Kodheli në samitin e NATO-s: Rritja e buxhetit do përdoret për modernizimin e FA

Publikuar tek: politike, më 23:28 10-02-2016 Kodheli në samitin e NATO-s: Rritja e buxhetit do përdoret për modernizimin e FA

Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli mori pjesë në punimet e ditës së parë të Ministerialit të Mbrojtjes, që po zhvillohet në Bruksel, ku u trajtuan dhe u morën vendime mbi forcimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Gjatë kësaj dite, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, diskutuan veçanërisht mbi parimet bazë të ndërtimit të konceptit të ri të NATO-s për frenimin e rreziqeve dhe mbrojtjen. Gjithashtu u bë dhe një përditësim mbi implementimin e Planit të Veprimit të Gatishmërisë (RAP) të NATO-s, si dhe u shpërnda një informacion njohës mbi investimet e Mbrojtjes.

“Shqipëria mbetet e angazhuar për të dhënë kontributin e vet në ndërtimin e një mbrojtjeje moderne dhe efikase të NATO-s, për të luftuar rreziqet aktuale dhe ato të ardhshme. Në pritje të zhvillimit të Samitit të Varshavës, duhet të synojmë një qasje të re për mbrojtjen e Aleancës, ku një nga shtyllat më të rëndësishme mbetet zbatimi i Planit të Veprimit për Gatishmërinë”, nënvizoi ministrja Kodheli në ndërhyrjen e saj në këtë pikë, e cila solli në vëmendje rritjen e Buxhetit të Mbrojtjes për vitin 2016 si një tregues pozitiv për vendin tonë dhe që mbështet vendimet e marra në Samitin e Uellsit. “Këto para do të përdoren në mënyrë efikase, në veçanti për rritjen e kapaciteteve dhe modernizimit të Forcave të Armatosura”,-tha znj. Kodheli.

Në mbyllje, ajo nënvizoi se vendi ynë do të vijojë të luajë një rol aktiv në Aleancë duke mbështetur kontributet në kuadër të Planit të Veprimit të Gatishmërisë, mbajtjen e niveleve të larta të plotësimit të pozicioneve në strukturën komanduese të NATO-s dhe forcës së saj, rritjen e bashkëpunimit ndërqeveritar për përgatitjen e emergjencave civile, zhvillimin e kapaciteteve, në harmoni me Procesin e Planifikimit të Mbrojtjes të NATO-s (NDPP) etj.

Gjithashtu ministrat e Mbrojtjes, në praninë e përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe një grupi partnerësh (Enhanced Opportunity Partners) Australi, Finlandë, Gjeorgji, Jordani dhe Suedi, u adresua mënyra dhe mjetet e nevojshme për të rritur ndërveprimin ndërmjet NATO-s dhe partnerëve të saj. Në këtë drejtim, ministrat ndanë të njëjtin mendim mbi sfidat e sigurisë dhe kërkuan më shumë kujdes për rreziqet komplekse që burojnë nga drejtimi jugor i NATO-s.

Së fundmi, partnerët u shprehën të gatshëm për të rritur bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, ku u përmend lufta hibride si dhe paketat e ndërtimit të kapaciteteve të mbrojtjes për vendet në nevojë.

Në fjalën e saj, ministrja e Mbrojtjes, u ndal në mundësitë e mëdha për një bashkëpunim në rritje, me grupin e larmishëm të partnerëve të NATO-s. Si element kryesor, ajo theksoi shkëmbimin e informacionit dhe ekspertizës mbi luftën hibride, si dhe angazhimin në mbështetjen e vendeve të

Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, me paketa individuale për ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes. “Shqipëria është e gatshme të japë kontributin e vet për iniciativa të reja, siç po bën aktualisht në disa vende të tjera partnere si Gjeorgjia dhe Ukraina”,- mbylli fjalën e saj znj. Kodheli.

Gjithashtu, gjatë ditës së sotme, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli zhvilloi takime bilaterale me homologun e saj kroat dhe atë rumun.

Në takimin me ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë z. Josip Buljević, znj. Kodheli e uroi për marrjen e detyrës së re dhe shprehu vendosmërinë e vendit tonë për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyer me Kroacinë, në fushën e mbrojtjes dhe më gjerë. “Shqipëria dhe Kroacia janë dy vende kyçe për ruajtjen e balancave në rajon dhe si rrjedhojë ne jemi të angazhuar për të mbështetur kontributet tona të përbashkëta në operacione dhe misione, si ai në Afganistan”,- tha znj. Kodheli

Nga ana e tij, ministri Buljević e falenderoi ministren Kodheli për këtë takim dhe siguroi se Kroacia është e interesuar për të vijuar trendin pozitiv të bashkëpunimit, midis vendeve tona.

Gjithashtu, dy ministrat diskutuan mbi ambientin e ri të krijuar të sigurisë dhe implikimet që ajo ka për rajonin e Ballkanit Perëndimor, forcimin e iniciativave rajonale, mbështetjen për vendet e rajonit në rrugën Euro-Atlantike, përfshirë Kosovën, etj.

Në takimin me homologun e saj rumun, znj. Kodheli, e uroi gjithashtu z. Mihnea Motoc për marrjen e detyrës si ministër i Mbrojtjes i Rumanisë dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të Shqipërisë me Rumaninë. “Jemi të interesuar të forcojmë nivelin e angazhimit midis ministrive të Mbrojtjes respektive dhe forcave të armatosura,”- tha ajo.

Ministri rumun u shpreh i kënaqur për mbajtjen e këtij takimi, gjatë punimeve të Ministerialit të Mbrojtjes dhe falenderoi ministren Kodheli për kontributin që Shqipëria jep me dy oficerë shtabi në strukturat e krijuara së fundmi në Rumani, në kuadër të Planit të Veprimit të Gatishmërisë.

Në fund, ministrat ndanë të njëjtin mendim mbi sfidat dhe rreziqet në rritje për drejtimin jugor të NATO-s, si terrorizmi, migracioni, luftëtarët e huaj terroristë, etj.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Vizita e Kerryt në Tiranë, Tre orë, tre mesazhe, takim vetëm me Ramën dhe Bashën
Zbardhet debati, Selami i shqetësuar i drejtohet Berishës dhe Bashës: 1 orë në pritje të ardhjes suaj…Bëni deklarata personale dhe thoni se janë të partisë »
Article Logic
Execution time: 0.024085998535156
array(1) { ["section"]=> string(85) "kodheli-ne-samitin-e-nato-s-rritja-e-buxhetit-do-perdoret-per-modernizimin-e-fa-32260" }