Komani/ Forumi: Kumbaro flet me terma energjetike, s’ruan trashëgiminë. Ministria: Do kryejmë sondazhe

Publikuar tek: kulture-art, më 20:15 22-01-2015 Komani/ Forumi: Kumbaro flet me terma energjetike, s’ruan trashëgiminë. Ministria: Do kryejmë sondazhe

Ndërkohë, ministria e Kulturës ka reaguar në lidhje me diskutimet e zhvilluara sot nga Forumi i Trashëgimisë Kulturore për linjën e interkonjeksionit që pritet të kalojë në vendbanimet e lashta ilire në zonën e Komanit

Komani dhe vendbanimet e lashta ilire rrezikojnë të zhduken përfundimisht. Shkak është projekti më i fundit i qeverisë për të kaluar në këto zona të rralla të trashëgimnisë kultore e historike, linjat 400 kilovoltëshe të tensionit të lartë që lidhin Kosovën me Shqipërinë.

 

“Ministria e Kulturës duhet të rishohë vendimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, vendim që u mor në datën 12.12.2014. Aq më tepër që në këtë mbledhje, nuk ka qenë pjesa dërrmuese e arkeologëve që e njohin problematikën dhe mund të kishin dhënë mendim të specializuar. Duhet thënë se përpara se KKA të miratonte këtë project, ministria duhet ta kishte shpallur zonë të mbrojtur këtë vend, për shkak të rëndësisë së saj” tha Anila Basha, bashkëkryetare e forumit për Trashëgimninë.

 

Gjergj Bojaxhiu, drejtuesi i këtij Forumi, tha se këto linja nuk kanë ndonjë urgjencë. “Ministria e Kulturës nuk mund të flasë për kostot e projektit. Ministria e Kulturës duhet të argumentonte me forcë mbrojtjen e këtyre vendbanimeve. Nuk mundet që kjo ministry të flasë me argumentet e ministrisë së Energjetikës” tha Bojaxhiu gjatë konferencës për shtyp.

 

“Zbulimet përbëjnë një fond të jashtëzakonshëm për krijimin e një muzeu mesjetar, ndriçues në rajon. Janë zbuluar banesa, furra, punishte prodhimi metali e qelqi, gjashtë kisha deri tani në vendbanim dhe shtatë të tjera përreth, me ndikim të fortë perëndimor. Komani është qendër peshkopale, e populluar shumë dendur gjatë gjithë Mesjetës e më tej (shek. VI-XVI) ku numri i varreve të gërmuara deri më tani, ka arritur në 500” tha një ndër arkeologet që punon aktualisht në Koman Etleva Nallbani, duke shtuar se ka ndjeshmëri të madhe edhe nga shumë arkitektë të huaj që e dinë rëndësinë e këtij vendbanimi.

 

Arben Biçoku, anëtar i Forumit për Trashëgimninë argumentoi se nuk ka asnjë vonesë në daljen e këtij Forumi për çështjen e Komanit. “Nëpërmjet daljeve publike kemi reaguar që në dhjetorin e vitit të kaluar. Kemi pritur që ministria të reagonte. Por kjo nuk ndodhi. Atëherë çfarë duhet të presim? A mund të kalojnë turistë poshtë një linje të tensionit të lartë 400 kilovolt?” bëri një pyetje retorike Arben Biçoku.

 

“Eshtë njëlloj sikur në qytetin antik të Apolonisë, të kalojë sot një linjë e tensionit të lartë 400 kilovolt. A mendoni ju se do të ketë vizita nga turistët?” shtoi Bojaxhiu. “Ministria e kulturës dhe energjetikës, duhet të nxjerrin kostot e projektit, sa duhet të për të zhvendosur shtyllat, e po ashtu, sa është kostoja e prishjes së vendbanimeve ilire të komanit” tha Bojaxhiu.

 

Prej një dekade në Koman ekipe të ndryshme shqiptare e të huaja vazhdojnë gërmimet duke pasur gjetje të jashtëzakonshme për prejardhjen e shqiptarëve dhe vendbanime të hershme të tyre.  


 

Ndërkohë, ministria e Kulturës ka reaguar në lidhje me diskutimet e zhvilluara sot nga Forumi i Trashëgimisë Kulturore për linjën e interkonjeksionit që pritet të kalojë në vendbanimet e lashta ilire në zonën e Komanit. Ministria në deklaratën e saj sqaron se opinionet e arkeologëve janë lexuar dhe janë marrë në konsideratë nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe është diskutuar gjithashtu me përfaqësuesit e OST. Sipas ministrisë, është kërkuar në bashkëpunim me misionin e arkeologëve të kryhen sondazhe në vendet ku do të hapen gropat për shtyllat që kalojnë në zonën B, duke i ruajtur kështu të drejtën vetes të marrë një vendim të dytë nëse e sheh të nevojshme. 

 

Deklarata e ministrisë:

Në vijim të diskutimit për qytetin arbëror të Komanit dhe pas reagimit të Forumit të Trashëgimisë Kulturore, Ministria e Kulturës , në përgjegjësi dhe detyrë të informimit publik, sqaron sa më poshtë:

Ministria e Kulturës dhe ekipet e saj, në terren dhe në qendër, kanë qenë si rrallë herë të vëmendshme dhe të kujdesshme për trashëgiminë të cilën e gjetëm pothuajse të harruar prej më shumë se 20 vjetësh.

Opinioni i ekipit të arkeologëve kërkues, u lexua dhe u morr në konsideratë nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë pa u vënë fare në dyshim, ndonëse mungonin drejtuesit e projektit dhe nuk deleguan përfaqsueses të tjerë nga ekipi i tyre.

Vetë KKA përbëhet po aq nga ekspertë të njohur të arkeologjisë dhe nga përgjegjës të institucioneve të përgjegjshëm për çdo vendim që merret.

Zonifikimi i propozuar prej misionit të arkeologëve, - ndonëse nuk ka marrë ende formë ligjore u konsiderua i mirëqenë, pasi aktualisht zona e mbrojtur me ligj, që ne vitin 1963, është vetëm Kalaja e Dalmacës dhe nekropoli- tregon se cila është zona që nuk duhet prekur dhe cila është ajo që me përkufizim lejon ndërhyrje. Ky kufizim u respektua plotësisht dhe në përputhje me ligjin për trashëgiminë.

Nëse misioni i arkeologëve që e kuptojnë shumë mirë se ç’domethënë zonë A dhe zonë B, do ta kishin konsideruar të palejueshme ndërhyrjen në hapësirën ku kalojnë shtyllat, do e kishin shtrirë Zonën A më tej dhe KKA do të kishte gjykuar e vendosur, në përputhje me propozimin e tyre. Përderisa ka ligje, rregulla, përkufizime, kjo do të thotë se duhet të respektohen në vendimmarrje. Kjo është metodologjia që tq gjithq specialistët e fushës e dinë shumë mirë. Institucionet shtetërore nuk mund të vendosin sipas opinioneve që ndryshojnë në lirinë e tyre të respektuar gjithësesi, por në bazë të kufijve dhe hapësirave që u njeh ligji.

Mundësia e një zhvendosjeje edhe nga Zona B, ndonëse e pajustifikuar ligjërisht, u ngrit e u diskutua gjatë në KKA me përfaqsuesit e OST. Ata shpjeguan se :

- po aty kalon edhe linja ekzistuese e tensionit të lartë Koman-Elbasan, prej të cilës duhen ruajtur nga shtylla në shtyllë distancat e sigurisë e të rrezikut që janë të përcaktuara dhe nuk mund të ndryshohen.

- duke qenë se në atë terren është tashmë e hapur traseja për linjën ekzistuese do të shfrytëzohet po kjo trase për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Ky faktor paraqet interes edhe nga pikëpamja e ruajtjes së trashëgimisë sepse hapja e një traseje të re do të thotë gërmime të reja në terren, çka shmanget në rastin konkret.

- relievi është i tillë që zhvendosjet e linjës bëhen të pamundura në distanca të pranueshme dhe kërkon rishikim total të projektit me rëndësi mbarëkombëtare dhe rajonale, që sjell dy pasoja të mëdha: një kosto shtesë prej qindra mijëra euro nga buxheti i shtetit; dhe vënie në rrezik të marrëdhënieve kontraktuale me qeverinë gjermane që është financuese e këtij projekti me rëndësi strategjike dhe me kosto shumë milionë euro.

GJITHËSESI:

- ju sigurojmë se këto arsye të fundit nuk do ta ndalonin KKA të kërkonte zhvendosje të linjës nëse do të prekej zona A e kërkimeve – e caktuar si e tillë jo nga MK por nga ekipi arkeologëve - ku dhe ka të dhëna të sigurta për gjurmë të qytetërimeve të trashëguara.

DHE, me kujdesin dhe vëmendjen maksimale për të ruajtur edhe zonën B, KKA ka kërkuar të kryhen sondazhe në bashkëpunim me misionin e arkeologëve, në vendet ku do të hapen gropat për shtyllat që kalojnë në zonën B, duke i ruajtur kështu të drejtën vetes të marrë një vendim të dytë nëse e sheh të nevojshme. Për këtë kemi bashkëpunim edhe me OST.

Ministria e Kulturës falenderon Forumin e Trashëgimisë Kulturore për interesin ndaj temës, ndërsa garanton opinionin publik se kemi dhënë të gjithë informacionin e duhur dhe kemi kërkuar bashkëpunim të arkeologëve për ta ndjekur hap pas hapi dhe institucionalisht çështjen e Komanit.

 

 

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Eposi i Kreshnikëve në UNESCO?!
Vjen "Skëndërbeu i pagjumë" »
Article Logic
Execution time: 0.041911125183105
array(1) { ["section"]=> string(102) "komani-forumi-kumbaro-flet-me-terma-energjetike-s-ruan-trashegimine-ministria-do-kryejme-sondazhe-1188" }