INTERVISTË/ E shkarkoi Kumbaro, RIKTHEHET Bardhyl Londo: Ja kë përfaqëson Mirela (Politika dhe letërsia sot, në sytë e poetit)

Publikuar tek: kulture-art, më 21:04 31-05-2018 INTERVISTË/ E shkarkoi Kumbaro, RIKTHEHET Bardhyl Londo: Ja kë përfaqëson Mirela (Politika dhe letërsia sot, në sytë e poetit) Bardhyl Londo

Nga Klesiana Omeri

Krijimtaria e tij futet në atë plejadë të shquar krijimtarish që nuk u bë pjesë e regjimit komunist.

Bardhyl Londo, një nga shkrimtarët më të njohur në periudhën e komunizmit dhe jo vetëm, ish-deputet i Partisë Demokratike, vazhdon të mbetet aktual jo vetëm me veprat, por edhe duke qenë gjithmonë i gatshëm për të komentuar aktualitetin.

Në një intervistë ekskluzive për NewsBomb.al shkrimtari  komentoi ngjarjet politike dhe kulturore më të diskutuara së fundmi, por pa lënë mënjanë artin, veprat e tij dhe letërsinë. Libri i fundit, me cikël poezish është ndër veprat e preferuara të poetit të njohur. Plot ndjeshmëri artistike, forcë komunikuese, artisti duket se ka shprehur gjithë ndjenjat e tij. Sakaq, si një figurë e njohur në politikën shqiptare, Londo foli për NewsBomb.al për rolin e opozitës në ngjarjet kryesore në vend, për Teatrin Kombëtar dhe letërsinë sot.

I lidhur fort me kulturën dhe artin në vend, deri në vitin 2013 shkrimtari i njohur ka mbajtur postin e këshilltarit pranë Ministrisë së Kulturës, por që u shkarkua menjëherë pas ardhjes së ministres aktuale Mirela Kumbaro, e sigurisht nuk mund të lihej mënjanë debati më i përfolur prej muajsh, ndërtimi i Teatrit Kombëtar, dhe qëndrimi i Ministres Kumbaro për këtë çështje.

INTERVISTA E PLOTË:

-Cikli i poezive “Shën Shiu”, u prit mjaft mirë nga dashamirësit e poezisë. Çfarë e bën këtë vepër kaq të veçantë për ju dhe lexuesit tuaj?

-E kam pasur të vështirë të flas për librat e mi të preferuar, të them që është kjo ose kjo tjetra, por libri i fundit me poezi, “Shën Shiu”, ka poezi që më pëlqejnë shumë, shumë më shumë se të tjerat. Frymëzimi për këtë vepër ka qenë i ndryshëm. Është gjysmë mistik, gjysmë i pashpjeguar, vetëm ndihet kur vjen, por nuk di ta shpjegosh.

-Veprat tuaja kanë luajtur rol të rëndësishëm në kohën e komunizmit. Ku e shihni rolin e krijimtarisë suaj sot?

-Krijimtaria ime në atë kohë, ka qenë e inkuadruar bashkë me të gjithë krijimtarinë e shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, dhe atë rol që kanë luajtur disa nga veprat më të mira të asaj kohë, të njëjtin rol kanë luajtur dhe disa nga veprat e mia. Atëherë kanë pasur një ndjeshmëri më të theksuar në jetën politike, ndërsa tani varet nga njeriu nga personi. Sot është një situatë krejt tjetër, pasi edhe letërsia ka një mision krejt tjetër, që ta bëjë më njerëzore shoqërinë, më të ndjeshme. Nuk ka atë mision që mund ta ketë një shoqëri diktatoriale, një shoqëri ku shtypja e të drejtave dhe individit të njeriut është evidente.

-Në takimin e fundit që realizuat me miqtë tuaj shkrimtarë, të pranishëm në ishin dhe shkrimtarë të rinj, madje ishin të shumtë në numër. Çfarë mendoni për përpjekjet e tyre për të depërtuar në letërsinë e ditëve të sotme?

-Mendoj se ka shkrimtarë shumë të talentuar, ka një numër jo të vogël shkrimtarësh, që jo vetëm premtojnë shumë, por kanë arritur shumë, kanë bërë vepra që do mbeten në letërsinë shqipe. Ata duhen përkrahur. Fatkeqësisht përkrahja është pothuajse inekzistente, dhe ata duhet të çajnë vetë, duhet të bëjnë një çdo gjë vetë, gjë që është tepër e mundimshme, është tepër fyese, por është edhe tepër dekurajuese, dhe pikërisht nga këto pengesa që hasin, ata shpesh duke qenë dhe të talentuar, shumë të talentuar madje, mbeten rrugës, lodhen dhe deziluzionohen dhe më në fund e braktisin.

-Keni pasur postin e këshillarit pranë Ministrisë së Kulturës, dhe i njihni më nga afër problematikat e artit dhe kulturës në vend. Cili është mendimi juaj për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe përpjekjet e artistëve për ta ndaluar këtë nismë?

-Nuk është gjë e re, është gjë e lashtë që ka mbi 20 vite që është hapur ky debat dhe fatkeqësisht nuk është mbyllur akoma. Mendoj njëherë në radhë të parë se ka një mungesë shumë të madhe transparence, sepse pa thënë çfarë do bëhet dhe si do bëhet, gjëja e parë që thuhet është që do prishet teatri, pa sqaruar më parë se çfarë duhet bërë. Pastaj dalin lloj lloj gjërash që të çojnë në përfundimin që a është vërtetë synim ndërtimi i një Teatri të ri, apo janë interesa të tjera ekonomike, gjëra të tjera që përfshihen. Unë mendoj që në këtë situata, veçanërisht duhen përkrahur artistët, sepse ata e ndjejnë, janë të lidhur direkt, dhe e ndjejnë më shumë nga të gjithë. Mendimi i tyre duhet marrë për bazë, dhe të jetë pikë orentimi. Pa mendimin e tyre nuk mund të bëhet asnjë veprim, sepse ndryshe, nuk është dhe veprim demokratik. Në rast se merret vendimi dhe pastaj ju kërkon atyre të thonë atë që ti do të thonë, atëherë janë kot të gjitha gjërat, sa për të kaluar radhën.

-Si e shihni rolin e ministres Kumbaro në këtë debat të krijuar prej muajsh, dhe si e vlerësoni qendrimin e saj?

-Ajo ka mbajtur një qendrim që nuk duhet ta mbajë një ministër Kulture. Ministri i Kulturës, pavarësisht se është i emëruar nga persona me përkatësi të caktuar politike, me artistët duhet të mbajë lidhje pak më intime. Nuk mund të jetë ministrja e Kulturës si ministrat e tjerë, në lidhje me artistët. Gjithmonë duhet të jetë më pranë tyre dhe madje të çojë zërin e tyre në qeveri. Mirela Kumbaro më duket se nuk bën këtë gjë. Mirela bën të kundërtën, nuk çon zërin e artistëve në qeveri. Nuk i përfaqëson ata, përfaqëson qeverinë te artistët.

-Si njohës i mirë i politikës në vend dhe si ish-deputet i Partisë Demokratike, çfarë mendoni për trazirat e ndodhura së fundmi, dhe rolin e opozitës?

-Besoj se roli i opozitës është të ndërgjegjësojë njerëzit për të metat e qeverisë, çfarë mund të bëhet më mirë, gjithsesi opozita është aktive, dhe sidmos për çeljen e negociatave. Por nuk mund të mbyllë sytë, për atë çfarë po ndodh në Shqipëri. Sa i përket protestave, protestat në një shoqëri demokratike, janë gjëja më e zakonshnme dhe më të domosdoshme. Është keq kur nuk ka protesta. Në një shoqëri si e Shqipërisë, që ka pasur një tranzicion të zgjatur dhe të zgjatur dhe që nuk po mbaron kurrë, në rast se njerëzit do të ishin më aktivë, në rast se do të protestonin vazhdimisht, atëherë nuk do të ishim në këtë gjendje që do të ishim sot, sepse heshtja është pranimi i asaj situate që nuk duhet të jetë. Unë mendoj se protestat asnjëherë nuk janë të këqija, vetëm në rastet kur nuk janë të dhunshme. Protestat që janë paqësore, janë gjithmonë të drejta.

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Koncert në kryeqytet, Ermal Meta niset drejt atdheut
Sonte Ermal Meta këndon në sheshin Skënderbej, FALAS për të gjithë »
Article Logic
Execution time: 0.0046780109405518
array(1) { ["section"]=> string(127) "interviste-e-shkarkoi-kumbaro-rikthehet-bardhyl-londo-ja-ke-perfaqeson-mirela-politika-dhe-letersia-sot-ne-syte-e-poetit-122807" }