Këtu ka tradhëti burra…dhe pretendimet që do ketë LSI

Publikuar tek: analiza-komente, më 17:29 22-06-2015 Këtu ka tradhëti burra…dhe pretendimet që do ketë LSI Anila Basha, drejtore e newsbomb.al

Anila Basha

Eshtë fraza më e shpeshtë që po dëgjon në korridoret dhe ambientet e LSI  ku kandidatët e LSI për bashkitë janë në avantazh të lehtë ose në shumicë, në humbje të konsiderueshme, me kandidatët e së djathtës.

Orët e para të mëngjesit të sotëm, kur dalëngadalë kutitë e Lezhës, Kukësit, Vorës, Beratit, Pogradecit, Selenicës po ndryshonin shpesh dhe nuk po shfaqnin fitore të dukshme të kandidatëve të maxhorancës, e ka vënë në dilemë Ilir Metën, deputetët nëpër qarqe, krerët e partive të LSI në rrethe e çdo njeri tjetër të angazhuar në këtë fushatë, nga partia partnere e Partisë Socialiste.

Pyetja më madhore ishte: Si ka mundësi që votat për kandidatët e propozuar nga LSI në këto bashki nuk janë të plota, të forta, të qëndrueshme? Pse kandidatët e LSI nuk po ecnin dot përpara me vota?

Ndërkohë, që në qytetet ku kërkohej mbështetje e madhe e LSI për kandidatin e maxhorancës, Tiranë, Durrës, Erion Veliaj e Vangjush Dako, ishin duke u shkëputur shumë me rivalët e tyre, në një gropë të madhe votash diferencë.

Pyetjet e pikëpyetjet mund të ndodhin duke analizuar çdo bashki dhe ndërkohë, pasi të numërohet vota e partive politike në këto zgjedhje. Por disa pikëpyetje që në fillim lindin për gjithë këtë proces.

Së pari, kandidati i zgjedhur ka shumë influencë në elektorat. Dhe LSI do të duhet të shohë në përzgjedhjen e kandidatëve. Dhe nëse votat e PS nuk kanë shkuar për kandidatët e LSI atëherë do të duhet të shihet: Si i kanë shuar mosmarrëveshjet e brendshme në partitë përkatëse të dy liderët?

Së dyti, duhet parë marrëdhënia PS-LSI. Sa e qëndrueshme dhe mbi ç’ baza elektorale ishte e shtrirë kjo mbështetje? Cili ka qenë mesazhi i qartë i strukturave të PS për të mbështetur kandidatët e LSI dhe sa të impenjuar kanë qenë strukturat e deputetët e PS për të mbështetur këta kandidatë?

Të gjitha këto analiza për këtë pikë të dytë do të bëhen në përfundim të procesit zgjedhor, por ajo që ka filluar të diskutohet deri më tani është pikërisht mungesa e funksionimit të strukturave të PS për llogari të kandidatëve të LSI dhe mungesa e një angazhimi të tyre serioz në fushatë sipas pretendimeve të LSI.

Së treti, dhe pika më kulmore për të cilën po debatohet është: Si ka mundësi që kandidatët e PS në disa qytete si Tirana, Durrësi, Vlora, Elbasani, Saranda, Fieri kanë diferenca shumë të mëdha votash me kandidatët e djathtë? Eshtë kjo vetëm meritë e përzgjedhjes së emrave të PS, apo është kjo edhe një mbështetje e dhënë nga ana e LSI për këta kandidatë.

Ilir Meta do të nxjerrë prej këtu asin në mëngë me një mesazh të qartë e publik që u dha ditën e dielë ku kreu i LSI i kërkonte strukturave  të saj të votonin nr.6 në fletën e votimit. Ndërkohë që një gjë e tillë nuk u bë nga kreu i PS Edi Rama, përshembull për kandidatin e ASHE, të LSI, në Lezhë, Viktor Tushajn me një mesazh të personalizuar.

Do të duhet të shihet vota e partive në këshillat bashkiakë, në këto bashki të humbura nga kandidatët e LSI. Nëse vota PS e LSI, superon votën e kandidatit, kjo do të jetë me pasoja në organizimin dhe mirëfunksionimin e koalicionit të dy partive.

Kjo do të thotë se përtej dashurisë e miqësisë së Edi Ramës e Ilir Metës, nuk pati të njëjtën përcjellje dashurie e miqësie në bazën socialiste, mes kryetarëve të partive lokalë, deputetëve, por edhe elektoratit.

Kjo do të ishte edhe goditja më e rëndë politike që do të diskutohet gjerësisht pas këtyre zgjedhjeve. E derisa të dalin shifrat zyrtare, padyshim Edi Rama dhe Ilir Meta po i  mendojnë të gjithë skenarët. Në fund të fundit, lufta për vota është ajo që do të ndikojë për zgjedhjet e 2017.

Nga gjithë kjo situatë, kënaqet vetëm PD. Janë këta të fundit që do të fillojnë ironitë në media e rrjetet sociale. A thua se gjithçka në kampin blu është në rregull, ku PD në fakt, ka nevojë për një riorganizim të madh përderisa ka përfituar vetëm nga përçarja e votave të së majtës.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.030349016189575
array(1) { ["section"]=> string(59) "ketu-ka-tradheti-burra-dhe-pretendimet-qe-do-kete-lsi-14350" }