Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka deklaruar se bashkia është duke diskutuar për të gjetur një zgjidhje për problemet e klubit të kryeqytetit. Gjatë kohës që fliste për mediat me rastin e Ditës së Verës, Veliaj premtoi sërish zgjidhje, ndërsa theksoi se ka kërkuar një takim me përfaqësuesit e KF Tiranës.
“Fanella e Tiranës është një çështje të cilën po e diskutojmë. Fatmirësisht kemi fanellën e basketbollit të të rinjve, ku jemi të parët. Ndërkohë, me disa fanella të tjera nuk jemi të parët, edhe pse duhet. Brenda javës i kam kërkuar maxhorancës së aksionerëve një takim për këtë çështje”, është shprehur kryebashkiaku.
Ndërkohë kriza te rekordmenët e Shqipërisë duket se është thellë. Pas humbjes ndaj Partizanit në derbi dhe barazimit me Flamurtarin, Tirana është mposhtuar këtë fundjavë edhe nga Vllaznia. Presidenti i klubit, Refik Halili ka premtuar revolucion për ta rikthyer ekipin në nivele të larta.