Inva Mula: Në Beograd më pritën si diva, emocione që rrallë i kam ndjerë

Publikuar tek: kulture-art, më 08:25 28-05-2016 Inva Mula: Në Beograd më pritën si diva, emocione që rrallë i kam ndjerë

"Ishte një stuhi e fuqishme dhe u quajt si tërmet në Beograd, u mbyta nga duartrokitjet, u mbyta nga bravot, u mbyta nga pritjet e artdashësve. Dhe sikur humba në atë atmosferë kaq të bukur të një emocioni të jashtzakonshëm që rrallë herë e kam ndjerë. Ky ishte misioni im" ka thënë Inva pas interpretimit në 'La Boheme'.

Në një intervistë për Gazetën Shqiptare ajo ka treguar se në Beograd ajo ka qenë e shoqëruar nga bashkëshorti i saj.

“Nuk ishte kollaj për të të shkonte në Beograd mbas kaq shumë vitesh ngjarje, parndaj vizita jonë kishte një karakter personal shumë delikat. Megjithatë arti është fitimtar, është ai që të zhvesh nga paragjykimet” ka thënë sopranoja.

-Ishit sopranoja e dytë që performonte në Beograt si u ndjetë?

Ky është një eveniment shumë i madh dhe unë e ndjeva këtë përgjegjësi të madhe në radhë të parë artistike dhe e trajtova si të tillë. Nuk doja të merrja mbi supe asnjë lloj peshe të kësaj mardhënie e cila ka qenë e vështirë ndërmjet dy vendeve. Mendova se gjeja më e mirë që mund të bëja ishte të kisha një parqitje shumë dinjitoze.

-Si u pritët nga kolegët në teatër?

Të them të drejtën gjeta mikpitje në teatër dhe një trajtim që i'u bëhej divave të vërteta. Ata kishin një organizim shumë të madh dhe dinjitoz. Fotografia ime në banerin e madh ishte në hyrje të operas dhe në të kishte epitete të jashtëzakonëshme. Që aty e kuptova se kishte dashuri për atë shfaqe.

-Ju u pritët nga kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, madje në takim kishte edhe flamurin shqiptar. Për çfarë u bisedua?

Etapa e dytë e kësaj ngjarje ishte shumë e rëndësishme, ishte kur u komunikua me kryeministrin Vuçiç në zyrën e tij dhe të them të drejtën u befasova. U befasova sepse vizita ime nuk ishte në kuadrin e një vizite zyrtare sepse unë nuk përfaqësoj asnjë zyrë, përfaqësoj artin tim.

U kërkua një takim i tillë sepse ishte ngjarje dhe u vlerësua shumë që një artiste shqiptare shkonte mbas 71 vitesh në Beograd. Në takimin me kryeministrin isha e shoqëruar nga ambasadori Ilir Boçka dhe drejtori i operas Dejan Saviç.

Kur hyra në kryeministri personi i protokollit më thotë se duhet të ulesh nga ana e flamurit, por e papërcaktuar se në cilën ngjyrë të flamurit dhe kur hyra në zyrë pashë flamurin shqiptar në zyrën e pritjes së kryeministrit. U emocionova shumë.

-U duk se u pritët si përfaqësuese e Shqipërisë në një farë mënyre, apo jo?!

Unë them që kjo u përkthye me një respekt për artin shqiptar për artisten shqiptare, që unë isha dhe përfaqësoja kombin tim. Ishte një instalim i një atmosfere, shumë të bukur. Vlerësimet nga ana e kryeministrit ishin shumë të mëdha për artisten që unë jam dhe për atë që unë kam bërë, për atë që përfaqësoj në këtë moment që shkoj në Beograd dhe për këtë pritje që kishin bërë artdashësit e Beogradit që ishin të shumtë dhe për një fillim të një bashkëpunimi në fushën e kulturës ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.

Unë mendoj që këto janë pika shumë të rëndësishme, ka shumë artistë shqiptarë që mund ta bëjnë këtë punë ashtu si unë e fillova dhe ka shumë artistë shumë të mirë të Serbisë që mund të vijnë të performojnë tek ne, jo vetëm në muzikë, por edhe në artet e tjera të bukura ku nuk mungojnë artistët e personalitet e mëdha që kemi, prandaj do të thosha që ishte instalimi i kësaj fryme të bukur për të vënë ura lidhëse ndërmjet dy shteteve tona.

Urat lidhëse, më të bukura, më solide dhe më të shkurtrat janë urat e artit dhe besoj se me shfaqjen e “La Boheme” në Operën e Beogradit u vendos një urë e rëndësishme.

-Një moment i rëndësishëm ishte shfaqja e operës “La Boheme”, ku ju interpretonit Miminë. A kishit emocione?

Kjo ishte një etapë tjetër që ishte më e rëndësishmja. Interesimi ishte i jashtëzakonshëm, biletat ishin shitur dy javë më parë, teatri ishte stërmbushur dhe kishte një atmosferë vërtet artistike. Të gjithë pjesëmarrësit kishin një përgjegjësi të madhe për të bërë një nga shfaqjet më të bukura me përgjegjësi artistike e me një mobilizim të veçantë. Çdo gjë ishte e organizuar deri në detaj. Kostumet për mua ishin gati kur unë arrita. Pjesa e organizimit që kërkon shfaqja, ashtu si provat me orkestër, që mua mu bë një provë, në pozita normale të një shfaqje që të mos kisha emocione.

-Dirigjenti ishte drejtori i operës, Dejan Saviç. Ai u është gjendur pranë dhe sa i takon kërkesave tuaja artistike?

Mendoj që në momentin që vajtja në teatër dhe pashë gatishmëri, për të më veshur, për të më krehur, kisha një ekip të tërë në dispozicion që merrej me mua dhe një ekip teknik po ashtu që unë të isha sa më komode për të dhënë më të mirën time dhe ashtu ndodhi. Nga ana artistike, nga ana muzikale, me orkestrën patëm bashkëpunim të jashtëzakonshëm e sidomos me dirigjentin, Dejan Saviç që më ndoqi në çdo moment dhe mu përgjigj në çdo gjë, muzikalisht çdo frazë, çdo efekti vokal që unë kërkoja të interpretoja në shfaqje.

-Kemi lexuar se patët sukses, por mund të na thoni si e pritën spektatorët Miminë tuaj?

Sigurisht që momenti kulminant ishte se nuk e dija si do të pritesha në fund, pra në fund të shfaqjes. Ju e dini që në fund janë ato duartrokitjet personale që merr çdo artist. Dhe fundja punon dhe jep gjithçka pikërisht për ato minutat e duartrokitjeve. Ishte një stuhi e fuqishme dhe u quajt si tërmeti në Beograd se unë u mbyta nga duartrokitjet, u mbyta nga bravot, u mbyta nga pritjet e artdashësve. Dhe sikur humba në atë atmosferë kaq të bukur të një emocioni të jashtëzakonshëm që rrallë herë e kam ndjerë. Nuk e di, por krijohen disa momente që edhe nga pritja e publikut, i cili kënaqet nga një performancë, të bën të japësh më të mirën nga vetja.

-A ishte ky misioni i Invës në Beograd, ky sukses?

Them se u krye një mision nga ana ime, një mision do thosha shumë delikat që të ishte më i miri në shumë drejtime, por u krye në formën më të mirë të mundshme dhe nuk më ngelet gjë tjetër që të falënderoj në radhë të parë të gjithë ata që u bënë nismëtarë të këtij aktiviteti siç ishte drejtori Ilir Kerni në Tiranë dhe drejtori i Operës së Beogradit, Dejan Saviç.

- A ishte bashkëshorti juaj me ju në Beograd?

A patët mbështetjen e tij për këtë shfaqje? U shoqërova nga bashkëshorti im Hetem Ramadani, i cili më qëndroi çdo moment afër. Nuk ishte edhe për të kollaj që të shkonte në Beograd mbas shumë vitesh e ngjarjeve prandaj vizita jonë kishte një karakter personal shumë delikat. Megjithatë arti është fitimtar, është ai që na zhvesh nga paragjykimet, është ai që na çliron për të dhënë më të mirën. Dhe këtë të mirë ne e pamë tek publiku, e pamë tek artdashësit, e pamë tek vetja jonë.

-Si u pritët nga media serbe?

Media ishte shumë e interesuar. Nuk refuzova asnjë intervistë sepse e dija që ishte në dobi të imazhit të artistit shqiptar. Pra kanë qenë media radiofonike, të gjitha gazetat kryesore, artikulli të nesërmen në gazetën e njohur “Danas” ishte i gjatë, ishte intervistë në emisionin qendror të lajmeve, ndërsa pas shfaqjes kam qenë direkt në televizionin “PINK”, në emisionin e paradites që ishte me imazhet e shfaqjes. Ka qenë një jehonë e jashtëzakonshme.Ky aktivitet do thosha që shënoi për mua një ngjarje të rëndësishme, të bukur e të veçantë, për mua personalisht dhe shpresoj se kjo do hapë rrugën e njëbashkëpunimi në fushën e kulturës mes dy popujve që janë popuj të një pjese gjeografike të rëndësishme të Europës e që duhet të gjejnë këtë rrugë të përbashkët të paqes e të bashkëpunimit.

 

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Interpretimi fantastik i Elsa Lilës, sjell “Dremit Liqeri”-n e Lasgushit me notat e Mozartit (Video)
“Kadare 2016”, vlerësohet shkrimtari Shkëlqim Çela »
Article Logic
Execution time: 0.027233123779297
array(1) { ["section"]=> string(76) "inva-mula-ne-beograd-me-priten-si-diva-emocione-qe-rralle-i-kam-ndjere-41716" }