Kontraktorët i vihen pas, i bllokojnë llogaritë kompanisë së madhe në Shqipëri

Publikuar tek: ekonomi, më 10:08 26-02-2018 Kontraktorët i vihen pas, i bllokojnë llogaritë kompanisë së madhe në Shqipëri

Kontraktorët i janë vënë pas kompanisë Ionian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A, e cila deri para pak kohësh kishte nën shfrytëzim rafinerinë e naftës ARMO, duke i kërkuar pagesat që kjo e fundit u detyrohet. Kërkesat e palëve të treta kanë bërë që vetëm në 10 ditët e fundit të vendosen dy masa sekuestorje mbi llogaritë dhe aksionet e kompanisë.

Kërkesa e parë për vënien e sekuestros është bërë në datë 15 shkurt 2018 për llogari të kompanisë KAPPA Oil e cila kërkon nga IRTC shlyerjen e një detyrimi prej 4.3 milionë lekësh sipas një vendimi të Gjykatës së Durrësit.


Masa e dytë e sekuestos është vendosur mbi aksionet dhe llogaritë e kompanisë në datën 22 shkurt 2018 ku shuma që kërkohet është 70.5 milionë lekë një detyrim që IRTC e ka akumuluar ndaj R.B.H Beline SH.A e cila pranon se ka pasur një marrdhënie kontraktore me kompaninë duke e furnizuar me mall “gjysmë produkt” dhe nuk është paguar.

IRTC mbylli aktivitetin në dhjetor, me 35 milionë euro detyrime ndaj tatimeve
Kompania që mori në shfrytëzim ARMO-n në fund të dhjetorit të vitit të kaluar do të linte pa paguar punëtorët e saj të cilët ngritën zërin për situatën e tyre. Kompania sipas tyre kishte mbylluar aktivitetin dhe nuk ju kishte bërë as pagesën e pagave. Por IRTC do të deklaronte se nuk furnizohej me naftë nga Bankers Petroleum dhe nuk kishte se me çfarë të punonte. I menjëhershëm ishte reagimi i Bankers në atë kohë që deklaroi se IRTC nuk kishte bërë pagesat ndaj tyre dhe për këtë arsye nuk mund të furnizohej me naftë. Në gjithë këtë amulli qeveria duket se luajti rolin e një arbitri spektator.
Ministri Arben Ahmetaj që doli në shtator të vitit 2016 në krah të përfqësuesit Herry Seargent do të shprehej gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësuesit e sindikatës së naftëtarëve të mbajtur në Ministrinë për Infrastrukturën dhe Energjinë se kompania ishte një sipërmarrje private dhe duhet të zbatonte detyrimet ligjore. Por vetëm kaq ishte ndërhyrja e qeverisë që bekoi në fillimet e IRTC aktivitetin e kompanisë.
IRTC rezultoi se ndërkohë kishte paguar vetëm gjysmën e taksave në 2017-n. Kompania ka paguar vetëm akcizën prej 37 lekë për litër, ndërsa ka lënë pa paguar taksën e qarkullimit prej 27 lekë për litër, taksën e karbonit dhe TVSH. Sipas burimeve zyrtare të tatimeve, të publikuara nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, detyrimi fiskal i ITRC i krijuar në 2017 ishte rreth 4.7 miliardë lekë (rreth 35 milionë euro), kryesisht taksë qarkullimi.

Rafineria nga IRTC kalon tek Allum
Në fillim të muajit shkurt u mësua se një tjetër kompani po negocionte për të blerë rafinerinë, e quajtur Allum Enterprises.
Allum Enteprises sipas ekstraktit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit është krijuar në gusht në vitit 2017 dhe pronari i saj është ALLUM ENTERPRISES LIMITED, një kompani e regjistruar në Angli në qershor të vitit 2017. Aktiviteti i saj është “agjentë të përfshirë në shitjen e karburanteve, metaleve dhe produkteve kimike”. Aksionerët realë nuk bëhen të ditur në të dhënat e kompanisë, por vetëm për adresën e saj. Në internet për këtë kompani nuk gjendet asnjë informacion, duke qenë sërish në linjën e sipërmarrjeve offshore që kanë shfrytëzuar ARMO-n.
Dalja në skenë e kësaj kompanie u komentua nga ekspertët si një skenar për të shkëputtur përfundimisht asetet e ARMO nga borxhet që ka ajo dhe nënkontraktorët e saj.
Sot ARMO dhe nënkontraktorët e saj janë të zhytur në borxhe, të krijuara në vite që vetëm ndaj tatimeve arrijnë në 240 milionë euro (sipas burimeve zyrtare të tatimeve, pa llogaritur fshirjet nga falja fiskale). Në total detyrimi, përfshirë furnitorët, ujësjellës, energji dhe bankat e huaja arrin në 600 milionë euro, sipas vlerësimeve të mëparshme nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë. Këta kreditorë kanë zënë radhën në përmbarim për të marrë një copë nga pronat e ARMO-s.

Historia e komplikuar e abuzimeve me ARMO
Në vitin 2008, ARMO u privatizua nga grupi Taçi Oil, që mori në kontroll 85% të aksioneve të ARMO nëpërmjet kompanisë Anika Mercuria Rafinery Associated Oil, AMRA Oil, për 128 milionë euro. Grupi Taçi është tashmë i falimentuar.
Në vitin 2013, azerët e Heaney Assets Corporation blenë paketën e aksioneve të AMRA Oil. Azerët e përdorën për pak kohë kompaninë dhe më pas u tërhoqën. Në 2014-2015, përmes qiradhënies ARMO-n e shfrytëzuan Deveron Oil Albania, TPD-Trading Petrol & Drilling. Pas një periudhe disamujore ku aktiviteti mbeti pezull në shtator 2016 erdhi ITRC, që e mbylli si gjithë të tjetër, me një fund pa lavdi.
15% të aksioneve të ARMO-s janë ende në pronësi të shtetit, por nga institucionet shtetërore historikisht ka munguar transparenca se çfarë po ndodh me një nga kompanitë më të rëndësishme në vend.
Ekspertë të tregut pohojnë se me ARMO-n është abuzuar sistematikisht. Kompanitë që e marrin atë në përdorim nëpërmjet qirasë apo marrëveshjeve me bankat e shfrytëzojnë dhe ndërkohë nuk shlyejnë detyrimet ndaj shtetit. Në fund të gjithë largohen, duke lënë pas një mal me detyrime.monitor

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.019625902175903
array(1) { ["section"]=> string(84) "kontraktoret-i-vihen-pas-i-bllokojne-llogarite-kompanise-se-madhe-ne-shqiperi-111490" }