Intervista / Ilir Meta: Pse nuk shkova në 25 vjetorin e PD-së

Publikuar tek: politike, më 18:55 23-12-2015 Intervista / Ilir Meta: Pse nuk shkova në 25 vjetorin e PD-së

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, sqaroi në një intervistë të televizionit “Scan” se përse nuk ishte i pranishëm në festën e 25-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike.

Ai dhe kryeministri Rama kishin marrë nga një ftesë për të qenë prezentë, mirëpo asnjëri prej tyre nuk shkoi.

Meta e kaloi me një urim festën e PD-së, ndërsa u kritikua për mospjesëmarrjen nga kreu i kësaj partie, Lulzim Basha.

Por Meta tha se atë ditë ishte edhe promovimi i librit të ish-ambasadorit shqiptar në Gjermani, të cilit Meta i kishte dhënë fjalën që një javë para se do të merrte pjesë.

INTERVISTA

Në fundvit të gjitha institucionet bëjnë një bilanc të punës dhe adresojnë sfidat për vitin e ardhshëm. Për vitin 2015, çfarë do të vlerësonit më shumë në veprimtarinë e pushtetit ligjvënës?

Në dallim paksa nga ai i mëparshmi ka sjellë një Parlament edhe më funksional, pavarësisht nga debatet apo retorikat shpeshherë të karakterit më shumë mediatik sesa real apo përmbajtësor. Është punuar më shumë midis mazhorancës dhe opozitës. Njëkohësisht besoj se kemi përmbyllur një proces mjaft të dëmshëm për imazhin e Parlamentit, të institucioneve dhe të vendit, i ashtuquajturi dekriminalizimi, me konsensus të plotë.

Mendoj që është një arritje jo thjesht për të rikuperuar një dëm që iu bë imazhit të Parlamentit e të institucioneve aktualisht, por edhe që ndihmon për vendosjen e disa standardeve shumë më të larta për përfaqësimin publik të qytetarëve tanë për të ardhmen. Njëkohësisht është bërë një punë e konsiderueshme për reformën në drejtësi, punë përgatitore nga Komisioni parlamentar për këtë çështje dhe nga ekspertët që kanë punuar me këtë komision, që pas vlerësimeve dhe opinioneve të Komisionit të Venecias do të konkludohet më tej nga Kuvendi, shpresoj brenda pranverës që vjen.

Së fundmi ju i keni dërguar një letër krerëve të grupeve parlamentare ku kërkoni nisjen e procesit të reformës zgjedhore, natyrisht sipas rekomandimeve të OSBE/ ODIHR-it edhe pse jemi një vit e gjysmë larg zgjedhjeve të ardhshme. Çfarë do të kërkoni që të ndryshojë në ligjin elektoral? Ndoshta ajo është një kërkesë e adresuar sipas ndërkombëtarëve. Kujtoj këtu se lider të opozitës kanë hedhur idenë e tkurrjes së numrit të deputetëve në Parlament? Ju si e gjykoni këtë ide?

Është një traditë tashmë që pas zgjedhjeve lokale apo parlamentare, OSBE-ODIHR gjithnjë bën disa vlerësime për zgjedhjet dhe lë disa rekomandime për përmirësimin e standardit të zgjedhjeve në të ardhmen. Kjo është dhe arsyeja se përse unë u kam kërkuar kryetarëve të grupeve parlamentare që të ngremë një komision të përbashkët bipartizan, mazhorancë-opozitë, për t’i zbatuar këto rekomandime apo dhe për të diskutuar çështje të tjera. Çështje që përmirësojnë më tej standardet tona të zgjedhjeve apo e bëjnë edhe më demokratik përfaqësimin e qytetarëve shqiptarëve përmes ndryshimit apo reformave që mund të bëhen në Kodin Elektoral.

Së fundmi Lëvizja Socialiste për Integrim, partia që ju drejtoni, ka miratuar një platformë për rritjen e transparencës dhe financimin e partisë. A mendoni se kjo ide duhet mbështetur edhe nga parti të tjera?

Edhe një nga rekomandimet e OSBE-ODIHR-it ka qenë dhe mbetet thellimi i transparencës, sidomos financimi i partive në fushatat e zgjedhjeve, por jo vetëm. Është edhe një shqetësim i qytetarëve tanë për të patur një sistem politik shumë më transparent se sa kemi patur deri më tani dhe kjo natyrisht që duhet të jetë edhe një nga objektivat kryesore të këtij komisioni për reformimin e Kodit dhe për zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Ashtu sikurse ju përmendët, pavarësisht nga ndryshimet e ardhshme që priten dhe që shpresojmë të realizohen, Lëvizja Socialiste për Integrim ka ndërmarrë një iniciativë të saj si forcë politike, që është bërë publike dhe që tashmë është në veprim. Në këtë drejtim ka kërkuar dhe bashkëpunimin edhe me Institutin Demokratik Amerikan, me të cilin ka një përvojë dhe për shumë programe të tjera, për rininë apo për fuqizimin e rolit të gruas në vendimmarrje. Shpresojmë që ky bashkëpunim të jetë model për të realizuar një transparencë të plotë dhe maksimale.

Z. Meta, çfarë shihni si sfida në vitin e ardhshëm në veprimtarinë e Kuvendit? Reformën në drejtësi e prekëm natyrisht.

Natyrisht kjo është sfida më e madhe dhe që unë besoj se do të konkludohet me përgjegjshmëri, me transparencë, me gjithëpërfshirje, sepse është reformë mjaft e rëndësishme dhe është një reformë që duhet të garantojë qëndrueshmëri, efektivitet dhe mbi të gjitha, të preket nga qytetarët në jetën e tyre të përditshme.

Ka një ashpërsim së fundmi në fakt edhe të deklaratave të ndërkombëtarëve. “Do të vendoset një mur i ri izolimi”, theksoi së fundmi ambasadori amerikan Lu dhe ambasadorja e BE, Vlahutin.

Unë besoj se jemi në rrugën e duhur dhe jam i bindur që Parlamenti do t’i marrë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë për të ushtruar ato përgjegjësi që kërkojnë qytetarët e vendit tonë, të cilët kanë votuar për zgjidhjen e këtyre problemeve. Dhe problemi i drejtësisë, apo për fat të keq edhe shpeshherë i padrejtësisë, është një problem kryesor që shqetëson qytetarët tanë. Jam i bindur se të gjitha forcat politike do të angazhohen për ta kurorëzuar me sukses këtë proces dhe këtë reformë në mënyrë të përgjegjshme, në mënyrë racionale, larg emocioneve që nuk e ndihmojnë as reformën të realizohet në cilësinë e duhur, por as publikun për të kuptuar se si kjo reformë do të preket prej tyre. Pra larg çdo lloj emocioni dhe tensioni të panevojshëm.

Ecuria dhe zhvillimi ekonomik i vendit për vitin e ardhshëm natyrisht do të varen kryesisht nga Buxheti. Nga Kryeministri vlerësohet si një projekt ambicioz për mbështetjen e ekonomisë dhe konsolidimin fiskal. Z. Meta si e gjykoni buxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2016. Kujtoj që përfaqësues të LSI-së që ju drejtoni kanë shfaqur mendim ndryshe të themi për disa zëra si në buxhet ashtu edhe në paketën fiskale?

Është gjëja më e thjeshtë të shfaqësh mendime të ndryshme përsa i takon buxhetit, zërave të ndryshëm, nga kushdo, por në rastin konkret çdo debat tregon përgjegjshmërinë e deputetëve për të qenë aktiv dhe për të bërë një buxhet sa më të mirë. Buxheti ka disa kufizime, ka disa objektiva makroekonomik, që janë të detyrueshëm për t’u patur në konsideratë për arsye të borxhit të lartë që vendi ynë ka trashëguar, me të cilin ndeshet dhe që përfaqëson në rast të një mosmenaxhimi të përmbajtur dhe rigoroz, një rrezik për stabilitetin makroekonomik dhe për rritjen ekonomike në të ardhmen. Janë disa detyrime që vijnë edhe nga marrëveshja, që ne kemi me Fondin Monetar Ndërkombëtar në këtë proces stabilizimi dhe ristrukturimi. Po është e rëndësishme të mos harrojmë

Në tërësinë e tij si e shihni?

Në tërësinë e tij është një buxhet pozitiv, sepse garanton një rritje ekonomike më të lartë për vitin e ardhshëm, rreth 3.4-3.5%.

Nëse nuk do të kemi dy rishikime siç na ndodhi në 2015

Unë besoj se është një fakt që edhe rritja ekonomike e vitit 2015 është dukshëm pranë objektivit që ishte, pavarësisht nga vështirësitë. Sepse kuptohet që ekonomia jonë është një ekonomie e integruar dhe që është e ekspozuar ndaj avantazheve, por edhe ndaj risqeve që vijnë nga faktor të jashtëm që janë të pandikueshëm nga ecuria jonë këtu. Në tërësi unë besoj se është pozitiv, sepse jo vetëm që garanton një rritje më të lartë për vitin që vjen, por njëkohësisht është një buxhet që garanton në një periudhë më afatmesme dhe më afatgjatë vazhdimësinë e kësaj rritje ekonomike dhe kjo garantohet mes realizimit dhe konsolidimit fiskal që duket qartë në disa elementë, siç është për herë të parë pas kaq vitesh do të realizohet një ulje e borxhit. Së dyti do të kemi gati një përgjysmim të deficitit dhe njëkohësisht për herë të parë mbas 6 vitesh do të kemi një shfaqje të suficitit primar. Pra këto janë disa elementë, që na garantojnë rritjen jo vetëm për vitin 2016, por edhe për vitet e ardhshme, dhe natyrisht këto objektiva përcaktojnë disa kufizime në zëra të ndryshme.

Këto kufizime mos kanë qenë pak më shumë seç duhet përsa i përket sektorëve prioritarë si arsimi, shëndetësia, infrastruktura?

Natyrisht po të ishte një rritje 7-8% situata do të ishte shumë e relaksuar, por në parametrat aktual çdo zhvendosje e debatit në zëra të caktuar nuk do të ishte shumë realiste, sepse do të ishte shkëputur nga e tëra, nga buxheti si një instrument i tërë juridik, financiar, ekonomik dhe social. Por ajo që unë dua të theksoj është se buxheti nuk është i vetmi instrument, pavarësisht se është vendimtar dhe shumë i rëndësishëm për zhvillimin dhe rritjen ekonomike. Mendoj që elementë mjaft të rëndësishëm janë përmirësimi i klimës së biznesit, rritja e lirisë ekonomike, dhe së dyti zhvillimi edhe konkretizimi i një partneriteti më të fuqishëm publik edhe privat, për të cilën ne e kemi legjislacionin, që do të bëjë të mundur rritjen e investimeve private në shumë sektorë të rëndësishëm publik, përfshirë këtu shëndetësinë, infrastrukturën në përgjithësi, por edhe në shumë fusha të tjera. Pra, pasja në konsideratë e këtyre dy elementëve, dhe realizimi me rigorozitet i buxhetit, që besojmë do të monitorohet tashmë çdo tre muaj, do të bëjnë të mundur që ne të ecim të sigurt drejt realizimit të objektivave të këtij buxheti.

U ndalëm gjatë tek buxheti, por në fakt është e pashmangshme duke qenë se Televizioni SCAN është i fokusuar kryesisht tek ekonomia. Veç debateve, z. Meta seancat kuvendore shoqërohen shpesh me fyerje, sharje dhe në shumë rasteve një përdorim fjalori jo etik mes deputetëve. Ju në fakt nga hera keni theksuar nevojën e një Kodi Etik, a mendoni se do ta kemi në 2016 një kod për sjelljen e ligjvënësve?

Varet vetëm nga vullneti i grupeve parlamentare, sepse ne në bashkëpunim me OSBE-në kemi përgatitur një Kod Etike, që prej kohësh është në dispozicion të grupeve parlamentare. Dhe kemi insistuar vazhdimisht që të dakordësohet për t’i bërë edhe përmirësimet që mund të pretendojnë përfaqësues të grupeve të ndryshme në mënyrë që ta miratojmë dhe ta respektojmë këtë kod. Mendoj që vetëm dekriminalizimi nuk mjafton për të ngritur kualitetin e përfaqësimit të Kuvendit dhe në këtë drejtim nuk mjafton vetëm të mos kemi individë që kanë patur probleme apo që kanë qenë të dënuar në të kaluarën, që lë shkak për debate të forta, por njëkohësisht duhet të dekriminalizojmë edhe mënyrën se si i drejtohemi njëri-tjetrit. Sepse kjo nuk ka të bëjë me raportet midis një deputeti dhe një tjetrit, midis grupeve të ndryshme parlamentare, por ka të bëjë me komunikimin publik me qytetarët që votojnë dhe që zgjedhin deputetët për t’u përqendruar te problemet dhe shqetësimet e tyre. Jo thjesht për të denigruar dhe për të akuzuar njëri-tjetrin shpeshherë në mënyrë fyese dhe banale, gjë që jo vetëm ul standardin e komunikimit dhe të punës së Kuvendit dhe të imazhit të tij, por njëkohësisht edhe shmang thelbin e debatit nga detyrimet që ka Kuvendi dhe kanë ligjvënësit për të zgjidhur çështje më shqetësuese që kanë qytetarët sot.

Pak ditë më parë Partia Demokratike festoi 25-vjetorin e krijimit, ju u përcollët një urim me këtë rast demokratëve, por duke qenë se nuk ishit i pranishëm në festë pati edhe një koment nga ana e liderit demokrat Basha. Konkretisht e cilësoi si mungesë emancipimi për të përkujtuar themelimin e partisë së parë pluraliste. A keni një përgjigje për të?

Nuk e kuptoj këtë mospjesëmarrje si të tillë, sepse unë kam qenë vazhdimisht në festat e PD-së në të kaluarën. Por meqenëse ju bëtë një pyetje dhe unë nuk dua t’i rrëshqas pyetjes suaj, mund t’ju jap një përgjigje shumë korrekte. Që në të njëjtën kohë ka patur një prezantim të një libri të shkëlqyer ish-ambasadori i Shqipërisë në Gjermani dhe në vende të tjera dhe ish-kolegu im edhe këtu në Parlament dikur, z. Bashkim Zeneli. Një libër me mjaft vera dhe për pjesëmarrjen në prezantimin e këtij libri unë ia kisha dhënë fjalën z. Zeneli prej më shumë se një jave më parë. Jo vetëm kaq, por për këtë arsye shkurtova edhe qëndrimin në Gjermani, ku merrja pjesë në Kongresin e SPD-së për të qenë korrekt. Ndërsa për ftesën e PD-së jam njoftuar nga stafi im vetëm mëngjesin e ditës kur kjo festë do të bëhej. Kështu që unë bëra një kompromis, sepse jam i detyruar edhe në pozicionin e Kryetarit të Kuvendit të bëj kompromise, isha i detyruar të mbaja fjalën e dhënë për të marrë pjesë në prezantimin e z. Bashkim Zeneli dhe i dërgova një mesazh publik PD-së duke e uruar për themelimin e saj, sepse është vërtetë një parti që ka meritën historike që me lindjen e saj çeli edhe pluralizmin politik në vend.

A do të kishit shkuar nëse nuk do të kishit një përplasje axhendë?

Patjetër dhe po të isha njoftuar në kohë. Nuk mund të isha në të njëjtën kohë në dy vende.

Jemi në fund të 2015-s dhe për 2016-n cila është thirrja, jo urimi, ndaj politikanëve të kampeve kryesore politike? Çfarë duhet të bëjnë së pari për 2016-n?

Së pari, duhet ta mbyllim në një mënyrë sa më paqësore të themi 2015-n. Dhe i kemi të gjitha arsyet për këtë gjë. Ndryshimet Kushtetuese i hapin rrugë implementimit të procesit të dekriminalizimit me konsensus të plotë. Kjo është një arritje mjaft e rëndësishme dhe për opozitën është një arritje e veçantë në këtë drejtim. Natyrisht pas Krishtlindjeve dhe pas festës së Vitit të Ri ta fillojmë vitin tjetër me më shumë qetësi dhe dashuri. Në radhë të parë për qytetarët që përfaqësojmë, por edhe për njëri-tjetrin sa të mundemi.

Urimi që sapo përmendët ka ndodhur që për Pashkë, tashmë nuk është më ekskluziviteti juaj, pasi togfjalëshi “me qetësi dhe dashuri” përdoret në masë. Z. Meta ku do e kaloni Vitin e Ri?

Vitin e Ri gjithmonë e kaloj këtu më familjen.

Cili është urimi për shqiptarët?

Uroj një vit më të paqtë, më të begatë. Uroj harmoni dhe më shumë gëzime në familjet e tyre.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Piktura e Edi Ramës “Në shërbim të popullit”, të përndjekurit ia kthejnë mbrapsht
Pasaportat për të miturit, Ministira e Brendshme merr vendimin »
Article Logic
Execution time: 0.0058400630950928
array(1) { ["section"]=> string(64) "intervista-ilir-meta-pse-nuk-shkova-ne-25-vjetorin-e-pd-se-28422" }