JAKU GOJA

Publikuar tek: kulture-art, më 09:24 10-05-2019 JAKU GOJA

Nga Agim Xhafka

 

Nuk ka të bëjë me Francesko Gojën. Është shqiptar,më saktë ishte se nuk jeton më. Ka disa vjet që na la dhe fluturoi si engjëll. Kështu duhet folur për të. Mbante mbi vete veç virtyte dhe ishte plot stolira.

Për korçarët nuk lodhem hiç të shpjegoj se kush ishte Jaku Goja. Për të tjerët më duhet të rendis me disa radhë jetën e këtij bohemi.

Unë e kam pasur shtëpinë pranë Jakut. Nuk di në se emrin e ka pasur kështu a ndryshe. Por për të gjithë,deri sa ai ndërroi jetë,ishte dhe mbeti Jaku. Ajo Goja nuk e mora vesh si iu ngjit,por në Korcë e shpjegoj si llagap se qyteti ishte mbushur me thënie të tilla. Siç ndeshje Ilkë Kokmadhi,Nasi Gjuha,Spiro Speci,Petro Keci,Landi Mamaja,Gaqo Gjella,Peçi Bajamka,Koço Goxilla,Vangjo Buçe,Koci Kanarina,Stefo Rabecka,Kliti Kukumjaçka e plot të tilla që ekzaktësisht tregonin një person publik të mëhallës a të qytetit.

Jaku, deri sa u bë madhor punonte në parkun e automjeteve. Si biçim motoristi a xheneriku. Nisej me kominoshe herët nga shtëpia dhe në darkë vinte i zi në fytyrën zeshkane,me duart dhe surratin plot vajra makine e nga larg mbante erë naftë. I lodhur dhe i panginjur me ushqim. E tek dera e priste shoqëria e natës,grupi i serenatave. Ata nuk bridhnin poshtë dritareve. As i këndonin ndonjë femre të caktuar. Këndonin për dashurinë,si vajza e të gjithëve,që mund të ishte ndryshe në përfytyrimin e sejcilit,por në këngë shfaqej si një muzë e bukur dhe plot adrenalinë rinore. Kjo kuptojhej nga të bërtiturat në kupë të qiellit dhe nga kohëzgjatja e koncerteve,deri afër mëngjesit. Të nesërmen sa agonte Jaku çapitej drejt ofiçinës me po ato vajra e po atë erë nafte. Kështu deri sa një ditë...

-E more vesh për Jaku Gojën?!- më tha Ndreçi Dosa. -Iku në Tiranë me punë, në Opera!

-Hahaha,-qesha unë. Siç qeshi gjysma e qytetit. Por ja që Jaku kishte hypur në skenën e operas si bas i pastër dhe i padëgjuar në shumë vite e treva. Në fillim në kor,pastaj në shkollë e kështu Jaku mori mbiemrin artist.

Këtë rrugë e ndoqën plot zanatlinj korçarë që punonin p.sh zdrukthar,ose shofer,ose oficer dhe përfunduan këngëtarë lirikë. Pa bërë akademi e shkollë arti. Se auditore patën rrugicat,mësues patën përvojën dhe zelli u erdhi nga genet e të qënit korçar. Kur m'u kujtua Jaku dje në Amerikë,më erdhën ndërmend edhe plot të tjerë ,të grupit të Jakut,Petrika Zguro,Petrika Qorri,një me mbiemrin Terezi.Siç kujtova Gjergj Suljotin,tenorin e papërsëritshëm shqiptar që dashuria për qytetin e ktheu nga opera tek lagja ku u rrit.

Kur isha student dhe kur nisa punë në Tiranë i gjeja bashkë të gjithë këta dashnorë të muzikës. Që punonin,pinin pa kufi,këndonin e ishin të shpenguar nga kufizimete asaj kohe. Bile çorodisnin dhe policët afër mëngjesit që kur e pyesni për emrin ,u thoshte:”Jaku jam bre! Jaku jam!”

Ata jetonin mes pentagramesh,dëfrenin e na dëfrenin dhe artin e jepnin edhe në qebaptore,edhe në rrugica ,edhe në Opera. Në një farë mënyre këta djem ishin Pavarotët tanë. Plot art të madh e plot thjeshtësi. Na injektuan në gjak muzikën si një mjaltë me polen Morave. Na bënë krenarë që jemi korçarë,bashkëqytetarë e miq të solistëve ardhur nga rruga,nga jeta dhe gëzimet e njerëzve të uritur dhe të ngopur me art.

Deri në USA më vjen "mysafir" Jaku Artisti.

Wellkome, bohem!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.10569405555725
array(1) { ["section"]=> string(16) "jaku-goja-163692" }