Katër mjeshtra të kulinarisë shqiptare në Botë mblidhen për “Shije shqiptare” dhe batuta pikante e Ndrenikës: Sikur të na sillni dhe ca trahana…

Publikuar tek: fcb-bomb, më 10:47 05-02-2018 Katër mjeshtra të kulinarisë shqiptare në Botë mblidhen për “Shije shqiptare” dhe batuta pikante e Ndrenikës: Sikur të na sillni dhe ca trahana…

Sharl de Gol ka thënë se si mund të qeveriset një vend që prodhon 246 lloje djathërash.

Por ditën e djeshme në “Bujtina Mera” në Petrelë të Tiranës, të gjithë të ftuarit pyesnin sesi mund t’i rezistonin katër mjeshtërave shqiptarë të guzhinës…Sepse si zakonisht, dashuria fillon nga stomaku, dhe këta mjeshtra, nuk po bënin as më shumë e as më pak, por një inciativë tërësisht promovuese “Shija Shqiptare”.
Naser Neziri, shqiptari nga Maqedonia, mjeshtër në guzhinë, sot ka një restorant shumë të njohur në Graz të Austrisë. E kishte lënë restorantin e tij, për t’ia nisur një gatimi “alla shqiptarshe” m’u në mes të Tiranës.
Sokol Prenga e Përparim Babalia iu bashkuan në guzhinën e vogël të bujtinës, e Naser Gashi, edhe pse jo prezent, solli për tryezën e miqve e të ftuave “fli-në kosovare”.
“Shije shqiptare” bashkon katër mjeshtra të Kulinarisë në takimin e tyre të parë në Bujtina Mera. Stacioni i dytë, sikurse evidentoi Neziri, do të jetë Prishtina, një muaj më vonë. Të katër së bashku, në një restorant në Prishtinë, do të shfaqin talentin.
Nuk do të ndalen aty, do vazhdojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një restorant shqiptar, e mandej, kudo ku ka shqiptarë në Evropë.
Marka “Shije shqiptare”, do habisë çdokënd, siç habiti në fakt të gjithë të ftuarit e mbrëmjes së djeshme në Bujtina Mera, aty ku ishin mbledhur politikanë e gazetarë, këngëtarë e aktorë, humoristë e kuzhinierë, biznesmenë e njerëz të artit.

27658625_10156943049108765_404977365_n.jpg
Përfundimi? Kur mblidhen bashkë katër mjeshtra kuzhine, zor se mund të thuash boll.
“Po pati ndonjëçik trahana tjetër, do ta haja me gjithë qef”. Zëri kumbues i aktorit Robert Ndrenika, shkaktoi të qeshura në restorantin që dukej I vogël përballë gjithë atyre figurave të mëdha. Dhe trahanaja e përgatitur nga mjeshtrat shqiptarë, ishte qershia mbi tortë e gjithë prodhimeve bio shqiptare të servirura prej tyre.
Një kulaç çam me djath deleje Konispoli dhe vaj ulliri Subashi, bukë fiku Shkodre, domate turshi e djathë I njomë dhie I fermës Amalthia, ishte pjata e parë që të gjithëve iu duk e vogël kur e dinin fare mirë se në guzhinën 100 metra katrorë, që s’I mbante dot Brenda katër mastershefa kulinarie, pritej të dilnin pjata të mëdha.
Por zërat e pangopjes së stomakut u shuan menjëherë kur në tavolinë mbërriti trahanaja e athët e Lunxhërisë, me dhjatë të tharë Sharri, cingaridhe derri, rigon e vaj ulliri. Aaaaaa, këtu thanë të gjithë “stop”, e kërkuan nga një pjatë të dytë.

27781824_10156943048623765_1054527775_n.jpg
Në guzhinë, shefat rrisnin dozën e optimizmit për ato që nxirrin, dhe e shoqëronin punën me këngë, derisa prej andej doli Fli Gjakove e familjes Babalija, shoqëruar me recel ftoi dhe djathë Sharri. Fli-në e kemi provuar në Dibër, Kukës e Tropojë, por kjo që vinte nga Gjakova, dhe shija që i jepte receli i ftoit, të bënte të tregoje kujdes e ta konsumoje ngadalë, gjithmonë me frikën se mbaronte shpejt.
Këto ishin si për të ngrohur stomakun në start të ushqimit, se në pjesën e dytë, kur erdhi mishi me lakra të Pollogut të Gostivarit, pjatat u boshatisën, u bënë gati për tu vendosur në tharësen e tyre pa shkuar nga lavamani: aq mirë u pastuan nga të ftuarit e zgjedhur.

27781135_10156943048618765_664456357_n.jpg
Nga Gostivari drejt e në Llogara, ku padyshim nuk mund të mos vinte tradita e harapashit me qingj Llogarai. Shërbyer me porcione të vogla, kishte ardhur momenti të shihje pjatat e atij që kishe karshi, mos kishte lënë dicka, ose të hyje drejt e me kokë në guzhinë për të kërkuar pak më shumë. Fundja, siç bëri Ndrenika me trahananë.
Embëlsira vinte nga Korça me dredhanikun e ëmbël me peta e arra, shoqëruar me glikotë e mrekullueshme të Përmetit, djathë kaçkavalli deleje Berati dhe kaçkavall dhie të Veleçikut.
Në gjithë mbrëmjen, vera Çobo, po derdhej lumë përgjatë pesë orëve që qëndruan aty të ftuarit nën shoqërinë e mjeshtërit dhe dinastisë së violinës Etem Qerimaj dhe Rozana Radit që këndoi ëmbël për të ftuarit, një këngë për çdo zonë.

27847911_10156943048953765_548369853_n.jpg

E ç’do duhej më për të mbyllur një mbrëmje mes të ftuarve të veçantë e mes gëzimit që vjen veç prej stomakut. Moderatorja Iva Mera I nxorri mjeshtrat e guzhinës nga vendi I tyre I punës mes të ftuarve. Duartrokitjet nuk mbaronin. Ata kishin krijuar simfoninë e tyre tërësisht shqiptare në një skenë të veçantë: guzhinën. Me emrin e bukur për këtë spektakël “Shije Shqiptare”. Dhe me premtimin se pas një muaji të gjithë bashkë do të ishin në Prishtinë. /NEWSBOMB.AL/

27718120_10156943048093765_1105136294_n.jpg

Gazetarja Alma Çupi brenda guzhines se Bujtina Mera me mjeshterat shqiptare te kulinarise

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.028187036514282
array(1) { ["section"]=> string(147) "kater-mjeshtra-te-kulinarise-shqiptare-ne-bote-mblidhen-per-shije-shqiptare-dhe-batuta-pikante-e-ndrenikes-sikur-te-na-sillni-dhe-ca-trahana-109176" }