Keti Bazhdari: Pse e humbëm Shkodrën, faji i PS dhe i votës shkodrane

Publikuar tek: politike, më 09:18 30-06-2015 Keti Bazhdari: Pse e humbëm Shkodrën, faji i PS dhe i votës shkodrane Keti Bazhdari

Keti Bazhdari, kandidatja e majtë në Shkodër që humbi në përballjen me kandidaten e djathtë Voltana Ademi ka bërë një analizë të gjatë të elementëve që e çuan drejt humbjes. Dje Bazhdari ka mbledhur socialistët e Shkodrës, me rastin e 24 vjetorit të PS-së, duke shkruar edhe analizën e gjatë, që e nis me gjendjen jo të mirë ku PS-ja ndodhej në Shkodër dhe deri te vota shkodrane.

“Sot u mbush një javë që nga dita kur u hodhën zaret. Unë i ndjej çdo ditë e më pak dhembjet e muskujve, por po ndjej çdo ditë e më shume dridhjet e shpirtit.

Më kujtohen shumë momente mes takimesh me sytë gjithë shpresë që më vështronin, mes fjalësh gjithë moskuptim e vuajtje që duheshin kuptuar e çliruar, mes zhgënjimesh që nuk duheshin përsëritur, mes lotësh që duheshin përkthyer në buzëqeshje, mes premtimesh me shtrëngime duarsh që duheshin mbajtur, mes fëmijësh që kishim forcën që të ëndërronim sëbashku pas çdo takimi me të rritur.

Më kaplojne emocione të forta sa herë kujtoj diskutimet aktive deri në orët e para të mëngjesit për t'i dhënë zgjidhje 1001 problemeve të kesaj Shkodër me ju o miq të mirë, kur kujtoj se sa shumë ide të mira më keni dhënë, se sa shumë punë të mira të tuat keni lënë dhe sëbashku, larg oportunizmit, iu dedikuam punës më të mirë që mund të bënim, Shkodrës. Ua kam borxh mundin dhe nderin që i dhatë kësaj fushate dhe që fati s’e desh që t'ia jepnit edhe Shkodrës. Nuk e di në bëmë gjithçka duhej bërë, por ne guxuam të ndërmarrim, guxuam t'i kundërvihemi indoktrinimit dhe ideologjisë që tash 25 vjet ia injektojnë pa pushim kësaj Shkodër duke i sjellë veç mungesë alternativash e varfërim.

Guxova të hyj në këtë fushatë, duke e njohur riskun, aspak për vehte sa duke besuar ndryshimin. Isha femijë kur fillova ta ëndërroj, tamam si ata femijë që per 2 muaj ëndërruan sëbashku me ne. Sot ndoshta duhet të ndjehem fajtore që s'ia dola, që dija shumëçka dhe s’e thashë, që besova tek perceptimi i më të mirës së shoqërisë. E dija që do rëndonin mbi kurrizin tonë dhe nga varfëria e këtij popull disa reforma të forta, aq shumë të nevojshme për t'i ardhur era shtet Shqipërisë, e megjithatë e ndërmora hapin e bindur në mirëkuptimin e gjithsecilit që ëndërron të jetë pjesë e Europës së shpejti.

E dija që strukturat e forcës sime politike nuk ishin në mood-in e tyre më të lartë, por realisht besova se projekti ynë ishte një inspirim shumë herë më i madh që i tejkalonte pakënaqësitë personale, ndaj s'fola. E dija që enveristët e fundit të kamofluar, zhugatur me blu, do na vërsuleshin si të ishim armiqtë e klasës dhe jo alternativa tjetër me ide e potenciale për ta zhvilluar Shkodrën. E dija se s'kishte si të ndodhte ndryshe. Të pengmarrurit e sistemit të kaluar, do ta drejtonin me zhargonin e tyre të shpifjeve e thashethemeve, fushatën e një manekini, dhe prapë s'fola. E dija që paniku i humbjes së karriges dhe rehatisë së ardhur nga trajtimi apatik e kleptokratik i pushtetit lokal prej 25 vjetësh, do i shtynte mizantropët "demokratë", koka pa ide, të ishin më të zhdërvjellët në kurdisjen e kurtheve dhe s'fola. E dija që ata, pikërisht ata, që i perkasin klanit të paaftëve, të korruptuarve, të indoktrinuarive, ata që jane mësuar ta vjelin qyl atë pak gjë që është bërë në Shkodër në 25 vjet do vraponin të parët të përhapnin panik, me ngutin e tmerrit që i karekterizon injorantët kur ndjejnë erën e ndryshimit.

Do shpejtonin, gjoja në emër të nderit a të idealit, për të përdorur çdo mjet e metodë të zvetënimit tonë në sytë e qytetarëve, për t'na nxjerrë si pjesë klanesh apo grupesh mafioze, por prapë vendosa të mos flas e bindur në gjykimin suprem të qytetarëve. E dija që do luanin çdo gurë mbi tavolinë e nën tavolinë që ndryshimi të mos ndodhte, sepse ndryshimi vjen për gjithkë e gjithçka, ndryshimi s'ka kahje, ndryshimi merr mbarë dhe jo gjithkush është i përgatitur.

E dija..., e dija..., por vendosa të mos flas sepse besoja fort që mekanizmat e kurtheve do i thyente intuita e më të mirëve që përbën opinionin publik të një vendi. Por ndoshta pikërisht kjo ishte e parakohshme, thonë kritikët. S'funksionoi aq sa duhej. Pikërisht ajo që unë, ne, shpresuam më shumë se gjithcka tjetër, duhej të funksiononte ndryshe. Shoqëria shkodrane rezultoi që s'është ende e gatshme të udhëhiqet nga opinioni publik i formësuar në gjirin e elitave që përfaqësojnë vetë atë, siç ndodh në çdo vend të botës.

Ndoshta këtu gabuam.

Kërkuam të njohim çdo hall e problem që shqetëson realitetin shkodran, kërkuam t'i japim zgjidhje çdo pengese filozofike e teknike që e mban paradoksalisht këtë bashki më të varfrën në Shqipëri, por refuzuam të kemi të bëjmë me pjesën e errët të realitetit, atë që pati ende forcën ta mbajë gjallë, perballë ëndrrave, shpresës, pasionit, aftësisë, energjisë, mundësisë së ndryshimit e qindra strategjive e netëve pa gjumë, pushtetin e hijeve, të dalë në pension prej kohësh, të shterruar idesh e energjish dhe që zvarritet rrugëve të Shkodrës duke u mbajtur nëpër bastunër ideologjik.

Megjithatë edhe pse më vjen keq pa fund dhe ndjej dhembje në shpirt që s'ia dolëm ta zhbëjmë totalisht këtë realitet të errët, nëse ndonjë kritik do më pyeste se si do veproja po të mund t'i ktheja gjërat nga fillimi, do i thoja ekzaktësisht njëlloj dhe më mirë. Një e keqe kaq e madhe shmanget aq sa mund të shmanget vetëm me shpërfillje, duke mos e lejuar të të ulë nivelin e vet apo të bëjë pjesë të saj.

Faleminderit të gjithëve sa më keni mbështetur nga afër dhe në distancë! As ëndrra dhe as rruga për një Shkodër më të mirë s'mbaron këtu. Shkodra do bëhet! “, shkruan Bazhdari.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Tritan Shehu i vetmi demokrat në festën e PS, Rama: Do t'ua përcjellë falenderimet
Fleckenstein: Zgjedhjet, hap drejt konsolidimit të demokracisë në Shqipëri, shpresojmë të hapet drita jeshile për në BE »
Article Logic
Execution time: 0.026166915893555
array(1) { ["section"]=> string(73) "keti-bazhdari-pse-e-humbem-shkodren-faji-i-ps-dhe-i-votes-shkodrane-14962" }