Kadare letër qytetit të tij të gurtë në 80 vjetorin e lindjes

Publikuar tek: kulture-art, më 18:52 28-01-2016 Kadare letër qytetit të tij të gurtë në 80 vjetorin e lindjes

Bashkia Gjirokastër, por jo vetëm, ka organizuar ceremoni të shumta me rastin e 80 vjetorit të lindjes së gjigandit shqiptar të letrave, Ismail Kadare. Në këtë përvejtor sigurisht që mendja e shkrimtarit të njohur ka qenë pikërisht në qytetin e tij të lindjes, të cilin e ka bërë të njohur në mbarë botë me anë të veprave të përkthyera në shumë gjuhë të huaja.

Nëpërmjet një letre dërguar bashkisë, Kadare shkruan:

E nderuara zonja kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës,

Në pamundësi për të qenë midis jush për arsye që nuk varen prej meje, do të doja që, me anë të kësaj letre t’ju shprehja gjithë falënderimin tim, gjithë emocionin dhe, pse jo, mallëngjimin për ftesën tuaj të fisme, për të qenë pjesëmarrës në një ngjarje të gëzueshme, që lidhet me jetën time, më saktë, me shtatëmbëdhjetë vitet e para të saj.

Mendoj se jam i besueshëm në qoftë se do të them se jam përpjekur të ruaj marrëdhënie të përhershme me qytetin tim të lindjes, duke pasur bindjen në këtë rast, se ajo çfarë kam dashur t’i jap ka qenë gjithmonë më e paktë se ajo që më ka dhënë ai.

E dashur zonja Rami,

Ju drejtoni bashkinë e qytetit, që në adoleshencën time më ka pëlqyer ta quaj të çuditshëm. Me këtë cilësim, lidhej, me sa dukej, pamja e tij e pazakontë dhe ndërlikimet, që mendja ime s’i kapte dot.

Që një grua e re si ju, do të drejtonte një ditë qytetin me hije të rëndë mesjetare, kjo do të përbënte një nga befasitë e tij të radhës. Pa dashur të zgjatem, do të shtoja se këto befasi ngjanin shpesh të vështira, por ato sillnin me vete fat.

Duke ju uruar gjithë të mirat dhe duke përshëndetur nëpërmjet jush gjithë bashkëqytetarët e mi, ju përqafoj.

Ismail Kadare

Paris, 25 janar 2016.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « 80-vjetori i shkrimtarit, themelohet qendra e studimeve “Kadare”
Publikohen filmimet e xhiruara nga vetë Kadare, përpara se shkrimtari të prekte famën botërore »
Article Logic
Execution time: 0.017948865890503
array(1) { ["section"]=> string(67) "kadare-leter-qytetit-te-tij-te-gurte-ne-80-vjetorin-e-lindjes-31190" }