalljen e kësaj force politike në 6 shtator 2004.

Shfrytëzoi ato muaj vere, jo për të bërë pushime. Por për të dalë me mbështetësit e vet në çdo rreth. Tërhoqi pas vetes një pjesë të konsiderueshme të socialistëve të zhgënjyer, të lodhur nga abuzimi i disave me pushtetin, dhe disa të tjerëve që nuk i jepnin zgjidhje problemeve që kishin. Shfrytëzoi faktin se PS po e kalbte korrupsioni, dhe thirri pranë vetes, veç profesorëve, pjesën e të rinjve. Angazhoi në një kohë rekord të gjitha njohjet që kishte për të ngritur strukturat në rrethe, dhe duke u prezantuar në zgjedhjet e 2005, por pa sukses të dukshëm.

2005-2009, ishte periudha e artë e ngritjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nëpërmjet një strategjie të mirëmenduar, akuzat ishin për të dy palët. Për PD, që kishte marrë pushtetin por ishte një parti që kishte shkatërruar shtetin në 1997, dhe një PS, e papërgjegjshme nga marrja e pushtetit, duke abuzuar me shtetin deri në 2005.

Katër mandatet e deputetëve të marra në 2009, ishin përcaktuese për koalicionin e ri që u krijua PD-LSI, dhe Ilir Meta do të fillonte pas kësaj ringritjen e pandalshme drejt pushtetit.

Sot në 12 vjetorin e krijimit të kësaj force politike, pakkush mund të thotë se ajo mund të ekzistojë pa forcën dhe energjinë e njerëzve që e themeluan. Përtej akuzave, ngritjes e ringritjes, duket se energjia e kësaj force politike të majtë, janë të rinjtë. Të organizuar në struktura ndryshe nga çdo forcë politike, të motivuar për të treguar qëndrueshmëri politike, të rinjtë janë motorri që funksionon më së miri brenda LSI.

Ilir Meta sot është 47 vjeçar, dhe siç u shpreh Monika Kryemadhi, ndonjëherë, të dyve, I kishte shkuar në mendje që ta linin politikën. Por si argument, vazhdon ajo, kemi gjetur energjinë e pashtershme të njerëzve që na rrethojnë e na ndjekin pas.

Dhe sot, LSI e gjen veten në këtë përvjetor të 12 me një axhendë të re të, nga “përgjegjësia politike” te “përgjegjësia sociale”, në një vend që tenton të dalë nga tranzicioni dhe ku problemet sociale vazhdojnë të mbeten të mëdha.

Nuk është as më shumë e as më pak sesa një platformë e parë politike zgjedhore. Veç të rinjve, patjetër duhen votat e shtresave sociale në nevojë. Por sesi do të vazhdojë kjo axhendë, dhe nëse do të mund të jetë e suksesshme në vazhdim, këtë do ta përcaktojnë zgjedhjet e përgjithshme vitin e ardhshëm. Deri atëherë, pyetja që vijon të bëhet është: Ilir Meta i LSI, apo LSI e Ilir Metës????

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.02637505531311
array(1) { ["section"]=> string(48) "ilir-meta-i-lsi-se-apo-lsi-ja-e-ilir-metes-52066" }