KE raport për Shqipërinë: Borxhi në 72.3% të PBB-së, konsumi privat dhe publik në rënie

Publikuar tek: ekonomi, më 20:33 28-04-2016 KE raport për Shqipërinë: Borxhi në 72.3% të PBB-së, konsumi privat dhe publik në rënie

Rritja ekonomike në Shqipëri në vitin 2015 ishte 2.6%, e orientuar nga investimet e larta dhe eksportet neto, sipas raportit të tremujorit të parë 2016 (që i referohet zhvillimeve të tremujorit të fundit 2015) të vendeve kandidate dhe potenciale kandidate, publikuar sot nga Komisioni Europian. Por, në të njëjtën kohë, vëren raporti, konsumi publik dhe privat ra.

Investimet u ngadalësuan nga rritja dy shifrore e regjistruar në tre tremujorët e parë, por ende u rritën me 6.7% me bazë vjetore. Rënia e konsumit qeveritar u intensifikua (-3.7% me bazë vjetore), duke shënuar të katërtin tremujor radhazi me tkurrje. Tregtia e jashtme vijoi të ishte e dobët, ndërsa eksportet u rritën lehtë me 0.8%.

Nga ana e prodhimit, sektori i ndërtimit ka dhënë kontributin më të madh të rritjes në tremujorin e katërt të vitit 2015 (+1.5 pikë përqindje), duke kompensuar rënien në bujqësi (-0.37 pp.) dhe të industrisë, energjisë elektrike dhe ujit (-0.38 pp). Performanca e këtyre të fundit u ndikua fort nga rënia e prodhimit në industrinë nxjerrëse, si rrjedhojë e uljes së vazhdueshme të çmimeve të naftës.

Anketa e Forcave të Punës vlerësoi se shkalla e papunësisë (15-64 vjeç) ishte 17.7% në tremujorin e katërt të vitit 2015, me rritje 0.2 pikë përqindje nga tre muajt e mëparshëm, por gjithsesi me rënie prej 0.3pp në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Deficiti i llogarisë korente u rrit me 8.1% me bazë vjetore në tremujorin e fundit.

Në fund të vitit 2015, stoku i borxhit të jashtëm bruto ishte 10,1% më i lartë se një vit më parë, kryesisht për shkak të rritjes së huamarrjes së qeverisë. Borxhi i jashtëm qëndroi në 74% të PBB-së. Borxhi afatgjatë, kryesisht borxh i qeverisë, përbën 80% të totalit.

Inflacionin e ulët raporti i KE e shpjegon me efektin e bazës, inflacionin e ulët të importuar dhe presionin e ulët të çmimeve në vend për shkak të prodhimit ende nën potencial.

Niveli i lartë i kredive me probleme (NPL) vazhdoi të ndikojë mbi kreditimin, edhe pse raporti i NPL-ve ka rënë në 17.7% në fund tremujorin e katërt të vitit 2015 nga 20.2% në tre muajt e mëparshëm, si rezultat i fshirjes së detyrueshme të huave të humbura. Stoku i kredisë për sektorin privat ishte 2.6% më i ulët në shkurt, në raport me një vit më parë (jo e rregulluar me efektin e huave të humbura).

Deficiti buxhetor në vitin 2015 ishte në përputhje me objektivin e 4% të PBB-së. Të ardhurat kishin një ecuri të dobët me 8.2% më pak kundrejt objektivit fillestar dhe 4.5% më pak kundrejt planit të rishikuar të miratuar në korrik të vitit 2015. Megjithatë, shpenzimet kanë mbetur 7.5% nën planin fillestar, kryesisht për shkak të kursimeve në shpenzimet e interesit dhe mosrealizim të investimeve kapitale.

Në dy muajt e parë të vitit 2016 buxheti ka rezultuar me një tepricë të lartë. Të ardhurat u rritën ndjeshëm me 20% për dy mujorin.

Pas një rritje 6.7% me bazë vjetore, borxhi publik (duke përfshirë garancitë) qëndroi në 72,3% të PBB-së në fund të 2015.

Rritja përshpejtohet në Ballkan

Raporti parashikon se performanca e rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor u përmirësua më tej në 2015. Në Serbi, pas recesionit të vitit 2014, ekonomia ka pësuar përmirësim. PBB reale u rrit me 0.7 %, më shpejt se sa pritej fillimisht, e mbështetur nga çmime të ulëta të naftës dhe rritja e besimit si rezultat i reformave të implementuara.

Në Shqipëri, rritja e PBB vjetore u përshpejtua në 2.6 % në 2015, e rritur krahasuar me 2 % të një viti më parë dhe e mbështetur nga investimet private, sikurse edhe eksportet neto. Konsumi privat dhe ai publik shënuan ulje.

Në Malin e Zi, rritja ishte 3.2 %, nga 1.8 % që ishte në 2014, e mbështetur nga investime të larta, sidomos ato në fushën hekurudhore, nga një rritje e eksporteve të shërbimeve, sidomos në turizëm.

Në Maqedoni, rritja e PBB mbeti në nivelin e 3.7 %. Ndryshe nga shtetet e tjera të rajonit, ato që drejtojnë rritjen ekonomike janë shpenzimet konsumatore dhe konsumi qeveritar.

Përmirësimi ekonomik dhe implementimi i masave fiskale mbeshtetën një reduktim të deficitit fiskal thuajse në të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në 2015, por rritja e lartë e nivelit të borxhit do të mbetet një shkak shqetësimi për shumë shtete. (Monitor)

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.036883115768433
array(1) { ["section"]=> string(90) "ke-raport-per-shqiperine-borxhi-ne-72-3-te-pbb-se-konsumi-privat-dhe-publik-ne-renie-38967" }