Ish-zëdhënësi kujton më të bukurën e Tiranës, Lindën: Rrëfimi prekës për këshilltaren besnike të Berishës dhe Topallit

Publikuar tek: fcb-bomb, më 14:48 27-03-2017 Ish-zëdhënësi kujton më të bukurën e Tiranës, Lindën: Rrëfimi prekës për këshilltaren besnike të Berishës dhe Topallit

Ilir kadia, ish-zëdhënës i Sali Berishës sot kujton një figurë shumë të veçantë e të dashur në Partinë Demokratike. Linda Ihsani, këshilltarja besnike për 13 vite rradhazi e Sali Berishës dhe këshilltarja e Jozefina Topallit, e kudogjendur, ndërrroi jetë katër vite më parë si pasojë e një sëmundje të pashërueshme ndërsa sot Kadia e kujton si një nga vajzat më të bukura të Tiranës dhe e quan veten me fat që e ka njohur.  

Ish-zëdhënësi kujton një episod të këndshëm me Linda Ihsanin në mes të urës së Lanës.

RRËFIMI SI MË POSHTË:

 Me fat qe te njoha Linda Ihsani !

-Thuaji, thuaji ketyre si kam qene kur ishim te rinj,si kam qene ?!
Une u zura ngushte.Linda Ihsani po me kerkonte ne mes te ures se Lanes t’i deklaroja dy shoqeve te saj te Kuvendit cfare i kisha deklaruar tek e tek !
-Me e bukura e kampit te rinise ne Golem ne fillim te viteve 70-te.Dhe atje vinin me mik me te bukurat e Tiranes !Ishte aq e bukur sa une s’guxova t’i afrohesha ! As tani bile !
-I poshter !Ngele i poshter !-tha Linda ndersa syte e zinj si dy kokrra ylliri i shkelqenin nga hareja.
Kishim kaq vite miq.Ne kohera te mira dhe te veshtira. Nga ato vajza fisnike shqipetare qe brezi yne kish fat po t’i kishte shoqe a mike!
Disa vite me pare,kur une botova me shpejtesi disa libra me tregime te shkurtra, Linda me befasoi me leximin e kujdesshem qe i kish bere.Ajo dinte ta respektonte mikun.Mbaj mend se i kish pelqyer me shume tregimi « Guri me shenje » te cilin po i ribotoj ne nderim te me te bukures LINDA IHSANIT !
“Guri me shenjë”
Dimri i këtij viti po korrte majtas e djathtas si t’i kishte qejfi. Mëngjeseve, kur ata që kishin punë zyre apo ishin kamerierë a pastrues në lokalet e bllokut ishin larguar që herët me autobusin e linjës Qendër - Porcelan, dyqaneve ku shitej qumështi dhe buka fqinjët pyesnin njëri-tjetrin me sy për të mësuar të ikurin e natës që shkoi.
- “Guri me shenjë” iku mbrëmë, - i tha në përballjen tek dera e dyqanit të Xhulit xha Faiku, ish-oficer artilerie, fqinjit të tij Vaskë Isufit ish-komisar batalioni që kish dy javë mbyllur në shtëpi pas infarktit të fundit. Vaska trupmadh e faqekuq tek të 70-at provoi për 10 vjet të bënte tregtarin në një kioskë prej llamarine ku shiste artikuj gjithfarë, por diabeti ia mblodhi keq dhe e la atë punë.
- Si, more, vdiq? Por ai më kish 20 mijë lekë borxh. - tha Vaska me sy nga shitëse Xhuli.
- Të reja apo të vjetra? - e pyeti Xhuli, një grua rondokope tek të 45-at që s’dinte ç’ishte heshtja në dyqanin e saj.
- Ç’rëndësi ka? - tha me gjysëm zëri ish-komisari.
- Jo. Ka rëndësi. Si s’ka?! Po të jenë të vjetra, bëja kabull! Po të jenë të reja, shko kërkoja! Ç’pret?! - shpotiti bashkëmoshatari i Vaskës, Faiku.
- Ia kam falur! - tha Vaska duke rregulluar bukët në trastë.
- Bravo! Edhe unë ia hoqa emrin nga lista e borxhlinjve. Dhe s’më kishte pak. - tha Xhuli duke i dhënë zemër Vaskës për të mos e vuajtur më shumë humbjen përfundimtare të njëzet mijë lekëve të vjetra.
- Si vdiq? - pyeti Vaska Faikun.
- Si Milosheviçi, në gjumë. Kur gdhiu, i biri e gjeti pa frymë.
- Më keq se Milosheviçi ka qenë për lagjen tonë. - tha Vaska.
- I keq. Shumë i keq ka qenë. Sidomos pas vdekjes së gruas së fundit. Atëherë dhe ia ngjiti vetes nofkën “Guri me shenjë” - tha Xhuli pas banakut duke fshirë duart nga shëllira e djathit në përparësen e bardhë.
- Gur me shenjë ishte vërtet, po pse ia ngjiti vetes këtë nofkë askush s’e di. E mori me vete misterin në varr. - tha Vaska duke vështruar nga unë.
Kisha tre minuta që dëgjoja si i shastisur bisedën e fqinjëve të mi në dyqanin ku edhe unë blej qumështin dhe bukën e përditshme. Ata, ndryshe nga një zakon i stërvjetër i yni, po flisnin keq që në çastet e para të sapovdekjes së një njeriu. Le të bëhej fjalë për një njeri si “Guri me shenjë”. Edhe unë isha dakord me ta. Më i keq njeri s’bëhej. Më kujtohet fare mirë bëma, për mua më e shëmtuara e tij, kur po bënte fjalë me një të panjohur në sheshin para pallateve nën një shi vjeshte. Si fqinjët e tjerë dhe unë që e ndiqja zënkën me fjalë nga përtej perdeve të dritares së katit të pestë lëshova frymën i lehtësuar kur ai, “Guri me shenjë”, i zgjati dorën për pajtim të panjohurit. Mirëpo në çastin që duarshtrënguan “Guri me shenjë” iu afrua për ta përqafuar dhe… i dha një goditje me kokë në hundë. I panjohuri ra me shpinë. Fytyrën përshesh me gjak. Shumë njeri i keq ishte. I keq dhe i pabesë!
Duket se fjalët e fundit i thashë me zë të lartë pa e marrë vesh se të tre fqinjët, Faiku, Xhuli dhe Vaska thanë në një gojë.
- Bravo, gazetar! Je i yni.
- A do të vish me ne për ngushëllim? - më pyeti Faiku.
Ftesa, pas gjithë atyre fjalëve që edhe unë thashë për “Gurin me shenjë”, mu duk hapur hipokrite.
- Patjetër, por ku dhe kush pret? - pyeta ngaqë e dija se “Guri me shenjë” jetonte fillikat në garsonierën e katit të dytë të pallatit më të madh të lagjes tonë. Nga ai pallat që s’di pse kohët e fundit më kujtonte Kombinatin e Autotraktorëve, unë dija ku kish shtëpinë tamam tamam vetëm “Guri me shenjë”. Dhe e kisha fiksuar apartamentin e tij nga ballkoni i hapur prej nga ai nëntë vjet më parë, i dehur keq siç ish, pasi i vuri flakën orendive e mori dhe e flaku poshtë gruan. Zjarrfikëset erdhën në një kohë me ambulancën, pas gjysëm ore. Gruaja e shkretë! Të gjithë banorët thoshin se ishte goxha grua, ashtu e turpëruar, u ngrit e çaluar bëri t’i vidhej vështrimeve tona nga pas xhamave, por “Guri me shenjë” i ulërinte mes tymit nga ballkoni se ashtu do ta digjte edhe atë, si televizorin, nëse gënjente si ai pa pikë turpi në mes të ditës.
- E ka marrë i vëllai. Do ta nxjerrë prej shtëpisë së tij. Tek “21”-shi.
Xhuli tha se nuk bënte të shkonim të fundit.
- Ç’fqinjë paska pasur?! - do të thonë fqinjët e të vëllait. Nisemi që tani. Gazetar! Në rregull makina?
- Në rregull. Unë po i vë kyçin dyqanit. Ti, Faik, hip përpara.
- Jo. Po ti je femër.Unë do të rri mbrapa me Vaskën. Po bukën dhe qumështin?
- Merreni me vete. Unë do të kthehem njëherë nga ime ëmë. Faik! Ti do të mbash muhabetin gjallë. Vaskë! Ti nuk do ta kujtosh atë punën e njëzetmijëlekëshit. Unë vetëm do ta lavdëroj. Ti, gazetar, shiko mos mëson pse i thosh vetes, pse e ndryshoi emrin nga Din Poka në “Gur me shenjë” pasi i vdiq gruaja e fundit.
U nisëm me “Audin” tim për të cilin unë vetë thosha se po të ma përplasnin, nuk ma prishnin por ma rregullonin.
- Si “Guri me shenjë” ma paske këtë makinë, o gazetar. - tha Vaska gjunjët ngjitur Xhulit prej ngushticës së sediljes time.
- Thamë. Jo fjalë të keqe për të ndjerin. - tha Xhuli seriozisht.
Vaska zuri gojën me pëllëmbë për “E mbylla!”.
Vëllai i Din Pokes e kishte shtëpinë në kat të pestë dhe grupi ynë me dy pleq e një grua më të gjerë se të gjatë hoqi pak keq derisa iu ngjit shkallëve përpjetë. Në shesh-pushim ndalëm një hop pasi ishin dy dyer shtëpish hapur.
- Këtej presin burrat. Tek fqinji, gratë. Urdhëroni! - na ftoi një mesoburrë për nga shtëpia e të vëllait.
Ne si grup hymë tek burrat. Arkivoli me kapak hapur në mes të dhomës. Din Poka rrinte shtrirë me sy mbyllur. I kishin veshur kostum të zi e kollare të kuqe mbi një këmishë të bardhë. Asnjëherë s’e kisha parë veshur me kostum. Ai mbante gjithmonë një kanotjerë leshi si të barinjve lebër poshtë këmishës fanellatë në verë e poshtë xhupit fëshfëshe në dimër. E kishin rruar e krehur dhe në xhepin e xhaketës i kishin vënë një shami të bardhë.
- Din Poka! Të paskan bërë dhëndër, të keqen motra! - u lëshua mbi të Xhuli, ndërsa ne ndollëm hundët e lotët.
Rreth e qark arkivolit kishin zënë vend fqinjët e të vëllait. Vëllai, një burrë tek të 55-at, pra nja pesë vjet më i ri se Din Poka, na sajdisi me cigare.
- Ishte njeri i mirë. Shumë i dashur me fqinjët, - zuri të thosh Vaska ndërsa Xhuli qante me zë të ulët me “Ooiii!”.
- Ku do ta varrosni? - pyeta unë të vëllain.
- Në Sharrë. - tha i vëllai, - pranë të shoqes.
Unë e pashë me habi. Kisha lexuar se në varrezat e Sharrës prej disa muajsh ishin ndaluar të gjitha varrimet. Nuk kishte asnjë pëllëmbë tokë të lirë. Sado i rëndësishëm të ishe apo sado para të paguaje për varrmihësit nuk e gjeje as një centim tokë të lirë për kockat e tua.
- Në Sharrë, në Sharrë do ta varrosim. - tha i vëllai duke lëshuar një shtëllungë të kaltër tymi cigareje. Ky njeri gjithë jetën e bëri të keqe, po vdekjen e bëri të mirë.
Faiku, Vaska, Xhuli dhe unë ngritëm kokat dhe u pamë me sy. I vëllai vazhdoi të fliste.
- Kur shkuam në Bashki për të marrë lejen e varrimit nëpunësi i lejeve tha se nuk mund të na ndihmonte. Për ta Din Poka kishte vdekur gjashtë vjet më parë në një datë me të shoqen. “S’ka mundësi!” - i thamë ne me kunatin. Ai na tregoi letrat. Vdekur dhe varrosur ishte me letra në rregull. “Po, si i bëhet?!” - i thamë ne. “Shkoni tek varrmihësi në Sharrë. Ai iu sqaron”. Dhe ne vajtëm tek varrmihësi. “Punë që bëhet. Bile pa problem. Do të lëvizim pak gurin me shenjë sa të hapim varrin dhe ta fusim Dinin brenda. I ka paguar paratë vetë. Mos u bëni merak!”.
Unë kuptova se ç’kish ndodhur. Din Poka, për të cilin lagja kish harruar se kish bërë çmos ta mbante gjallë gruan kur atë e preku kanceri i gjirit, nuk e kishte dashur më veten kur ajo i ishte dorëzuar vdekjes. Nuk e kish vrarë veten, por e kish shpallur të vdekur duke vënë në një gur si shenjë emrin dhe mbiemrin e tij tek ato dy metra katror toke. Paskësaj, në botën e të gjallëve, për të s’kish patur fare rëndësi çfarë thoshin fqinjët.

topalli5-905x395.jpg

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.070426940917969
array(1) { ["section"]=> string(122) "ish-zedhenesi-kujton-me-te-bukuren-e-tiranes-linden-rrefimi-prekes-per-keshilltaren-besnike-te-berishes-dhe-topallit-73278" }