Interi i kthehet fitoreve, Napoli dhe Juve vazhdojnë garën e ashpër

Publikuar tek: sport, më 23:45 03-02-2016 Interi i kthehet fitoreve, Napoli dhe Juve vazhdojnë garën e ashpër

Interi mund të buzëqeshë pasi më në fund arriti të sigurojë fitoren që ka munguar që prej 1 janarit.

Zikaltrit triumfuan në “San Siro”, duke mundur minimalisht 1-0 Kievon. Trajneri Mançini, edhe pse e ka ndjekur ndeshjen në tribunë, pasi ishte i pezulluar, është bindur se Interi funksionon vetëm me Ikardin titullar.

Sulmuesi argjentinas ka shënuar golin e vetëm të sfidës, duke larguar zërat se tek Interi ka krizë të thellë.

Fitorja e Interit është ndihmuar edhe nga loja “amatore” e Kievos, pasi udhëtuesit nuk kanë treguar asnjë rrezik, duke zbritur në fushë për “turizëm”.

Edhe pse ka krijuar raste të shumta, Interi u mjaftua me golin e Ikardit, ndaj dhe me fitoren e sotme, renditja fillon të buzëqeshë pasi vendi i tretë është vetëm -1 pikë larg.


Administratorja e deleguar e Milanit, Barbara Berluskoni, pak ditë më parë ka deklaruar se Milani i këtij sezoni nuk mund të shkojë më shumë se Liga e Evropës.

Deklarata e Barbaras është kthyer në sfidë për lojtarët e Milanit, të cilët kanë marrë plot 9 pikë në tre takimet e fundit, duke i fituar të gjitha.

Fitorja në derbi i ka dhënë moral kuqezinjve, të cilët kanë kaluar me lehtësi një transfertë të vështirë në Siçili kundër Palermos.

Gjithçka ka ndodhur në pjesën e parë, pasi Karlos Baka ka shënuar për “djajtë” në minutën e 19-të, ndërsa më pas sulmuesi francez, Niang ka hedhur “në tapet” Palermon, duke shënuar të dytin nga pika e bardhë.

Vendasit në pjesën e parë, kanë rënë “viktima” të presionit kuqezi, ndaj dhe reagimi ka qenë “fantazmë”.

Pas pushimit, Palermo tentoi të krijojë rrezik, por Milani u mbrojt me qetësi, madje në shumë raste ishte pranë golit të tretë.

Fërshëllima e fundit nuk ka sjellë asnjë surprizë. Milani fitoi ndeshjen e tretë falë golave të Bakës dhe Niang, duke treguar se “Djalli” ka potencial dhe nuk do të mjaftohet vetëm me Ligën e Evropës.


Napoli nuk i jep asnjë shans Juventusit në garën e “nxehtë” për kreun e Serisë A, ndaj dhe në përballjen e sotme fitoi me meritë sfidën e vështirë në “Olimpiko”.

“Të kaltrit” dominuan të gjithë ndeshjen, falë indiferencës së vendasve që luanin pa disa titullarë të rëndësishëm.

Higuain vijon serinë e golave duke zhbllokuar rezultatin me golin numër 24 në kampionat. Vetëm 3 minuta më vonë, Kajehon i ka prerë të gjitha shpresat e Lacio, duke shënuar të dytin.

Pushimi nuk solli asnjë reagim të Lacios që sfidën e sotme e mbylli pa asnjë goditje drejt portës së Napolit. “Të kaltrit” u mjaftuan me dominimin dhe avantazhin e pjesës së parë, ndaj dhe preferuan ta administrojnë me qetësi.

Fitorja e sotme e mban Napolin, sërish në “fronin” e Serisë A me vetëm +2 pikë nga Juventusi, por “Zonja e Vjetër” po shfaqet “frikshëm” ndaj dhe gara e titullit do të dhurojë emocione deri në javën e fundit.


Juventusi nuk ka ndërmend t’i ndahet Napolit në garën për titullin kampion, ndaj dhe vijon serinë e fitoreve.

Bardhezinjtë triumfuan në “Juventus Stadium”, duke mundur Xhenoan edhe pse mund të thuhet se udhëtuesit mundën veten, pasi goli i vetëm i sfidës është shënuar nga mbrojtësi i Xhenoas, De Maio.

Mbrëmja e sotme ka qenë “magjike” për trajnerin Alegri, i cili ka rishkruar historinë e Juventusit, duke thyer rekordin e trajnerit Konte, i cili ka arritur vetëm 12 fitore resht në sezonin 2013-14.

“Zonja e Vjetër” fitoi ndeshjen e 13-të në kampionat, ndaj dhe synimi i radhës i Alegrit është të thyejë rekordin e Interit të Mançinit, i cili arriti 17 fitore në seri.

Kalendari i ngjeshur ka limituar spektaklin, pasi ekipet kanë krijuar pak raste, por sërish Juventusi ishte padron në fushë edhe pse sfidën e sotme e ka mbyllur me 10 lojtarë, pasi pak minuta nga fundi sulmuesi Zaza u ndëshkua me të kuq, ndërsa Xhenoa vijon të zhgënjejë në transfertë ku prej nëntorit ka fituar vetëm një herë.


Nuk pati fatin të luante 90 minuta, sepse doli për një dëmtim që në fillim të ndeshjes dhe vetëm nesër do të mësohet diçka më shumë për shkallën e dëmtimit, por Arlind Ajeti ka të drejtë të festojë sot, sepse Frozinone është kthyer te fitorja.

Edhe pse në fundin e tabelës, Frozinone nuk dorëzohet dhe sot ka mundur 1-0 Bolonjën, duke hedhur një hap të madh përpara në renditje dhe duke nisur të shpresojë te mbijetesa.

Golin vendimtar e shënoi sulmuesi Dionizi në minutën e 77-të me penallti, ndërsa Bolonja protestoi gjatë për një pozicion jashtë loje të padhënë ndaj Samarkos, në aksionin e penalltisë.

Më parë Bologna ishte ndëshkuar me karton të kuq, në minutën e 64-t, kur u ndëshkua Oikonomou.

Fitorja është e para pas dy muajsh për Frozinonen, që në fushën e vet ka një rendiment të shkëlqyer, me 17 pikë nga 19 që ka në total, por nëse nuk nis të fitojë jashtë fushe, ka pak shanse për mbijetesë.

(Sportal)

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Gashi largohet nga Baseli, destinacioni i ri: SHBA-të
Prapaskena/ Si dështoi miku i Maradonës për të sjellë Batistutën në Lushnjë »
Article Logic
Execution time: 0.082979202270508
array(1) { ["section"]=> string(72) "interi-i-kthehet-fitoreve-napoli-dhe-juve-vazhdojne-garen-e-ashper-31681" }