Kokëdhima kundër "Dekriminalizimit": Absurd, antikushtetues dhe fyes

Publikuar tek: politike, më 23:20 17-03-2016 Kokëdhima kundër

Deputeti socialist, Koço Kokëdhima u bë zëri i parë brenda maxhorancës që del kundër ligjit të dekriminalizimit.

I ftuar në emisionin “Top Story” në Top-Channel këtë të enjte, Kokëdhima e cilësoi ligjin antikushtetues dhe tha se do të lobojë tek kolegët deputetë që ta shfuqizojnë përmes Gjykatës Kushtetuese.

“Është një ligj absurd, antikushtetues dhe fyes dhe unë do t’u kërkoj kolegëve të mi që t’i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese që ta anulojë atë ligj”, tha Kokëdhima.

Deputeti i maxhorancës shtoi se është për ngritjen e një ligji për integritetin e zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve sipas standardeve europiane.

***

Debatet brenda PS

Dekriminalizimi ishte njëra nga çështjet që ceku deputeti socialist këtë të enjte përballë gazetarit Sokol Balla dhe analistëve Arjan Vasjari dhe Arjon Sulo. Ai foli edhe për debatet brenda Partisë Socialiste, akuzat e opozitës, reformën në drejtësi...

Lidhur me debatet brenda PS, Kokëdhima tha se kundërshtohet sepse ka reformuar partinë në rajonet ku është kordinator.

“Nëse do të bësh punë, ndryshime dhe reforma, padyshim që ka kundërshti. Nëse do të bësh ndryshime të mëdha në një organizatë apo komunitet do të ketë debate, pëlqime dhe mospëlqime. Ajo reformë që kemi realizuar në Vlorë dhe Gjirokastrës i ka treguesit shumë të qartë. Ishte një reformë e strukturës politike dhe ekzekutive sepse ishte e nevojshme kjo gjë. Në Vlorë dhe gjirokastër kishim në letra 12 mijë anëtarë, sot PS ka 22 mijë anëtarë në mënyrë të vërtetë në rajonin Vlorë dhe Gjirokastër dhe këta anëtarë janë djem e vajza të rinj me shkolla të larta”, tha ai.

Deputeti foli edhe për të ashtuquajturën strukturë rajonale, i akuzuar se përmes saj ndërhyn për të punësuar militantët e partisë. Ai tha se struktura shërben për të lehtësuar në gjetjen e burimeve njerëzore të afta dhe të kualifikuar në një hapësirë më të gjerë.

Mandati në Kushtetuese

Kokëdhima foli edhe për votimin e kësaj të enjtejte të maxhorancës, që rrëzoi kërkesën e PD për të çuar në Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetit Rakip Suli, ndërkohë që një javë më parë, bënë të kundërtën me rastin e tij. Kokëdhima thotë se nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi të grupit parlamentar.

“Nuk është një standard tjetër nga qëndrimi që grupi parlamentar ka mbajtur për rastin tim. Edhe unë do të votoja kundër çuarjes në Gjykatën Kushtetuese sepse ai deputet nuk ka bërë asnjë shkelje, asnjë abuzim dhe asnjë përvetësim’, u shpreh ai.

Sa për rastin e vet: "Akuzat janë strategji shpifjesh Saliut e pafund dhe nuk më kanë paraqitur asnjë fakt të vetëm që unë të kem përvetësuar, asnjëherë në jetën time dhe në rastin konkret, përveç shpifjeve dhe sharjeve”, thotë ai, duke theksuar se nuk ka përfituar fonde pas marrjes së mandatit të deputetit.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Rezulton fals alarmi për bombë pranë banesës së Sali Berishës
Më në fund/ Një ambasadore e qeverisë nuk e “bojkoton” kryetarin e opozitës Basha »
Article Logic
Execution time: 0.023058891296387
array(1) { ["section"]=> string(70) "kokedhima-kunder-dekriminalizimit-absurd-antikushtetues-dhe-fyes-35377" }