Këshilli i Investimeve diskuton mbi Rimbursimin e TVSH, rekomandime për përmirësimin e klimës së biznesit

Publikuar tek: ekonomi, më 22:30 23-11-2016 Këshilli i Investimeve diskuton mbi Rimbursimin e TVSH, rekomandime për përmirësimin e klimës së biznesit

Nën drejtimin e Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, u mbajt sot mbledhja e radhës e Këshillit të Investimeve, ku tema e diskutimit ishte “Mbi Rimbursimin e TVSH”-së.

Të pranishëm në mbledhje ishin përfaqësues nga zyra e Bankës Botërore në Shqipëri, zyra e delegacionit të Komisionit Europian, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Ministri i Financave, Ervin Mete, përfaqësues nga drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, biznesi, etj.

Ministrja Ekonomi theksoi se kjo ishte mbledhja e tetë e radhës dhe siç është bërë tashmë zakon ky këshill diskuton mbi tema që kanë rënë dakord më parë. “Mbledhja e sotme do të fokusohet në një analizë të situatës së rimbursimit të TVSH-së”, informoi ajo.

Duke përfituar nga rasti, Ministrja Ekonomi informoi anëtarët e Këshillit të Investimeve me dy ngjarje të rëndësishme. Shqipëria në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit në vend, në raportin e Bankës Botërore “Doing Business 2017” u rendit në vendin e 58 në këtë raport, me një përmirësim prej 32 vendesh në krahasim me vitin e kaluar.

“Raporti “Doing Business” konfirmon gjithashtu për rritjen e cilësisë së reformave të ndërmarra sepse distanca e Shqipërisë ndaj praktikave më të mira u zvogëlua. “Ne kemi qenë në një distancë 68.9 pikë dhe tani kemi arritur në një distancë 61.3 pikë, pra për ju anëtarë të Këshillit të Investimeve besoj se ky lajm është më i rëndësishëm se sa vetë renditja në “Doing Business””, u shpreh Ministrja Ekonomi.

Një tjetër çështje që Ministrja e MZHETTS ndau me anëtarët e Këshillit të Investimeve ishte dhe përmirësimi i procedurave tatimore, ndryshime ligjore që tashmë janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Ministrja tha se numri i procedurave të lehtësuara për biznesin ka shkuar në 37. “Kuvendi i Shqipërisë miratoi së fundmi ligjin për procedurat tatimore, i cili ishte konsultuar me biznesin. Lehtësimi i procedurave tatimore ka shkuar në një numër rreth 37 lehtësime, një pjesë janë të rëndësishme sepse janë kryesisht ndryshuese, një pjesë janë jo aq të rëndësishme sepse janë kryesisht lehtësuese ose më shumë përmirësuese, por ka procedura që kanë ndryshuar tërësisht sjelljen e biznesit dhe të tatimeve karshi biznesit”, tha më tej ministrja Ekonomi.

Në fjalën e saj, Ministrja u ndal edhe në çështjen e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, kur tha se ato arritën në vlerën 72.5 miliardë lekë në 2013 dhe nga këto detyrime, ato ndaj pagesës së TVSH-së arritën në 18 miliardë lekë. “Në vitin 2016, Ministria e Financave në bashkëpunim me biznesin ka filluar të marrë në konsideratë edhe nxjerrjen e udhëzimeve për t’i bërë më të qarta të gjitha procedurat që lidhen me rimbursimin e TVSH-së, por edhe me procedura të tjera tatimore. Kjo lehtëson komunikimin me biznesin, por gjithashtu lehtëson dhe qartëson rregullat me të cilat do të punojnë zyrat rajonale të tatimeve kudo që ndodhen në territorin e vendit”, u shpreh Ekonomi.

Gjatë diskutimit, Ministrja Ekonomi tha se duhet të inkurajohet biznesi që të aplikojë online për rimbursimin e TVSH dhe se komunikimi me biznesin ka filluar të tregojë se cilat janë problemet më shqetësuese për biznesin. “Ky komunikim duhet të mbahet i gjallë dhe forumet e ngritura tashme si Këshilli i Investimeve apo KEK, duhet të përdoren pikërisht për këtë. Fakti që me ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore përmirësojmë 37 procedura nga ato që vetë biznesi ka kërkuar, tregon se komunikimi me biznesin ka funksionuar dhe ka dhënë rezultate”, tha Ministrja.

Këshilli i Investimeve vijoi mbledhjen me prezantimin e një analize që është bërë mbi situatën e rimbursimit të TVSH, analizë që përveç gjetjeve shoqërohet edhe me disa rekomandime përkatëse, të cilat do t’i propozohen qeverisë për ndryshimin e situatës. Në kuadër të kësaj analize është realizuar edhe një anketim online me 77 biznese, nga të cilat 72 për qind konfirmojnë marrjen e TVSH, ndërsa 54 % konfirmojnë lehtësim të procedurave.

Rekomandimet e Këshillit të Investimeve konsistojnë në respektimin e afateve të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi, lehtësimin e barrës procedurale për administratën tatimore dhe bizneset, bërjen transparente të procedurave të brendshme në trajtimin e rasteve të rimbursimit të TVSH,  strukturim i informacionit të DPT nëpërmjet një faqe interaktive për biznesin në funksion të edukimit fiskal të  tatimpaguesve dhe rritjes së transparencës, reforma anti informalitet të strukturohet më tej, duke u forcuar përpjekjet  për zbatimin e masave, etj.

Diskutimet në mbledhjen e Këshillit u fokusuan në tre çështje kryesore, afatet e parashikuara në kuadrin ligjor, kontrollet dhe funksionimit e Riskut, informimi i biznesit.

Në përgjithësi, anëtarët e Këshillit, shprehën vlerësimin për përmirësime në punën e Administratës Tatimore, sidomos sa i përket çështjes së rimbursimit të TVSH.

Presidenti i Biznes Albania, Luan Bregasi tha se rimbursimi i TVSH ka qenë një shqetësim gjithmonë për sipërmarrjen dhe qeverinë, por ai theksoi se 37 propozime për lehtësimin e procedurave tatimore janë marrë parasysh nga qeveria, dhe kjo është një pozitive. Z. Bregasi kërkoi që qeveria të shqyrtojë mundësinë e rimbursimit automatik të TVSH për sektorin e fasonit, gjë që do të fillojë të zbatohet së shpejti, pasi vendimi është marrë që në muajin qershor 2016.

Luan Leka, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Investimeve, shprehu vlerësimin e tij për përmirësimin e klimës së biznesit dhe proçedurave tatimore, por theksoi nevojën që të shqyrtohen edhe procedurat doganore, duke shprehur mendimin se ato kanë nevojë për ndryshime, në favor të klimës së të bërit biznes në vend.

Shkëlqim Bozgo, Drejtor Ekzekutiv i projektit TAP për Shqipërinë vuri theksin në rëndësinë e rimbursimit në kohë të TVSH.

Zv.Ministri i Financave, Ervin Mete theksoi faktin se, rezultati i anketës së 72 për qind e biznesit thotë se është rimbursuar në kohë është pozitiv, ndërkohë që informoi se sistemi i riskut do të funksionojë i plotë në fillim të vitit të ardhshëm, çka do të sjellë më shumë përmirësim në punën e administratës tatimore dhe klimën e biznesit.

Nga ana e tij, Arben Shkodra, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve, theksoi rëndësinë e edukimit fiskal të sipërmarrjes, nëpërmjet programeve apo trajnimeve të ndryshme.

Rëndësinë e kësaj çështjeje e përmendi edhe drejtori i BERZH për Shqipërinë, z.  Matteo Colangeli, i cili theksoi se BERZH së shpejti do të nisë të zbatojë një projekt për çështjen e edukimit fiskal.

Përmirësimi i afateve në rimbursimin e TVSH u vu në dukje edhe nga anëtarë të tjerë të Këshillit të Investimeve, përfaqësues të biznesit.

Zoti Yngve Engström, Përfaqësues i Delegacionit të BE në Shqipëri, vurin në dukje se do të ishte mirë që së bashku me Ministrin e Cështjeve vendore të shihet mundësia e një analize mbi praktikat korruptive që hasin bizneset.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.030190944671631
array(1) { ["section"]=> string(110) "keshilli-i-investimeve-diskuton-mbi-rimbursimin-e-tvsh-rekomandime-per-permiresimin-e-klimes-se-biznesit-60490" }