Konflikti Qeveri-Presidencë/ Bushati: Zhiti do të mbajë detyrë tjetër

Publikuar tek: politike, më 22:17 16-02-2015 Konflikti Qeveri-Presidencë/ Bushati: Zhiti do të mbajë detyrë tjetër

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i ka konsideruar të panevojshme konsultimet me Presidentin e Republikës për emrat e kandidatëve për ambasador, pasi kjo është e drejtë ekskluzive e qeverisë.

Duke folur në emisionin “Tonight” në Ora News për çështjen e nxehtë qeveri-presidencë në lidhje me dekretimin e Visar Zhitit ambasador në Vatikan, Bushati është shprehur se shkrimtari do të mbajë një detyrë tjetër, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Sa i përket zotit Zhiti ne besojmë si qeveri që nuk e kemi luksin për të abuzuar dhe marrë vendime abuziviste me personalitete të tilla dhe besojmë që në ditët në vijim do të kemi një komunikim për këtë çështje. Absolutisht që zoti Zhiti do të bajë një detyrë tjetër por do ta bëjë me dije në kohën e duhur. Por askush për asnjë lloj interesi nuk mund të mbajë peng përfaqësimin e Shqipërisë në Vatikan. Nuk është rastësi që është personi i dytë që refuzohet nga Presidenti i Republikës”, ka thënë Bushati.

Ministri i Jashtëm informoi edhe ardhjen në Tiranë me 23 shkurt të kryediplomates europiane, Federika Mogerini.


Intervista e ministrit Bushati:

Çfarë ka ndodhur mes jush dhe Presidentit të Republikës?

Unë si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë jam njohur me disa pretendime të Presidentit të Republikës, të cilat janë zgjedhur nga ana e tij që të bëhen publikë në një konferencë shtypi, mos gaboj ditën e përmbytjeve në Shqipëri.Nuk më janë bërë me dije shqetësime të Presidentit të Republikës as për sa i përket kandidaturës sonë për të shërbyer si Ambasador në Selinë e Shenjtë dhe as shqetësime të tjera . Mund t’ju them shumë shkurtimisht që, që nga dita që jam Ministër i Punëve të Jashtme i kam kërkuar disa herë takime Presidentit, jam takuar me të , gjithmonë me kërkesë time. Komunikimi ka qenë normal mund të them në nivelin institucional. Nuk jam thirrur asnjëherë nga ana e tij për çështje që kanë të bëjnë me politikën e jashtme, apo për çështje ku institucioni që unë drejtoj mund të ofrojë ekspertizë apo asistencë. Por nuk e kam  parë këtë absolutisht si fundin e botës, e kam mirëkuptuar pozicionin e tij dhe e kam respektuar si të tillë.

Aktualisht ka komunikim mes jush dhe zotit.Nishani?

Çfarë do të thotë komunikim?

Komunikim institucional, për Ambasadorët psh që propozoni.

Ka komunikim institucional.Mund t’ju them se, që nga shtatori i 2013 që unë jam në këtë detyrë sa i përket proçesit të lirimit dhe emërimit të Ambasadorëve nuk ka qenë një proçes i lehtë.Sa herë jam pyetur nga media edhe për ato raste që me të drejtë media i evidentonte për shkak të profilit, apo për shkak të anomazitetit që mund të shkaktonin Ambasadorë të caktuar apo kandidatë të caktuar unë nuk kam  preferuar që ti ndaj me opinionin publik për disa arsye.Sepse gjithmonë kam besuar se proçesi i emërimit të një kandidati për Ambasador duhet të jetë një proçes diskret, jo një proçes i mbyllur por një proçes relativisht diskret.

Sigurisht, po rëndësi ka ti keni diskutuar me Presidentin, i keni konsultuar me të?

….Nuk implikon vetëm institucionet shqiptare, por implikon dhe vendet ku ata pritet të shërbejnë. Dhe nuk është absolutisht e këndshme për asnjë vend dhe aq më tepër për Selinë e Shenjtë nëqoftëse se i referohem i rastit të Vatikanit, që të dëgjojë, fillimisht të lexojë copëza informacionesh nëpër gazeta dhe më pas të konfirmohen nga zyrtari më i lartë i shtetit,  që është Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Do ishte krejt më normale që për çdo paqartësi, mungesë dakordësie të isha thirrur apo të kishte një komunikim me Kryeministrin apo Ministrin e Jashtëm për këtë çështje.

Dhe nuk jeni thirrur?

Kur ju i keni konsultuar këto emra, nëse e keni bërë si proçedurë, keni pasur një përgjigje, një komunikim  nga Presidenti për emrat e propozuar?

Së pari më duhet të them që ne i kemi qëndruar në frymë dhe në germë Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Ç’ka do të thotë se nuk i keni konsultuar?

Ç’ka do të thotë që Presidenti i Republikës nuk është pjesë e asnjë prej tre pushteteve që përcakton Kushtetuta.

Pra Presidenti ka të drejtë kur thotë se nuk jeni konsultuar me të?

Jo Presidenti nuk ka të drejtë për një gjë të thjeshtë sepse nuk ja njeh Kushtetuta këtë kompetencë Presidentit të Republikës dhe..

Në gërmë ndoshta, se në frymë përderisa është ai që dekreton dhe vë firmën finale…

As në germë as në frymë.Ajo çfarë kam diskutuar me Presidentin në një nga takimet e para që kam pasur me të ka qenë fakti se në shërbimin e jashtëm, një pjesë  e mirë e Ambasadorëve që ishin  trashëguar nga qeveria tjetër ose vinin jashtë sistemit, pra ishin jashtë karrierës diplomatike, një numër që ishte diku rreth 50%, ndërkohë që ligji kishte vendosur si kriter deri në 20%. Ose ishin  njerëz të cilëve u kishte skaduar koha e qëndrimit në detyrë. Dhe kur unë flas për skadim kohe qëndrimi në detyrë, mund ti referohemi çdo lloj praktike ndërkombëtare ku në momentin  që një diplomat kalon vitin e dytë apo është në mes të vitit të tretë duke shërbyer në një vend fillon dhe bie gongu për të ose për tu kthyer në shytëpi, ose për të shkuar në një detyrë tjetër. Në rastin tonë ne kishim Ambasadorë dhe kemi ende për fat të keq, të cilët kishin qëndruar në më shum ë se 5,6,7, apo 8 vite në një vend të caktuar, çka nuk i shërben as kredibilitetit të vendit, as Ambasadorit që është aty dhe as raporteve ndërshtetërore. Dhe në parim , mbaj mend në një nga bisedat e para me Presidentin, kur e kam informuar për qasjen e Qeverisë në lidhje me mënyrën  sesi do ti planifikonim  burimet njerëzore në shërbimin e jashtëm, kemi rënë dakord bashkarisht që të kishte një proçes gradual lirimesh dhe emërimesh në detyrë. Sepse në rast se unë do ti qëndroja strikt vetëm  ligjit apo dhe frymës së ligjit, i bie që në më shumë se 50% të rasteve automatikisht ne të kishim  Ambasadorë që do të liroheshin nga detyra. Për sa i përket Kushtetutës më lejoni që..

Dhe patët mirëkuptimin e Presidentit për këtë ?

Patëm mirëkuptimin e Presidentit në parim. Një mirëkuptim  që për hir të vërtetës nuk është se është materializuar në çdo rast në praktikë.Dhe më lejoni të theksoj dhe ndaj me opinionin publik disa gjëra që unë si Ministër i Jashtëm i konsideroj esenciale. Për herë të parë ne jemi ndarë nga një lloj modeli partizan në emërimet në shërbimin  e jashtëm. Është qeveria e parë e cila ka propozuar dy ish-Ministra,  dy ish-deputetë  dhe dy zyrtarë të lartë të jetës publike të vendit, siç është rasti i zotit.Leonard Demi. Ish-sekretar shteti për Mbrojtjen, ish-kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, një nga figurat kryesore, ish-sekretar i marrëdhënieve me jashtë në PD për të shërbyer në një vend shumë të rëndësishëm siç është posti i Ambasadorit në NATO.Apo rastin e zotit.Visar Zhiti që sot për sot po bëhet një objekt diskutimi në mënyrë të padrejtë do të thoja unë, përballë opinionit publik. Kjo është një çështje e rëndëishme që tregon vizionin e ndryshëm të një qeverie.

Kundërshtarët tuaj politikë thonë se keni çuar emrin e zotit.Zhiti bashkë me disa emra Ambasadorësh të tjerë, të cilët ishin të lidhur me ish-nomeklaturën e dikurshme, e kështu me radhë

Unë preferoj që këto çështje ti ndajmë në mënyrë që opinioni publik të mos jetë konfuz.E para duhet të biem dakord për disa fakte, këto që po them  unë janë fakte.Është qeveria e parë që shtrin dorën e bashkëpunimit përtej burimeve njerëzore që mund ti ketë ajo.Në 8 vitet e shkuara unë nuk kam parë qoftë edhe një shenjë të vetme, më jepni një rast ku qeveria Berisha të ketë emëruar Ambasador një nga njerëzit e së majtës, një nga zyrtarët e lartë të së majtës i cili mund të ketë një kontribut të spikatur,  siç ka plot njerëz që mund të kenë pasur një kontribut të spikatur në x fushë.Kjo është për të treguar se për këtë qeveri ka shumë rëndësi cilësia e personave të cilët zgjedh. Edhe tek kandidatura e Visar Zhitit, sëbashku me Kryeministrin ne kemi rakorduar tek cilësitë individuale tek Visar Zhiti. Tek fakti që është njeri i letrave, i përndjekur politik, është një njeri që jetën e tij ja ka dedikuar fushës së veprimtarisë në të cilën ai pritej të shërbente..

Dhe sipas përfaqësuesve të Konferencës Ipeshvnore nuk është katolik…

Dhe është absurd, kam ndjekur dhe një debat që është zhvilluar këtu,  a është apo nuk është katolik? I ftoj të gjithë ata që duan ta nxisin me të padrejtë këtë debat ti referohen vetë linjës së Papatit aktual dhe vetë mesazheve të tij jo thjesht të dhëna në Shqipëri, por kudo anembanë botës për politikën që ka Selia e Shenjtë në këtë drejtim. Është një debat i varfër, siç është po  aq i varfër debati për të ashtëquajturin  kuota religjioze në përfaqësimin e Shqipërisë nëpër botë.Mund t’ju them se edhe tek emri i Visar Zhitit nga konsultat që janë bërë, nga testimet paraprake që janë bërë me Selinë e Shenjtë, sikundër tek emri i Ardian Ndrecës, sepse ka dhe një kandidat tjetër po të refuzuar nga Presidenti i Republikës dhe unë ftoj media që të bëjnë një investigim pak më të gjerë sesa kaq. Janë dy njerëz, dy personalitete të jetës publike në këtë vend, të cilët refuzohen me arsye nga më të ndryshme. Por nëse tek rasti i Ndrecës kishte një pretendim por askush nuk vinte në pikëpyetje sensin e tij intelektual dhe përgjegjshmërinë qytetare, tek rasti i Visar Zhitit për fat të keq ne kem i qëndrime të ndryshme. Në fillim ishte çështja e proçedurës, më pas çështja e individit, më pas na u sugjerua edhe publikisht që ta emeronim Visar Zhitin Ambasador në Francë apo Konsull të Përgjithshëm në Milano dhe sot kthehemi në një mungesë totale argumenti për sa i përket kandidaturës së tij.Tani që ta saroj, a është kjo një çështje e ekzekutivit apo e Presidentit?Nga leximi që i bëhet Kushtetutës shqiptare në mënyrë krahasimore jo thjesht në nenin e Kushtetutës, për ti dhënë edhe përgjigje shqetësimit tuaj e lexojmë në germë apo lexojmë në frymë. Politika e burimeve njerëzore është politikë ekskluzive e ekzekutivit. Gjithashtu në rast se lexojmë nenin 100 dhe 102 të Kushtetutës, është Këshilli i Ministrave institucioni që harton dhe zbaton  në terësinë e vet drejtimet kryesore të politikës së jashtme. Presidenti është vendsur si një digë le të themi finale për të mos lënë sistemin të rrëzohet dhe për ta përdorur të drejtën e tij për të emëruar përfaqësuesin  fuqiplotë dhe të jashtëzakonshëm të Republikës së Shqipërisë, për të mos lënë Qeverinë për të gabuar në raste jashtëzakonisht të rralla.

Po si mund ta përdorë këtë të drejtë Presidenti kur nuk është konsultuar për emrat që i çohen përpara për të firmosur?

Presidenti nuk ka pse të jetë i konsultuar. Presidentit i shkon përpara një dosje për çdo propozim sëbashku me CV, me gradën dipomatike që mbahet etj etj.Po marr rastin e Visar Zhitit. Visar Zhiti është dekretuar nga po i njëjti President para jo më shumë se 1 vit e gjysëm për të shërbyer si Ministër Kulture. Në dijeninë time, besoj dhe në tuajën posti i Ministrit është një post më i lartë në hiearkinë shtetërore sesa posti i Ambasadorit. Pra në rast se Presidenti ka dekretuar Visar Zhitin për të shërbyer Ministër Kulture është e paimagjinueshme që Presidenti të mos bjerë dakord për ta emëruar për të shërbyer si Ambasador në Vatikan.

Megjithatë ka ndodhur…

Ka ndodhur dhe ky është rasti ku po përballemi me një situatë të papreçedentë sepse i njëjti nen parashikon  gjithashtu të drejtën e Presidentit për të emëruar Rektorin dhe kryetarin e Akademisë së Shkencave. Atëherë pyetja që unë bëj është kjo, Rektori,  Dhori Kule, të cilin e njohim të gjithë votohet nga trupa zgjedhore në Universitet. Çfarë duhet të bëjnë studentët dhe akademikët, duhet të konsultohen me Presidentin për kandidaturat që janë për Rektor?Çfarë duhet të bëjnë aznëtarët e Akademisë së  Shkencës kur zgjedhin kryetarin, duhet të konsultohen paraprakisht me Presidentin për emrin e kryetarit të Akademisë së Shkencave? Jo. Kam dëgjuar spekulime se Presidenti ka burime të tjera informacioni etj etj.Unë nuk mendoj se Presidenti i Republikës, kushdo qoftë ai, flas në kapacitetin institucional jo personal, e do më shumë apo më pak Shqpërinë seç mund ta dojë Kryeministri apo Ministri i Jashtëm. As nuk e do më shumë, as nuk e do më pak. Raportet me SHISH për të marrë analiza, për të marrë raportime për një kandidat apo situatë të caktuar i ka si Kryeministri, si Ministri i Jashtëm ashtu dhe Presidenti. Kontaktet më të mëdha me vendet ku duhet të shërbejnë këta njerëz, natyrisht që i ka Ministri i Jashtëm. Po ti referohemi ligjit për shërbimin   jahstëm, të gjithë praktikës, ligjit ekzistues dhe të ri, është Ministri i Jashtëm  kreu i shërbimit.Dhe ju kur më bëtë prezantimin thatë është kreu i diplomacisë. Për çfarë jam kreu i diplomacisë, për të mos pasur mundësinë për  të bërë planifikim të burimeve njerëzore në kohë?  Kur iku Ambasadori amerikan që mund të ketë qenë dhe disa herë në këtë studio?

Po po, por për shkak të një situatë të papreçedentë në SHBA…

Braho,  për shkak të një situate  të papreçedentë. Po ju keni bërë një analizë të shohim sesi është situata jonë sot për sot? Në rregull nuk dekretohet x Ambasador,  po për tu liruar nga detyra. Nuk është lirimi nga detyra  i një Ambasadori një proçes i relaksuar?

Varet nga shkaqet se për çfarë e kërkoni lirimin…

Për të liruar nga detyra nuk ka ….

Pse e kërkoni lirimin e zotit.Ceka nga Ambasador në Romë?

Unë nuk kam ardhur këtu për të ndarë me juu dhe opinionin  publik që për çfarë kërkojmë ne dhe cilat janë arsyet që kërkojmë ne. Këtë gjë unë e kam bërë në rrugë institucionale dhe në rrugë shkresore dhe si Këshill Ministrash te Presidenti.

Nuk ka të drejtë dhe publiku ti dijë arsyet?

Nuk besoj se është në interesin e publikut një gjë e tilë. Mund t’ju them që ligji ekzistues dhe ai që do të hyjë në fuqi ndalon  rreptësisht përfshirjen e diplomatëve apo Ambasadorëve në fushatë ao propagandë të karakerit partiak.Dhe për këdo në këtë vend që ka një memorie mund ti referohet qëndrimeve që janë mbajtur nga personi që ju referuat në fushatën zgjedhore të 2013 për të kuptuar në rast se jemi në shkelje të ligjit apo jo. Ky është një proçes komunikimi që kemi pasur në vijimësi me Presidentin , por nuk besoj se kjo është një çështje e cila ka n jë interes kaq të jashtëzakonshëm.E di çfarë ka interes të jashtëzakonshëm për mua, besoj dhe për opinionin publik, për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë ne më mirë në politikën e jashtme, si duhet të përfaqësohemi ne më mirë, si duhet ti pasurojmë ne qëndrimet,  çfarë buxheti dhe instrumentash duhet të keni ne për këtë shërbim. Çfarë duhet të bëjmë më mirë në rolin rajonal që ka Shqipëria. Për këto çështje unë do të isha personi më i lumtur që të thirresha në konsultë, në raport, në ballafaqim me Presidentin tek zyra e tij për të ballafaquar të gjitha pikpamjet dhe për ta dëgjuar me shumë seriozitet dhe shumë durim në mënyrë që edhe trajektorja e shikimit tim për politikën e jashtme të ishte edhe më e përmirësuar se ç’është.

Në këtë studio Presidenti ka dhënë një deklaratë, ku e quan jo normale mënyrën sesi ju komunikoni për çështje të rëndësishme…

Bëhet fjalë për zhvillimet që pasuan incidentin në Beograd, për deklarata të cilat u shkëmbyen në atë periudhë. Dhe mund t’ju them se si Ministër i Jashtëm kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Kryeministrin për të gjitha qëndrimet që janë mbajtur.Kam informuar kryetarin e Kuvendit, kam  informuar deputetë të cilët kanë shprehur interes për këtë çështje, përveçse kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me interlekutorë ndërkombëtar.

Me Presidentin keni qenë?

Po pra, kam kërkuar gjithashtu nëpërmjet kabinetit tim tek kabineti i Presidentit takim me Presidnetin. Nuk është dhënë përgjigje për takim. Në mungesë të dhënies së përgjigjes së një takimi i kam dërguar një SMS ku e kam informuar me referencat përkatëse për të gjitha qëndrimet pikërisht në mungesë të këtij takimi.Kaq. Për sa i përket faktit se a komunikojmë sot për sot me mesazhe mund t’ju them  që zhvillimet ndërkombëtare e kanë transformuar mënyrën e të bërit politikë. Kur kam ardhur herën tjetër në Tonight juam pyetur përn twitterin,  hashtaget. Sot për sot mund t’ju them që unë shkëmbej WhatsAppe, sms me një numër jo të vogël kolegësh dhe personalitetesh ndërkombëtar me të cilët i zhvillojmë kontaktet tona edhe në këtë mënyrë.Kuptohet për çështje pune dhe jo personale sepse në fund të fun dit dinamika e ngjarjeve është e tillë që nuk lejon të qëndrosh strikt vetëm tek pjesa shkresore.Çdo aktivitet ndërkombëtar ku un ë marr pjesë ka një raportim që unë i bëj Presidentit, Kuvendit dhe Kryeministrit.Nuk e kam asgjëkundi të shkruar, imponuar, me përjashtim të Kryeministrit që është eprori im por e bëj këtë gjë për ti vënë të gjithë aktorët e rëndësishëm që në një mënyrë apo tjetër ushtrojnë politikë të jashtme për të qenë sa më të kordinuar.Nga ana tjetër kishim qëndrime President-Kryeministër dhe Ministër të Jashtëm dhe do ishte krejt normale që edhe nga ana jonë të kishim  të njëjtin sinkronizim dhe të njëjtin rakordim. Në kushtet kur nuk mu dha mundësia për ta takuar i kam shkruar këtë mesazh me jashtëzakonisht edukatë dhe përulësi.

Që pas këtij mesazhi keni komunikuar më me Presidentin?

Po.Jemi takuar në raste të ndryshme, siç ishte 70-vjetori i Çlirimit, Dita e Pavarësisë apo dhe në pritjen që Presidenti organizon çdo vit për nder të trupit diplomatik.

Janë raste ceremoniale më tepër se takime bilaterale …

Këto kanë qenë, por mund t’ju them se kam qenë, do të jem dhe do vazhdoj të jem i tillë në raport me Presidentin dhe çdo institucion që më lidh puna.

Ju vjen keq në pikën  ku kanë ardhur marrëdhëniet me zotin.Nishani, ndjeheni ju ndopak përgjegjës për këtë?

Mua më vjen keq që i gjithë debati për politikën  e jashtme varfërohet në çështje emrash.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Aleanca e Grave Deputete: 20% e kandidaturave në zgjedhjet lokale të jenë femra
Duma: Krimi po forcohet, ka akte të rënda kriminale që nuk deklarohen »
Article Logic
Execution time: 0.024877786636353
array(1) { ["section"]=> string(72) "konflikti-qeveri-presidence-bushati-zhiti-do-te-mbaje-detyre-tjeter-3568" }