Ish-të përndjekurit, qeveria ndryshon skemën e pagesave, tani të gjitha dosjet në një ministri

Publikuar tek: ekonomi, më 13:56 22-08-2017 Ish-të përndjekurit, qeveria ndryshon skemën e pagesave, tani të gjitha dosjet në një ministri

Nuk do të jenë tri ministri, por vetëm një, e cila do të ketë në ngarkim gjithë procesin e ndarjes së dëmshpërblimit për të përndjekurit nga regjimi komunist.

Drejtori i Thesarit në Ministrinë e Financave, Lavdrim Sahitaj, pohon se është duke u diskutuar mundësia për përqendrimin e punës në një institucion të vetëm. Kjo do të sillte përshpejtim të pagesave, duke qenë se do të shmangeshin vonesat e krijuara nga komunikimi mes tri institucioneve.

Aktualisht janë Ministria e Drejtësisë, e Financës dhe Ministria e Mirëqenies Sociale që kanë në ngarkim dosjet e të dënuarve. Nga domosdoshmëria e koordinimit mes tyre, në jo pak raste janë gjeneruar vonesa të pajustifikuara. Ndaj edhe plani, sipas Sahitajt, është që e gjithë puna, nga aplikimet te menaxhimi i dosjeve të klasifikuara për dëmshpërblim e deri te kryerja e pagesave të menaxhohen nga një ministri e vetme. Kjo do të sheshonte formalitetet e panevojshme që kanë kushtëzuar deri më tani procesin.

PAGESAT

Të dënuarat gra dhe ata që janë në moshë mbi 75 vjeç kanë përparësi në tërheqjen e dëmshpërblimit. Drejtori i Thesarit shton se deri më tani janë rreth 680 ish-të përndjekur që kanë marrë këstin e tetë. Ndërkohë që vijon puna për shqyrtimin e dosjeve të mbetura. “Janë 680 të dënuar që bëjnë pjesë në kategorinë parësore, të cilët janë trajtuar deri më tani. Për procesimin e pagesës së tetë po veprohet ashtu siç është vepruar me pagesat paraardhëse, që do të thotë është respektuar rendi i përcaktuar në ligj. Në këto kushte, të parët që kanë përfituar kanë qenë të dënuarat gra dhe ata në moshë mbi 75 vjeç”, shprehet Sahitaj.

TRASHËGIMTARËT

Ritmet e pagesave për trashëgimtarët kanë qenë tejet të ngadalta. Aktualisht, Ministria e Financës po vijon me procesimin e këstit të parë dhe të dytë. Në faqen zyrtare të këtij institucioni janë publikuar edhe emrat e 1 mijë të dënuarve, familjarët e të cilëve duhet të bëjnë dorëzimin e dokumenteve. Nëse kjo nuk ndodh nga secili prej përfituesve që ka aplikuar, atëherë dosja mbetet e bllokuar, për rrjedhojë edhe dëmshpërblimi. Mbi bazën e ligjit në fuqi, trashëgimtarët duhet të depozitojnë kopje të letërnjoftimit, numër llogarie, certifikatë vdekjeje, certifikatë e trungut familjar, dëshmi trashëgimie dhe prokurë. Ndërsa sjell në vëmendje problematikën e mungesës së dokumentacionit në dosjet e trashëgimtarëve, drejtori i Thesarit shton se po punohet edhe për fillimin e këstit të tretë për këtë kategori. Por ende nuk ka një datë të saktë se kur do të nisë të shpërndahet kjo pagesë. Ajo që mund të thuhet është se fondi i mbetur nuk do të bllokohet. Kjo do të thotë se nëse trashëgimtarët që kanë gati këstin e dytë nuk plotësojnë dosjet, me paratë e mbetura do të nisë ndarja e këstit të tretë. “Paralelisht me dosjet e të dënuarve që jetojnë ne po punojmë intensivisht edhe me dosjet e trashëgimtarëve. Ende nuk është përmbyllur kësti i dytë, kjo për shkak edhe të problematikave të vërejtura që kanë të bëjnë kryesisht me mangësitë në dokumentacion. Ligji parashikon që një dosje është gati për pagesë atëherë kur të gjithë përfituesit e radhës së parë dhe të dytë të kenë bërë dorëzimin e dokumenteve. Në lidhje me këstin e tretë për këtë kategori, ajo që mund të them momentalisht është se po punojmë që të rinisë brenda këtij viti. Nëse familjarët e të dënuarve që janë shqyrtuar për këst të dytë nuk i përgjigjen njoftimit të Ministrisë së Financave atëherë fondi i mbetur nuk do të bllokohet, por do të shfrytëzohet për ndarjen e këstit të tretë të dëmshpërblimit”, thekson Sahitaj, shkruan panorama. 

Rradha e pagesave per kategorite paresore

Ish-të dënuarat politike gra

Ish-të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës në moshë mbi 75 vjeç

Ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda

Ish-të dënuarit politikë të cilët, pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur

Ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur

Ish-të dënuarit politikë që jetojnë, në momentin e dhënies së pagesës, dhe që kanë moshë nën 75 vjeç

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.025475978851318
array(1) { ["section"]=> string(98) "ish-te-perndjekurit-qeveria-ndryshon-skemen-e-pagesave-tani-te-gjitha-dosjet-ne-nje-ministri-89820" }